Pak orë pas lirimit nga burgu, Luan Rami, njeriu që u akuzua për një komplot kundër kreut të Partisë Socialiste e cilëson një show politik historinë me të. Në këtë intervistë për MAPO-n, ai rrëfen incidentin me makinën e tij në demonstratën e 21 Janarit, dy mesazhet që i ka dërguar Edi Ramës dhe momentin e arrestimit nga dhjetëra forca të RENEA-s, pas akuzave për terrorizëm.
Zoti Rami, keni qëndruar në burg si një person që vuri në rrezik jetën e kreut të opozitës. A mund të na e shpjegoni këtë histori?
Unë kam qenë rastësisht në datën 21 Janar duke lëvizur me makinë në bulevard. Sapo mora vesh që opozita po bënte mitingun, mora makinën te dy Kullat Binjake dhe lëviza në drejtim të Tajvanit, për t’u futur në Unazën e Tiranës. Në momentin që ktheva makinën, në drejtim të Unazës, turma e protestuesve rrethoi makinën time dhe u ndodha mes gjithë turmës. Në ato momente, unë kisha një disk me muzikë popullore të Veriut dhe dikush i irrituar edhe nga kjo muzikë, goditi makinën time me gur në xham dhe në kofano.
Për momentin dola nga makina sa pashë dëmet, por pasi pashë dhe se njerëzit ishin shumë të irrituar, u futa sërish në makinë dhe lëviza me shpejtësi shumë të vogël, derisa kalova turmën dhe u futa në Unazë. Ika për në shtëpi. Në shqetësim e sipër, duke parë dëmtimin e makinës, i
dërgova një mesazh liderit të opozitës.
Është folur shumë për këtë mesazh. A mund të na thoni ekzaktësisht se çfarë shkruanit në të?
Mesazhi kishte ekzaktësisht këtë përmbajtje: “Jam Luan Rami nga Burreli. Ata zagarët e tu më kanë dëmtuar makinën. Kërkoj nga ju të më riparoni makinën, se e kam blerë me djersë”. Kjo ishte përmbajtja e mesazhit. Theksoj që mesazhin e kam nisur në shqetësim e sipër, por me mendimin që edhe kreu i opozitës do ta kuptonte shqetësimin tim.
A morët ju ndonjë përgjigje nga Edi Rama?
Jo, asnjë përgjigje nuk më erdhi. Pas disa orësh, i kam çuar një mesazh të shkurtër, ku në të thuhej : “Më kthe ndonjë përgjigje”. I kam rënë dhe telefonit disa herë dhe nuk e ka hapur telefonin. Kjo ka qenë e gjitha.
A i keni nisur ju mesazhe të tjera me përmbajtje kërcënuese kreut të Partisë Socialiste?
Absolutisht jo, gjithë është kjo që sapo ju thashë.
Megjithatë, pas këtyre mesazheve, Shërbimi Informativ ju ka vënë në përgjim. Duket se nga këto përgjime dhe nga bisedat me të njohurit tuaj, keni komentuar këto mesazhe dhe duket se keni aluduar mbi ndonjë akt mbi zotin Rama?
Nuk është e vërtetë asgjë çfarë është thënë nëpër media. Unë as e kam komentuar me ndonjë njeri faktin që i kisha nisur mesazhe në telefon. Djali i xhaxhait tim ka patur dijeni vetëm për makinën e dëmtuar dhe jo për mesazhet, pasi e pa të nesërmen, kur ishim duke pirë kafe, xhamin dhe fenerin e dëmtuar.
E megjithatë, nga përgjimet duket se janë kapur disa biseda mes jush, të tipit: 'Do vijë kitara në Tiranë'. Sipas organeve hetimore, ju keni përdorur fjalën kitarë për armë...
Nuk bëhet fjalë për një kitarë, siç aludon Prokuroria: pra, për aludimin e një arme me emrin e koduar kitarë. Por bëhet fjalë për kitarë të vërtetë, nga ato që bëjnë muzikë dhe melodi dhe argëtohen njerëzit, të cilën unë e posedoj në shtëpi. U kam thënë prokurorëve që shkoni dhe kontrolloni në shtëpinë time dhe ajo kitarë është në shtëpi. Por ata nuk e kanë marrë mundimin fare për ta vërtetuar.
Po i akuzuari tjetër Afrim Kica, si u lidh me këtë histori?
Afrimi është shok i ngushtë i djalit të xhaxhait tim prej 10 vitesh. Për rrjedhojë, dhe unë kam njohje me të. Javën e fundit kam pasur xhaxhanë të shtruar në spital me trombozë dhe për pasojë jemi takuar aty, te spitali nr. 5. Në datën 27 janar, ditën e arrestimit, unë e lashë me Afrimin rreth orës 19:00 te një lokal, ku konsumuam një kafe dhe ai u largua për në punë, kurse unë për në shtëpi. Pastaj kam dalë në mbrëmje, rreth orës 24:00. Rreth kësaj ore jam kthyer për 5 minuta në një lokal në lagje, të quajtur 'Amsterdam' . Sapo kam dalë nga lokali, policia më ka arrestuar. Ishin dhjetëra forca speciale të RENEA-s, të cilët më arrestuan. Për momentin, jam shokuar kur kam parë dritën e armëve dhe tytat e automatikëve drejtuar në kokë. Më kanë futur në furgon direkt dhe më kanë çuar në polici. Aty më kanë akuzuar për terrorist dhe grup të organizuar kriminal, me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe tentativë për vrasje të liderit të opozitës. Jam shokuar kur m‘i komunikuan akuzat. Kam deklaruar ngjarjen tekstualisht siç ua thashë edhe juve, para prokurorëve, por ata as nuk e morën fare parasysh shpjegimin tim dhe dëshminë time.
Pas arrestimit tuaj, ka pasur disa akuza të ndërsjella politike lidhur me ju. Si i keni perceptuar ato?
Për mua janë thjesht show politik i kryetarit të opozitës, ndoshta me synimin për të zbehur edhe ndjenjën e fajit për ngjarjet e 21 Janarit.
Nëse do të donit t‘i transmetonit diçka kreut të opozitës, çfarë do t‘i thonit sot që jeni liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Apelit?
Gjëja më e padobishme sot, do ishte t’i drejtohesha me diçka zotit Rama. Për një arsye të thjeshtë: ai i pari, para gjithë të tjerëve, lexoi mesazhet e mia telefonike, ku unë i jam drejtuar me emër dhe mbiemër dhe pa asnjë germë që nënkupton kanosje apo kërcënim. Ai është në moshë madhore për ta kuptuar se bëhej fjalë për një njeri të shqetësuar, të cilit i ishte dëmtuar prona e vet. Kur nuk e kuptoi atëherë, s‘ka si ta kuptojë tani, kështu që s’kam ç‘të shtoj. Më vjen keq që një lider i opozitës kërkon kauzë me kitarën që mbaj unë në shtëpi dhe me një mesazh telefonik, që i përcolli shqetësimin tim. Madje, ai duhej t‘u kërkonte falje jo vetëm mua, po cilitdo person që i është dëmtuar prona atë ditë. Mendoj se duhej ta bënte këtë gjë për një arsye të thjeshtë, për faktin se asnjë nga pronat e dëmtuara nuk është blerë apo siguruar nga paratë e zotit Rama, por nga puna dhe djersa jonë dhe borxh nuk ia kemi askujt dëmtimin e pronës./mapo