e premte, 25 shkurt 2011

Gjyshja 95-vjeçe vendos rekord bote në sprint

Gjyshja amerikane, Ida Keeling ka vendosur një rekord të ri të botës në 60 metra sprint për grupmoshën mbi 90 vjeç. Keeling, 95-vjeçare, e ka vrapuar
këtë distancë për 29.86 sekonda. Keeling, e cila është nga New Yorku, duket 20 vjet më e re se që është në të vërtetë. Mirëpo, ajo thotë se ndihet dukshëm më e re se që duket. 
"Ndihem më e re tash se sa kur isha në të 30-at apo 40-at. Atëbotë kisha gjitha ato probleme dhe atëherë ndihesha e vjetër. Tash po ndihem si vajzë e re", ka thënë Keeling, shkruajnë mediumet amerikane të enjten. 
Keeling ka nisur me vrapim kur ishte rreth të 70-ave. Që nga atëherë ajo ka fituar shumë medalje e trofe dhe ka vendosur disa rekorde të botës për grupmoshat e saj. 
Tri vjet më parë, ajo vendosi rekord të botës në sprint në grupmoshën 90 e më shumë vjeç. Keeling vlerëson se ushqimi i kujdesshëm që merr, është çelësi i shëndetit të mirë. 
"Ushqimi që konsumoj më jep energji për çdo ditë", thotë Keeling. 
Keeling stërvit në hollin e gjatë të apartamentit të saj. Nget një biçikletë stërvitëse, ushtron me pesha të lehta dhe kërcen me litar. 
"Sekreti im është, ndihu mirë për veten dhe ke një qasje të mirë për veten. Bëj atë që duhet të bësh dhe mos bëjë atë që nuk dëshiron", ka thënë Keeling./kn
shko