e martë, 1 mars 2011

Rrëfimi i kosovarit që rrëqethet nga “Fjalimi i Mbretit”

Dy vajzat e vogla zgurdullojnë sytë tek dëgjojnë përrallën për dy princesha. Nuk ia shkoqin sytë gojës së babait të tyre, George VI, Mbret i Britanisë, të cilit zëri është krejt çka i duhet për të
mbajtur gjallë shpresën e një kombi në kohë lufte. Por ai s’qet zë kur është nevoja. Lionel Logue (Geoffrey Rush) një logoped që ka zyrën tre kate nën tokë, në Londrën e vitit 1925 do të bëhej hero. Ai e mëson mbretin të flasë. 

Tetëdhjetë vjet më vonë shtatë ushtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës do të viheshin në pozitë të sikletshme para komandantit të tyre, i cili nuk mund t’ua thoshte një fjalë goje. 
Këtë situatë, F.Z. dikur një komandat e sot zyrtar publik, e kishte përjetuar nën lëkurën e tij. Ai thotë të jetë ndier ashtu si fituesi i çmimit “Oscar” për aktorin më të mirë, Colin Firth, i sjellë me rolin e Mbretit. 


“Nuk ka rëndësi masa së cilës i drejtohesh. Në ato çaste e gjithë bota i ka sytë e veshët tek ti”, thotë F.Z. Paraprakisht vë tre kushte që të zbulojë rrëfimin e tij për gazetë: të mos i zbulohet identiteti, pozita që mban në një institucion publik dhe logopedia që e shëroi. Thotë se është i lumtur që rrëfimi për mbretin belbëzues ka marrë katër çmime “Oscar”. 
Ai e ka parë filmin e Tom Hooper, të cilit i takoi edhe çmimi për regjinë më të mirë. Historia e mbretit britanik, kosovarit 52-vjeçar, trupmadh e me çehre të rëndë, i është dukur një shkrirje filmike e përvojës së tij. 


“Për 118 minuta kam qenë nën lëkurën e Geroge VI”, thotë F.Z. Kosovari është njëri ndër miliona njerëz të cilëve skenaristi i “King’s Speech”, David Seidler, ua ka dedikuar çmimin për skenarin më të mirë origjinal. 
“Ky çmim u dedikohet njerëzve që kanë ose kanë pasur probleme me të folur”, ka thënë Seidler, menjëherë pas marrjes së çmimit. 


Historia e ushtarakut F.Z. me George VI pikëtakohen edhe në një tjetër gjë. 
“Edhe mua gruaja më ka gjetur logopedin”, thotë ai. Ky mezoburrë është shëruar për një muaj. 
“Këtu ia kam kaluar mbretit britanik, sepse atij i janë dashur dy”, thotë ai duke qeshur. Ai mban mend daljen e parë publike pas shërimit. Viti 2005 nuk i duket aspak i largët. 


“Kanë qenë më shumë se 70 ushtarë dhe më besoni, fjalimi ka qenë madhështor. Jo se kam thënë gjë, porse më dukej vetja sikur të folurit është gjëja me shtrenjtë në jetë”, thotë F.Z, i cili është i bindur se edhe rrëfimi i tij do të ishte shkrirë po kaq mirë sa ai Geroge VI. 
“Tani nuk ka kuptim të bëhet një film me mua. Por në këtë vend ka shumë persona rrëfimet e të cilëve do të mund të bëheshin fabul për ekranin e madh”, thotë ai. 


Por e përbashkëta thelbësore e ushtarakut kosovar dhe mbretit britanik është logopedi. 
Ndonëse insiston të mos zbulojë as emrin e logopedit të tij, F.Z. thotë se merita që ai sot flet dhe mban fjalime publike i takon pikërisht atij. E të tillë në gjithë trojet shqiptare mund të numërohen në gishta. Njëra ndër to, logopedia Ardita Devolli, e diplomuar në Zagreb dhe e doktoruar në Prishtinë për edukim special, kujton shumë përvoja të saj. 


Ndonëse zyra e saj afro 15 metra katrorë  nuk ngjason fare me atë të kolegut të saj në “King’s Speech” - i cili vend pune ka një sallon të madh - Devolli kujton rastet e saj. 
“Ka qenë një furrtar që erdhi tek unë dhe më tha se nuk ka shkollë, por është i dijshëm. Një letër që ma ka dërguar ka qenë e shkruar me ngjyra të kuqe. Arsyeja ka qenë se ata që belbëzojnë e dinë që kjo është sikur vdekja”, kujton Devolli. 
Në pritje të pacientëve të saj, shumica fëmijë, Devolli thotë se ekziston një formulë që nuk dështon asnjëherë. 


“Vullneti dhe dëshira për të folur. Nuk mund të shërohesh pa i pasur këto të dyja”, thotë ajo. 
Përderisa tek “Fjalimi i Mbretit” ushtrimet e logopedit janë të llojeve të vjetruara, Devolli thotë se belbëzimi tek fytyrat publike është një problem i madh. 
“Dikush belbëzon dhe nuk e ka problem. Por të kesh për detyrë t’u drejtohesh njerëzve dhe të mos të të dalë zëri është një gjë e keqe. E këtu ne kemi gjithçka në dorë”, shprehet Devolli, e cila ani pse s’e ka parë filmin thotë të ketë dëgjuar mjaft për të. Për këtë logopede, lidhja mes pacientit dhe logopedit i ngjan lidhjes së Geroge VI dhe Lionel Logue në filmin “The King’s Speech’. 


“Duhet mishërim me njëri – tjetrin, sepse të duhet të flasësh. Dhe duhet të kesh për çfarë të flasësh”, thotë Devolli, tek lë zyrën e saj të stërmbushur me lodra dhe fletushka vizatimesh të ndryshme që pavetëdijshëm tërheqin kureshtjen. Por zyra e koleges së saj Fatime Zeka në Qendrën e ORL-së në QKU, është në gjendje më të rëndë. Por përvojat janë të njëjta. Edhe aty shërimi është llomotitja. 


“Kam pasur raste kur janë shëruar njerëzit  që kanë folur pandërprerë. Kur fillojnë të llomotisin unë ndihem krenare”, thotë Zeka, logopede e diplomuar në Beograd. Ajo thotë të ketë pasur shumë raste kur edhe fytyra publike kanë kërkuar ndihmën e saj. 
“Njëra nga to është tash një grua e suksesshme në Amerikë që mban fjalime para studentëve”, tregon Zeka. Por ajo ndihet krenare për një gjë që në karrierën e saj 18 - vjeçare e ka bërë të jetë më e lumtur se kurrë. 


“Ka qenë një vajzë që nuk ka ditur as të flasë. Në një ditë më tregoi se ka dashur ta vras veten dhe pas dy muajsh ajo filloi të shërohej. Kur filloi të flasë ajo më tha se është rilindur, se ka gjithë botën në shërbim të saj”, thotë Zeka. 
Një histori pak a shumë e njëjtë është edhe në filmin fitues të katër çmimeve “Oscar”. Është gati fundi i filmit dhe logopedi i mbretit është ulur në karrigen e tij. Ky i fundit i thotë të ngrihet porse Lionel nuk i bindet duke i thënë se nuk po e kupton çfarë po i thotë. Skena mbaron me një të bërtitur të madhe të mbretit që thotë: “Unë kam zë”. 


Me një zë të heshtur, logopedia kosovare tregon për frytin e terapisë së vajzës që nga tentativa për t’u vetëvrarë u shërua. 
“Ajo thjesht u bë një person që ka zë. Që mund t’i flasë botës”, thotë Zeka./kn
shko