e premte, 18 mars 2011

Shiu zbulon skeletin e një njeriu

Eshtra të trupit të njeriut janë zbuluar pas shiut që ra ditë më parë. Eshtrat janë parë pranë xhamisë së Haxhi Veselit në Mitrovicë, përkatësisht rreth pesë metra larg murit të kësaj xhamie, ku është duke u ndërtuar një objekt tetë katesh. 

Pjesëtarë të policisë së Kosovës tash e tetë ditë janë duke siguruar vendin dhe duke pritur mjekët e mjekësisë ligjore dhe komisionin për të zhdukurit apo të pagjeturit, që të bëjnë zhvarrimin e këtyre kockave dhe identifikimin e tyre. Besohet se trupi i pajetë është varrosur gjatë luftës në oborrin e kësaj xhamie, ndërkohë që dyshohet edhe për trupa të tjerë. Halit Barani, kryetar i KMDLNJ-së në Mitrovicë, ka thënë se trupi i pajetë është vetëm 40 centimetra në thellësi të tokës dhe i mbështjellë me batanije të larme.  

Sipas tij, trupit të pajetë uji ia ka zbuluar vetëm eshtrat e shputave të këmbëve dhe se dihet se janë kocka, përkatësisht këmbë të njeriut. “Trupi i pajetë saktësisht dihet se është varrosur në këtë vend gjatë luftës në Kosovë 1998/99, pasi ai nuk është thellë në tokë, është pa dërrasa dhe i mbështjellë me batanije”, ka thënë Barani, duke apeluar tek të gjithë ata që dinë diçka për këtë trup, por edhe për të tjerë, të lajmërohen në zyrat e Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë. 



Në anën tjetër, Besim Hoti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë, tha se informatën për një trup të pajetë policia e ka marrë nga një punëtor, që ishte duke punuar në atë vend. Sipas tij, dyshohet se trupi i përket kohës së luftës.

“Janë njoftuar përgjegjësit e mjekësisë ligjore dhe hetuesit e sektorit të hetimeve për krime lufte, ndërsa përgjegjësia e policisë është të bëjë vetëm sigurimin e vendit”, ka thënë Hoti.
shko