e enjte, 17 mars 2011

Pilotët më të çmendur të botës

Disa histori të pabesueshme të asaj që mund të ndodhin në kabinën e pilotëve gjatë fluturimeve u publikuan sot në faqen “Yahoo”.
Nga përgjumja, tek histori të rrezikshme me femra e sherr në kabinë mes pilotëve, këto janë disa prej rasteve unike të regjistruara ndonjëherë në historinë e aviacionit.

Pilotët i zë gjumi - Një histori e pabesueshme u arrit të mbahej e fshehtë për tre vjet, deri sa ajo u botua sot në faqet e një të përditshmeje indiane.

Në vitin 2008, një fluturim i “Air India” nga Dubai në Mumbai, u ul në një aeroport të gabuar të ndodhur 350 kilometra larg destinacionit, pasi pilotët i kishte zënë gjumi.

Përgjegjësit e kontrollit të trafikut ajror ishin alarmuar nga heshtja e pilotëve, aq sa të bindur se avioni ishte marrë peng, ata nisën një avion luftarak për t’a shoqëruar dhe për t’a rrëzuar, nëse ndonjë lëvizje e dyshimtë do të vërehej.

Histori femrash, rrezikohet aksidenti – Rregullorja i pengon pilotët që të flasin për gjëra të tjera në fazat e ngritjes dhe të uljes së avionit, por dy pilotë të “US Airways Express” ishin aq të përfshirë duke komentuar femra e makina, sa për pak rrezikuan një aksident.

Të hutuar nga këto histori, ata harruan të përgatisnin krahët e avionit për nisje dhe e kuptuan këtë tepër vonë, kur një dritë e kuqe paralajmëruese u ndez. Avioni mbeti vetëm disa të dhjetat e sekondës larg tragjedisë, ndërsa arriti të ndalonte në metrat e fundit të pistës.

Piloti në depresion, mendon vetvrasjen – Një pilot i një avioni të “Air Canada” që po udhëtonte nga Toronto në Paris në vitin 2008 i tregoi shefit të ndihmësve të udhëtimit se po mendonte të përplaste avionin në Oqeanin Atlantik, pasi ishte aq i stresuar nga jeta, sa që nuk dëshironte më të jetonte.

Pilotët, sherr në kabinë – Me të vërtetë e pabesueshme një histori që përfshin një pilot të quajtur Ranbir Arora dhe ndihmësin e tij, Aditya Chopra.

Gjatë udhëtimit IC884 të “Air India” nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Nju Delhi, në tetor 2009, ata u zunë me grushta me dy antarë të tjerë të ekuipazhit brenda kabinës.

Një stjuardesë që shkoi t’i ndante u përplas aq fortë pas derës, sa që ajo pati nevojë për qepje në kokë pas mbërritjes në destinacion./tch
shko