e hënë, 6 shtator 2010

Lady Gaga frikson Madonen

14 milionë albume të shitura, koncerte me shikueshmëri rekord dhe një veshje që të tremb. Kush është dhe ku dëshiron të shkojë e vetmja këngëtare që arriti ta frikësojë Madonën

Në përballjen me të humbasin të gjithë. Madje edhe vetë Presidenti Barak Obama ka ndalur në shifrën e 1 milion miqve në “Facebook”, ndërsa ajo, vajza e keqe që çmend njerëzit nëpër radio, diskoteka apo koncerte, i ka kaluar tashmë 14 milionë. 14, ashtu si numri i albumeve të shitur që nga i pari, nën titullin “The fame”. “Hodha bast me veten dhe fitova. Madona e revolucionoi rrokun 25 vjet më parë, ndërsa unë po e bëj tani”, tregon Stefani Jaanne Germanotta (ky është emri i saj i plotë). 


Videoja e saj, “Bad romance”, është parë plot 220 milionë herë në “Youtube”. “I kisha thënë ish të dashurit tim. Më lër po deshe, por unë do të ndjek ngado. Do të vijë dita kur nuk do të blesh dot as një hot dog pa dëgjuar zërin tim në radio”. Ka pasur plotësisht të drejtë zonjushë Germanotta, që sot gjendet në një situatë sureale nga pikëpamja artistike dhe diskografike: “Kam një album të ri thuajse gati, por nuk mund ta publikoj sepse njerëzit vazhdojnë akoma të blejnë ‘The fame’ dhe në koncert duan të dëgjojnë vetëm ato këngë. Kur je një ikonë botërore, bëhesh ajo që publiku do që ti të jesh. Përtej një niveli tjetër popullariteti, personi real nuk ekziston më. Rasti i Michael Jackson-it më duket ekzemplar. Edhe unë prej disa muajsh jetoj sikur të isha Lady Gaga 24 orë në ditë. Ka mëngjese kur zgjohem si depresive. Pastaj mbledh veten dhe them: je një grua e pasur dhe e famshme, nuk duhet të qash për asgjë. Ngrihu dhe shko të punosh. Jo vetëm kaq: më ka rënë rasti të dal nga urgjenca pas ndonjë aksidenti në skenë e veshur me rroba skenike, edhe pse jashtë mund të ishin mbi 500 veta që më prisnin. Nuk mund të dilja me pizhame”. E fiksuar pas lukut, Lady Gaga ka qenë gjithmonë kështu. Edhe kur ishte një e panjohur që frekuentonte klubet e Nju Jorkut, ku shkonin të famshmit. “Funde shumë të shkurtra, këmisha të bardha transparente dhe të puthitura pas trupit, syze dielli me përmasa gjigande, dhe një ngjyrë flokësh bionde që bie shumë në sy. Pas pesë minutash më fusnin menjëherë duke kujtuar se isha ndonjë person i famshëm. Për ta bindur botën që ekziston, ke talent dhe shkruan muzikë të bukur, në fillim duhet të shkelësh mbi veten. Vetëm nëse unë vesh një fund shumë të shkurtër jam një prostitutë, ndërsa një aktor Hollivudi që vendos pambuk në pantallona për t’u dukur më mashkull, po bën vetëm detyrën e tij”. Artin e të bërit gjithmonë të gjërave që i pëlqejnë publikut Lady Gaga nuk e ka mësuar duke marrë leksione marketingu muzikor, por duke djersitur në skenë nëpër baret “më të uritura” të Nju Jorkut. Vendet ku performonin vetëm tras dhe drag queen, ku më shumë se shija e transgresionit, dominon bindja se nuk ke asgjë për të humbur. “Pikërisht nga poshtë, të vjen shtysa për më lart”, ka dëshirë t’u përsërisë gjithmonë bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë. “Jepja shfaqjen time të vogël muzikore në Uper East Side në Manhatan, mes një audience me krijesa të çuditshme që frekuentonin jetën e natës. Ndërsa prisja radhën time për t’u ngjitur në skenë, shfletoja librat e Andy Warhol: ai e kishte kuptuar mirë se si funksionon truri i masës. Në skenë bërtisja si e çmendur që të më dëgjonin. Njerëzit në sallë nuk reagonin, por në prapaskenë kisha fansat e mi: gay dhe transvestitë që çmendeshin për mua. Këshilla e tyre ishte: bëj diçka mes asaj që bën Madona dhe asaj që kanë bërë Aba-t dhe do ta shohësh se e gjithë bota do të kujtohet për ty”. Kohë të largëta. Sot Lady Gaga është një markë që faturon 115 milionë dollarë në vit me një strukturë shumë eficente dhe shumë aktive prej 24 orësh në ditë. “Haus of Gag”, frymëzuar nga “Factory” e Andy Warhol, është një skuadër menaxherësh, ekspertë të konsumit të masës, stilistë dhe krijues të llojeve të ndryshme. Janë ata që e kanë transformuar në një biznes kolosal një objekt të zakonshëm si qiriri me aromë me portretin e popstarit. Sipas asaj që shkruhet në sajtin zyrtar, janë të paktën 40 mijë blerësit. Jo më pak të dëshiruar edhe byzylykët me mbishkrimin “I’am a free bitch” dhe maska e zezë në stilin Eyes Wide Shut. Gjithmonë në “Haous of Gaga” lindin strategjitë për të bërë për vete median e re dhe popullsinë e internetit. Në pritje të çudirave të tjera, dimë vetëm që Lady Gaga është e angazhuar në një tur botëror pa fund, duke u dhuruar sajteve dhe mediave episode që në rrjedhën e kohës shndërrohen në legjenda urbane. Çmenduria e fundit u takon vetëm pak ditëve më parë në skenën e “Lollapalooza Festival”, në Amerikë. Taka 20 centimetra, reçipeta, çorape të grisura dhe një palë breçka të vogla.
shko