Trajneri i Interit, Leonardo, i ka dhënë dritën jeshile drejtorit sportiv Marco Branca të negociojë për Xhemajlin 24-vjeçar, që këtë edicion ka treguar paraqitje të vlerësuara në Serie A.
Xhemajli është bërë pjesë e Parmës, pasi kjo skuadër bleu kartonin e tij nga Torino për 3.5 milionë euro para fillimit të këtij sezoni.
Për shërbimet e Xhemajlit, skuadra e Interit është e gatshme të paguajë një dëmshpërblim prej gjashtë milionë eurosh, pasi Leonardo ka thënë se mesfushori shqiptar është ndër futbollistët kryesor te Parma.
"Interi e sheh Xhemajlin si përforcim adekuat në mesfushë për edicionin e ardhshëm. Paraqitjet e Xhemajlit të Parma këtë edicion kanë bindur edhe trajnerin Leonardo, i cili ka kërkuar transferimin e tij në fund të këtij edicioni", shkruan sajti "Virgilio Sport" të martën.
Mesfushori shqiptar këtë edicion ka regjistruar 21 ndeshje në Serie A dhe është i padiskutueshëm në përbërjen e parë të trajnerit Pasquale Marino. Ai ka kontratë me Parmën deri në qershorin e vitit 2015.
Paraqitjet e mira të Xhemajlit me fanellën e Parmës kanë bërë që edhe seleksinuesi i Përfaqësueses së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld ta rikthejë në ekip. Ai deri më tani ka regjistruar 11 paraqitje me "helvetikët".
Xhemajli në verën e vitit 2008 kaloi në Serie A te skuadra e Torinos nga Boltoni, fillimisht si huazim, kurse në verën e vitit 2009 kartoni i tij u ble nga ekipi italian për dy milionë euro. Ai para fillimit të edicionit 2009/10 u huazua te Parma, pasi Torino nuk arriti të sigurojë mbijetesën në Serie A.
Gjatë miniafatit kalimtar të janarit për transferimin e Xhemajlit interesim patën treguar edhe skuadrat e tjera italiane, si Palermo e Fiorentina.