Në raportin, që u shndërrua edhe në rezolutë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thuhet se i ashtuquajturi “Grupi i Drenicës”, në të cilin përmendet edhe kryeministri Hashim Thaçi, ishte marrë me trafikim organesh, por edhe me trafikun ilegal të drogës dhe armëve. Megjithatë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, thotë se me gjithë korrespondencat me senatorin zviceran, Dick Marty, ai nuk i ka siguruar misionit ende asnjë provë, njofton Radio Evropa e Lirë.
“Kemi kërkuar disa herë që të na sjellin dëshmitë, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë dëshmi. Për momentin nuk ka asnjë të pandehur e as të dyshuar”, thekson Krasniqi. Ai thotë se hetimet ende mbesin në fazën preliminare, meqë nuk janë gjetur prova se në Kosovë dhe në veriun e Shqipërisë ishin dërguar të burgosurit e UÇK-së, siç pretendon Marty, për t’iu marrë organet. “Faktikisht, hetimet janë në fazën preliminare.
Do të thotë, arsyet që janë nisur këto hetime, janë që të shihet se a ka ndonjë dyshim të arsyeshëm se një krim serioz është kryer, si dhe a ka të pandehur, të cilët do të identifikohen”. “Kemi pasur korrespondencë me zotin Marty, kemi shkëmbyer letra. Deri më tani nuk kemi marrë dëshmi as nga zoti Marty, as nga askush tjetër, edhe pse EULEX-i ka bërë thirrje shumë herë që çdokush që ka ndonjë dëshmi lidhur me këto pohime, t’i sjellë ato tek autoritetet prokuroriale”, thotë Krasniqi.
Autoritetet në Kosovë, miratimin e rezolutës që ka për bazë raportin e Dick Martyt, e kanë parë si një hap që dëmton Kosovën. Megjithatë, ekziston bindja se përmbyllja e këtij rasti nga ana e drejtësisë është në të mirë të Kosovës. Edhe miqtë perëndimorë u kanë bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të jenë të hapura ndaj hetimit dhe që ta mbyllin këtë çështje njëherë e përgjithmonë.