e diel, 5 shtator 2010

Blogjet pa cenzure ne Rusi?


BOTA: Në Rusi janë vënë në kontrollin e qeverisë shumë media që financohen nga oligarkë super të pasur dhe miqësorë me Kremlinin. Si pasojë, rusët, për të marrë informacionet e vërteta dhe të munguara i janë drejtuar blogjeve. Veç të tjerash, ato janë edhe mundësia e vetme që njerëzit të shprehin shqetësimet. Por aktualisht, një pjesë e madhe e atyre që janë në pushtet në Rusi, po përpiqen me të gjitha mënyrat që të kufizojnë në maksimum lirinë e blogjeve “online”
Adagamov është 48 vjeç dhe ka një nga blogjet më me ndikim sot për sot në Rusi. Ai e përdor blogun për të përcjellë shqetësimet dhe inatin, përfshi edhe atë të arrestimeve të anëtarëve të opozitës ruse, përmes sjelljeve brutale të policisë. Çdo ditë blogu i tij merr rreth 600 mijë faqe, duke e shndërruar në një nga organet mediatike më të ndjekur dhe më të besuar e duke e bërë konkurrent me shumë gazeta të përditshme ruse që të kontrolluara nga pushtetarët e kanë humbur kredibilitetin. Adagamov në blogun e tij gjen edhe hapësira për të bërë humor me Presidentin e vendit, Medvedev, përmes publikimit të fotove të ndryshme komike. Pranimi i Presidentit për një intervistë nga Adamgamov i çuditi të gjithë, sepse në fakt, ata të dy, sipas rregullave të lojës në Rusi, duhet që të ishin armiq. Dhe nuk mbaron me kaq. Presidenti, madje, e ftoi Adagamovin që ta shoqëronte në një udhëtim që bëri në Kaliforni, gjatë të cilit u takua edhe me shefin e madh të Apple, Stiv Xhobs. Medvedev, 44 vjeç, është personalisht një tifoz i internetit, ka blogun e tij dhe përdor Twitter. Presidenti, për shembull, së fundi shkroi një artikull të titulluar: “Përpara Rusi”, që tërhoqi vëmendje shumë të madhe për mënyrën e ashpër dhe të drejtpërdrejtë të analizës që i bënte ekonomisë së vendit. Por në vend që ta shpërndante këtë koment në faqet e shtypit zyrtar, preferoi që ta publikonte në faqen “online” të Gazeta.ru, gazeta më e njohur ruse “online”. Dhe një javë më parë, ai i tha “jo” projektit të ndërtimit të autostradës në afërsi të Moskës, të cilën Putin e kishte me shumë qejf dhe këtë e bëri, jo përmes sajteve zyrtare, por përmes një videoje të transmetuar në një blog. Edhe pse Medvedev bën thirrje për “hapje në të gjitha nivelet”, pra nga ana e qeverisë së tij dhe e autoriteteve të larta ruse, një pjesë e madhe e elitës qeverisëse ruse mendojnë së gjërat kanë shkuar pak si tepër larg, veçanërisht kur bëhet fjalë për internetin.
FSB, agjencia e shërbimit sekret të brendshëm rus, kërkon me çdo kusht që të detyrojë provajdersat e internetit që të heqin nga aksesi i rusëve uebsajtet e padëshiruar prej tyre. Një ligj i fundit i detyron këta provajdersa që të instalojnë një harduer me shpenzimet e tyre, që i lejon shërbimit sekret, me një autorizim nga gjykata, të gjurmojë të gjithë uebsajtet që vizitoj njerëzit dhe e-maile që ata shkruajnë. Disa nga ofruesit e shërbimeve të internetit madje kanë filluar tashmë që të censurojnë personalisht përdoruesit e internetit. Kompani të tilla si “Scartel” për shembull, arrijnë që të bllokojnë portale që i përkasin zërave që janë në kundërshtim me Kremlinin, përfshi edhe ish-kampionin e shahut, Kasparov. Në këtë betejë për internetin ekzistojnë dy kampe. Bëhet fjalë për kursin e ardhshëm që do të ndërmarrë Rusia dhe liritë që ajo iu garanton 142 milionë qytetarëve të saj. Disa besojnë se Rusia duhet që të marrë më shumë nga përvojat demokratike të vendeve të Perëndimit, ndërsa të tjerë janë të mendimit se Rusia duhet që t’i afrohet më shumë Kinës, që është duke u përpjekur jashtëzakonisht shumë të vërë nën kontroll internetin dhe së bashku me të edhe qytetarët e vendit.
Medvedev, nga ana e tij, e sheh teknologjinë e informacionit si “kyçin e zhvillimit të demokracisë” në vend dhe internetin si një nga “burimet më të rëndësishme” të arritjes së qëllimit të tij parësor: modernizimit të vendit.
Kompanitë ruse të internetit kanë luajtur rol të dorës së parë në këtë proces. Ato kanë qenë në gjendje që të mbajnë larg konkurrencën e huaj deri më tani, por së fundi kanë filluar edhe shtrirjen në Perëndim. Këtë prill, kompania e investimeve Digital Sky Technologies (DST), në pronësinë e një investitori me emrin Juri Milner dhe manjatit të gazit dhe metaleve Alisher Usmanov, i shtuan aksionet e tyre te Face Book me 10% dhe blenë edhe ICQ, një sistem për dërgimin e mesazheve të shpejta nga kompania amerikane AOL, për shumën e 188 milionë dollarëve. ICQ ka rreth 40 milionë përdorues aktivë, shumë prej të cilëve janë në  perëndim. ‘Yandex’ është motori i kërkimit më i famshëm në Rusi, përveç atyre tradicionalë të mëdhenj. “Ne e respektojmë ‘Google’”, thotë themeluesja e këtij motori, Jelena Kolmanovskaja, e cila e themeloi kompaninë 13 vjet të shkuara, “ por thjesht e dimë se jemi më të mirë”. Sot, aktualisht, ‘Yandex’ ka mbi 2000 punonjës dhe kontrollon 65% të tregut rus dhe ka një rritje që aktualisht nuk e ka asnjë motor tjetër kërkimi në botë. ‘Google’ që kontrollon 70% të të gjithë tregut botëror është duke pasur probleme në Rusi.
62 milionë rusë, aktualisht lundrojnë në mënyrë të rregullt online dhe në krahasim me një vit më parë, bëhet fjalë për një rritje prej 15%. Për shumëkënd, interneti shërben edhe si një valvul çlirimi, një vend ku anëtarët e kësaj shoqërie të kulturuar e shkolluar, por shumë të kontrolluar mund të shprehen më në fund lirshëm. Kështu, në Rusi, 50% e përdoruesve të internetit kanë blogun e tyre, një shifër kjo që është dyfishuar në krahasim, me një vit më parë.
Që kur Kremlini bleu thuajse të gjithë televizionet më të mëdha në vend, duke i vendosur gjatë dhjetëvjeçarit të fundit nën kontrollin e tij dhe që kur gazetat dhe revistat kanë nisur që të kenë një tirazh shumë të ulët dhe janë shpesh në pronësinë e oligarkëve që kanë lidhje të ngushta me qeverinë, u ka mbetur blogjeve që të ushtrojnë funksionin që tradicionalisht kryhej nga media.
Aktualisht janë krijuesit e blogjeve dhe jo gazetarët e medias ata që janë duke ekspozuar skandale dhe duke nxjerrë në pah atë që me të vërtetë mendojnë rusët për qeverinë dhe humbjen e lirive në këtë vend. Në to publikohen dokumente dhe fakte që nxjerrin në pah korrupsionin e zyrtarëve të lartë, por edhe të zyrtarëve më pak të lartë që janë të zhytur në korrupsion. Sipas analistëve perëndimorë, blogjet ruse janë shumë herë më të saktë dhe të vërtetë për sa i përket lajmeve se mediat e vendit dhe nuk ka dyshim se blogjet në Rusi kanë ndikim më të madh se kudo tjetër.
Shkalla e ndikimit është një nga faktorët që e bënë Adagamov që të hiqte dorë nga jeta me shumë komfort që bënte në Norvegji si drejtor kreativ në një agjenci reklamash dhe të vendoste që të jetonte në Moskën problematike dhe të shumëkontrolluar. Sipas mendimit të tij, Presidenti Medvedev “nuk është një djalë i keq dhe shpesh është i hapur”. Megjithatë ai mbetet skeptik në lidhje me forcën e Presidentit për të shpënë deri në fund idetë e tij revolucionare në lidhje me internetin. Sikundër e sheh edhe vetë Adagamov, “interneti është territori i fundit i lirë, por nuk do të qëndrojë kështu për një kohë të gjatë në Rusi”.
Një nga kundërshtarët më të ashpër të lirisë së internetit në Rusi është Robert Schegel, i cili vjen nga një familje gjermane etnike. Sikundër edhe Adagamovi, ai ka një blog të tijin por në ndryshim me të, 25-vjeçari i përket grupit të mbështetësve të Putinit, ose më mirë “Nashi” (Tanët) që është edhe organizata rinore e kontrolluar nga Putin. Pasi la postin e tij si zëdhënës i “Nashi”, në vitin 2007, ai shërbeu si anëtar i Parlamentit në Partinë e Putinit, Rusia e Bashkuar. Për momentin ai është duke punuar me një ligj të ri për internetin që synon të krijojë një lloj pasaporte të posaçme elektronike për përdoruesit, duke e shndërruar kështu internetin në një mjet shumë më lehtësisht të kontrollueshëm sikundër ka ndodhur deri më tani me të gjitha format e mediave     që janë shndërruar në megafona të zërit të qeverisë.
Schlegel ëndërron që një ditë të bëhet ministër. Ndërkohë ai i jep instruksione patriotëve të rinj që të pasqyrojnë siç duhet veprimtaritë e grupit rinor “Nashi”. Anëtarët e kësaj organizate rinore janë ndjekës të pasionuar të Putinit dhe nuk e fshehin adhurimin për të. Vitin e kaluar Schlegel sugjeroi që gazetat të mbylleshin nëse dizinformonin opinionin publik dhe loboi për një kufizim të madh të sasisë së filmave të huaj që shfaqen në Rusi duke shprehur besimin se, sipas tij, shumë burime mediatike abuzojnë me lirinë e tyre.
Aleksandër Mamut, oligarku më i fuqishëm i internetit në Rusi duhet herët ose vonë të zgjedhë se cilit grup do të dojë që t’i përkasë në të ardhmen e afërt, atij të Adagamovit, apo Schlegel-it, pra aktualisht si rregullator interneti ndodhen në udhëkryqin mes blogjeve progresive dhe atyre konservatore. Në vitin 2007 Mamut, pasuria e të cilit vlerësohet të jetë 1.7 miliardë dollarë sipas revistës amerikane “Forbes”, ka blerë një sasi të madhe të aksioneve të “LiveJournal” që ofron blogje falas për përdoruesit e internetit. Thuajse gjysma e blogjeve rusë operojnë në këtë sajt blogjesh, përfshi edhe vetë Adagamov-in dhe kundërshtarin e tij.
Pyetja që lind është: në cilën anë do të qëndrojë Mamud në të ardhmen e afërt? Manjati refuzon që të japë intervista apo të prononcohet për çështjet politike. E vetmja gjë që ka thënë deri më tani ka qenë: Rusia meriton më në fund që të mësojë se si të kultivojë njerëzit dhe jo më vetëm lëndën e paeë.”
shko