e diel, 5 shtator 2010

Moda me ikona të reja

SHOW-BIZ: Paguhen 25 mijë euro për një sfilatë, shpesh janë femrat imazh të markave më të njohura. Vijnë nga Polonia, Australia, Kanadaja. Një portret më i hollësishëm i Anjës, Kimit, Xhemës dhe Kokos, top-modelet më të paguara të momentit

Nuk kanë pozuar kurrë për kopertinat e revistave për meshkuj. Shpesh janë protagonistet e kronikave rozë të shumë gazetave. Më të shumtat janë top-modele të famshme, të paktën në botën e modës. Për t’i gjykuar më mirë, flet pagesa e tyre, që për një sfilatë mode arrin deri në 25 mijë dollarë. Superprofesioniste dhe shumë seksi, këto vajza janë pjesë e pasarelave më të nxehta të modës në të gjithë botën, nga Nju Jorku në Milano, nga Parisi në Londër. Ndërsa ne i kemi hasur në shumë reklama, duke shfletuar faqet e gazetave e të revistave, ato luftojnë si “luanesha” për të arritur në majë. Qëllimi? Për të qenë të pazëvendësueshme.
Të perënduara nga mosha dhe skandalet e pafundme, fytyrat e Naomit dhe Kate Moss nuk mbeten tjetër veçse si “vajza” me pamje të ëmbël dhe ekzotike, që për t’u ngjitur sërish në botën e modës presin çastin e duhur për të nxjerrë thonjtë dhe dhëmbët.
Edhe në botën e modës nuk përjashtohesh nga bërrylat, “prapaskenat” dhe modelet pa përvojë, të cilat bëjnë 70 sfilata në javë dhe paguhen 200 euro për një orë, ndërsa për top-modelet e vërteta gjithçka ndryshon, pasi për një vit arrijnë në 200 mijë dollarë. Falë bukurisë dhe përvojës së tyre, ato kanë arritur të afirmohen në këtë fushë, duke firmosur e nënshkruar kontrata pafund me shumë revista dhe agjenci mode. Megjithatë, pavarësisht këtyre, mungon ende magjia, kalimi nga top-modele në një yll.
Por cilat janë sot fytyrat më të preferuara të stilistëve të njohur? Të njëjtat që kemi parë në pasarelat e Milanos, Parisit, Londrës, Nju Jorkut: Anja, Kim, Gemma dhe Coco.

Anja Rubik

Është 24 vjeçe, me origjinë polake. Karl Lagerfeld ka preferuar ta fotografojë personalisht për fushatën “Chanel Eyewear” 2007-2008. Për fansat e shumtë është modelja më e bukur që ka kapërcyer ndonjëherë kufijtë polakë. Anja ka shëtitur të gjithë botën për të qenë gjithmonë pranë prindërve. Ka jetuar në Greqi, Kanada, Afrikën e Jugut dhe Francë. Pikërisht në Paris lindën edhe kontaktet e para me botën e modës, fillimisht si një punë qejfi gjatë pushimeve verore e më pas si një profesion, të cilit i dedikon shpirtin dhe mbi të gjitha, trupin. Sot është imazhi i pazëvendësueshëm i markës së famshme “Belstaff”, fotografuar nga Steven Meisel. Shumë persona mendojnë se Anja do të jetë superylli i ardhshëm. Pasioni i saj është letërsia, arti dhe zhytja nën ujë.



Kim Noorda
Është 23 vjeçe me origjinë holandeze. Me gjatësinë e saj 1 metër e 80 centimetra, për të cilën shprehet se është dhuratë nga Zoti, konsiderohet si një nga modelet më të preferuara për “haute couture” (modën e rëndë). Kim është ikona seksi e Holandës. E lindur në Amsterdam, më 22 prill të 1986, top-modelja bionde bukuroshe, me sy të kaltër, të magjeps me freskinë, ëmbëlsinë dhe klasin e saj. “Më saktë, është modelja më e kërkuar e momentit dhe kjo e shpjegon suksesin”, shprehet një stiliste e famshme holandeze, e cila që kur e njohu në moshën 17-vjeçare, i kërkoi menjëherë të nënshkruanin kontratë. Për agjencinë ku punon, Kim është lloj bingoje. Të gjithë duan të shikojnë bukurinë e saj magjepsëse. Kim ka sfiduar për shumë marka të njohura si: “Lanvin”, “Miu Miu”, “Chloé”, “Hermès”, “Chanel” dhe “Givenchy”. Këto janë vetëm disa prej tyre.


Gemma Ward
Është 22 vjeçe, me origjinë australiane. Uard ka qenë shpesh protagoniste e faqeve rozë të gazetave, për shkak të lidhjes së saj me aktorin Heath Ledger, që humbi jetën para pak muajsh për shkak të një overdoze. Revista e miliarderëve “Forbes”, e quajtur ndryshe dhe “bibla e kapitalizmit”, e ka renditur mes modeleve më të paguara të botës, domethënë mes atyre që fitojmë më shumë se 13 milionë dollarë në një vit nga sfilatat dhe shërbimet fotografike. Pëlqehet sidomos në Japoni. Por të ardhurat e Gemma-se vijnë kryesisht nga Lindja e Largët dhe nga gjigandi i kozmetikës japoneze, i quajtur “Kose”. Ajo që vlerësohet më shumë është pamja e saj si kukull, ndaj është shpesh edhe e preferuara e gjigantëve të modës, si “Valentino”, “Dior”, “Dolce & Gabana”, “Karl Lagerfeld”, “Swarovski” dhe “Luis Vuiton”. Zëvendësoi Kate Moss-in në reklamën e parfumit të “Calvin Klein”, “Obsesion Night” për meshkuj. Por Ward duket se pas pasarelave e ka të siguruar vendin edhe në kinema. 





Coco Rocha

21-vjeçarja kanadeze është një prej pesë modeleve të zgjedhura që pozon për kalendarin “Pirelli 2008”. Edhe pse është kanadeze, për këtë adoleshente që pritet t’i japë shumë botës së modës, legjenda tregon se praktikonte kërcimin popullor irlandez në nivel profesional, deri kur “engjëlli” e zbuloi dhe e shoqëroi për në pasarelë. Ishte vetëm 14 vjeçe. Vetëm pak kohë më pas ishte bërë fytyra më e shpeshtë e revistave të modës. Në 2007-n, në javën e modës në Paris, ishte e para që hapi sfilatën e stilistit Jean-Paul Gaultier. Ka qenë edhe modele te “Balenciaga” dhe “Dolce & Gabbana”, ndërsa “Cristian Dior” e kërkoi me ngulm për të prezantuar sfilatën pranverë-verë 2009.
shko