e diel, 6 mars 2011

SHBA-ja: Pavarësia punë e kryer, dialogu për çështjet praktike

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, qëndroi për një vizitë pune në SHBA, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit, në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, në Kongresin amerikan, si dhe mbajtën një ligjëratë në Universitetin Johns Hopkins - SAIS me temën: “Kosova pas zgjedhjeve dhe sfidat para saj.”

Në Departamentin e Shtetit, Tahiri dhe Hoxhaj takuan zëvendëssekretarin e Shtetit, James B. Steinberg, pastaj zëvendësndihmësin kryesor të sekretarit të Shtetit, Thomas Countryman, me Jennifer Brush, drejtoreshë e Zyrës për Evropën Jugore e Qendrore dhe me Paul Pfeuffer, nga zyra për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore.
Në takimin me James B. Steinberg, delegacioni kosovar prezantoi vizionin dhe programin e qeverisë së re të Kosovës për zhvillimin dhe forcimin e shtetit të pavarur, duke theksuar prioritet kryesore për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit, qeverisjes e mirë, fuqizimin e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare, lobimin për njohje dhe dialogun teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë. 



“Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për qeverisje të mirë dhe reforma të thella për zhvillimin e Kosovës në planin e brendshëm e të jashtëm, në të mirë të interesave të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve, si dhe angazhohet seriozisht për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare”, tha zëvendëskryeministrja Tahiri.

Zyrtari i lartë amerikan përshëndeti krijimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe siguroi se SHBA-ja do të vazhdojë t’i japë mbështetje të fuqishme shtetit të pavarur të Kosovës dhe perspektivës euro-atlantike të saj. Duke i dhënë mbështetje dialogut për çështje praktike midis Kosovës dhe Serbisë, Steinberg rikonfirmoi qëndrimin amerikan se pavarësia e Kosovës është çështje e përfunduar dhe një realitet i ri në Ballkan.


Delegacioni ynë pati takime të veçanta me kongresistët Eliot Engel dhe Dan Rohrabacher, të cilët riafirmuan përkushtimin e tyre për ta mbështetur Kosovën në sfidat e saj si shtet i ri./kn
shko