e mërkurë, 2 mars 2011

Pesë luftues natyralë të ftohjes dhe gripit

Gripi dhe ftohja, edhe kur janë në formën e vet më të butë, pengojnë jetën e përditshme. E zvogëlojnë nivelin e energjisë, bëhemi apatikë, dhe të lodhur. Është supozim i gabuar që do të
kalojë vetvetiu dhe që mënyra më e mirë është të vazhdojmë me ritmin e zakonshëm të jetës dhe të presim të kalojë, sepse kjo thjesht është e pamundshme. Injorimi i problemit zgjat agoninë, e të mos flasim që viruset e bakteret i shpërndani edhe përreth. 

Pushimi
Është supozim i gabuar që duhet të ushtroni nëse keni grip apo ftohje për t’u djersitur. Trupi ka nevojë për energji për luftë kundër sëmundjes, ndërsa ushtrimet e lodhshme ia marrin. Pushimi i mundëson trupit që tërë forcën ta drejtojë në luftë kundër virusit. Sistemi i imunitetit forcohet gjatë pushimit, veçanërisht gjatë gjumit, çka do t’ju ndihmojë që më lehtë t’i kapërceni ftohjen apo gripin.

Uji
Në rast të ftohjes dhe gripit trupi mund të dehidrojë fare lehtë. Për ta parandaluar këtë është e domosdoshme të pini shumë lëngje. Gjatë kësaj kohe doza e rekomanduar prej tetë gotash duhet të jetë minimumi absolut që duhet të pini. 

Vitamina C
Besohet që vitamina C e forcon imunitetin dhe që është mjet i fuqishëm kundër ftohjes dhe gripit. Shumica sugjerojnë dozën prej 1000 mg në ditë e cila do duhej t’i lehtësonte simptomat. Megjithatë, mënyra më e mirë për marrje të shëndetshme të vitaminës C është me anë të pemëve dhe perimeve të pasura me këtë vitaminë. 

Hudhra
Hudhra që nga lashtësia njihet për efektet e veta shëndetësore, por në kohërat moderne është zvogëluar përdorimi i saj në ushqim për shkak të aromës së theksuar e cila qëndron në trup edhe me ditë. Megjithatë, nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni në shtëpi, anëtarët e familjes nuk do të brengosen për aromën, prandaj konsumojeni. Më së miri konsumojeni të freskët, por nëse nuk ju konvenon ashtu, shumë mirë do t’ju shërbejë edhe hudhra në ushqim. 

Shtogu 
Ekstrakti i shtogut është i fuqishëm në luftën kundër viruseve dhe është mjaft profilaktik. Ndihmon në luftimin e infeksionit tashmë të krijuar dhe vepron edhe në mënyrë preventive. 

Mund të vëreni që shumica e gjërave të përmendura vepron në forcimin e sistemit të imunitetit, sepse lufta kundër ftohjes dhe gripit bazohet në sistem të fortë të imunitetit. Kjo është për shkak të asaj që kundër ftohjes dhe gripit nuk ekziston ndonjë ilaç konkret dhe i mbetet forcës apo fuqisë së trupit të luftojë kundër infeksionit. Pikërisht për këtë sistemi i fortë i imunitetit është më i rëndësishmi./kn
shko