e premte, 24 shtator 2010

Ish spiuni Putin

Teatri politik nuk është diçka e re dhe unike për Rusinë, por në këtë vend, hapësira mes fasadës dhe realitetit është shumë më e madhe. Dhe pikërisht stisja e fasadave prej shekujsh ka qenë një nga mënyrat e përdorura nga sundimtarët për t’i hedhur popullit hi syve dhe për t’i dhënë turmës një realitet shumë më të ndryshëm nga ai i vërtetë. 
Ish-spiuni i KGB-së, aktualisht Kryeministër i Rusisë, prej kohësh po jep shfaqje të denja për një djalosh hiperaktiv, duke dashur t’u tregojë bashkatdhetarëve dhe të tjerëve në botë, se sa në formë është, se sa shumë shqetësohet për çështjet e mjedisit, apo sa për zemër ka udhëtimet aventureske në viset e largëta të atdheut të tij të bukur. Javët e fundit, ai e ka shfaqur veten në një sërë rolesh të tillë heroikë. Së pari, si një luftëtar i vërtetë i mbrojtjes së natyrës, u bashkua me një grup natyralistësh, që ishin në ndjekje të një balene gri në Paqësorin e Veriut dhe madje, në këtë ndërmarrje aventureske, ai përdori edhe armët për ta kapur balenën, si një gjuetar i vërtetë balenash në oqean. Më pas, lideri sypatrembur u përpoq që duke marrë rrezikun në sy dhe duke drejtuar personalisht helikopterin të hidhte ujë mbi tokat ruse, të përfshira nga zjarri verën e shkuar dhe nuk kaloi shumë kohë, kur tashmë në rolin e një “njeriu të gjelbër”, ai ndërmori një udhëtim në shkretëtirë, me modelin e ri të Ladas ruse, që është shumë më pro mjedisit. 
Dhe së fundi, u takua me një panel ekspertësh perëndimorë, për të zhvilluar me ta një debat të hapur për problemet ruse të ambientit. Në fund të debatit, ata ranë dakord që Kryeministri i Rusisë ishte duke bërë me të vërtetë një punë të lëvdueshme.
Të paktën këto janë versionet zyrtare të ofruara nga televizionet ruse, të gjitha të vendosura nën kontrollin e shtetit. Realiteti, në fakt, është pak më ndryshe. Lada e Putinit, në fakt, nuk ishte e vetmja makinë që ndërmori udhëtimin në shkretëtirën e Siberisë, siç thanë mediat ruse për të nxjerrë në pah trimërinë e Kryeministrit. Në fakt, ajo shoqërohej nga rreth 100 makina policie, disa makina ambulance dhe dy Lada të tjera rezervë. Ndërsa për sa i takon forumit të debateve me ekspertët perëndimorë të mjedisit, gjithçka ishte e organizuar dhe e orkestruar nga Kremlini me ekspertë “të futur në thes”, të cilët kishin rënë më parë në një mendje me Putinin. Ndërsa për sa i takon balenës, ndjekja ishte një histori e vërtetë dhe Putin realisht qëlloi në drejtim të saj, edhe pse dështoi në shënjestër.
Teatri politik nuk është diçka e re dhe unike për Rusinë, por në këtë vend, hapësira mes fasadës dhe realitetit është shumë më e madhe. Dhe pikërisht stisja e fasadave prej shekujsh ka qenë një nga mënyrat e përdorura nga sundimtarët për t’i hedhur popullit hi syve dhe për t’i dhënë turmës një realitet shumë më të ndryshëm nga ai i vërtetë. Kështu kemi princin Grigory Potemkin, i cili shkoi në ekstrem të këtij fenomeni, duke krijuar fasada të vërteta të pikturuara me fshatra të bukur e plot shkëlqim në rrugën që do të kalonte Perandoresha Katerina e Madhe në vitin 1787. Deri në vitet ‘80, makina e propagandës sovjetike arriti që të bindte botën se Bashkimi Sovjetik shumë shpejt do t’ia kalonte Shteteve të Bashkuara për nga arritjet ekonomike dhe ushtarake edhe pse në fakt, industria dhe ekonomia e vendit ishin në pikë të hallit. Fakti është se edhe sot, në shekullin e 21, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të tij, fenomeni i Potemkinizmit është ende i gjallë dhe aktiv në Rusi dhe nuk është vetëm sipërfaqësor. Ai është një fenomen shumë i rrezikshëm. Të mendosh se Putin bën aktrime si të ishte një Xhejms Bond është ndoshta për të qeshur dhe për të bërë gallatë, por nga ana tjetër është shumë serioz fakti që për shembull, së fundi, sipas një studimi të bërë nga e përditshmja ekonomike ruse “Vedemosti”, del se media ruse është e lirë dhe e pavarur dhe se bizneset ruse janë të lumtura nga ligjet e vëna nga Kremlini.
Elita ruse beson se duke shpenzuar miliarda dollarë dhe euro në projekte shumë të shtrenjta dhe të kushtueshme e me një hapësirë shumë të madhe reklamuese ndërkombëtare, si ai ndërtimit të qendrës së skive në Sochi, me rastin e Lojërave Olimpike të Dimrit 2014, apo me ndërtimin e qytetit të ri e novator në Skolkovo në afërsi të Moskës, do të arrijë që të mbulojë situatën e rëndë dhe disfatën ekonomike që karakterizon ekonominë dhe industrinë ruse në tërësi. Në fakt, sipas një raporti të fundit të publikuar nga Ministria Ekonomikë ruse, bëhet thirrje për përdorimin masiv të propagandës të tipit sovjetik, për të bindur investitorët e huaj që të derdhin paratë në Rusi. Sepse realiteti rus, pavarësisht nga mediat e superkontrolluara nga Putin, është shumë më ndryshe nga sa paraqitet. Duke iu referuar shifrave, ekonomia e vendit është tkurrur vitin që shkoi me 8%, ndërkohë që prodhimi, nxjerrja e gazit dhe naftës ka rënë në nivelet e epokës sovjetike. Sipas specialistëve dhe analistëve të huaj, kjo situatë është e tillë, sepse mungojnë investimet e huaja dhe shkaku i kësaj mungese është situata ligjore në vendin që përpiqet të rrëfejë një tjetër realitet nga ai ekzistues. Dhe në Rusi nuk është problematike vetëm ekonomia, por në tërësi i gjithë sistemi politiko-shoqëror, në të gjitha detajet e tij duke filluar nga rënia e ndjeshme demografike që vjen si pasojë e lindjeve gjithnjë e më të pakta dhe plakja e popullsisë, e duke vazhduar me stanjacionin ekonomik dhe industrial dhe realitetin e dhimbshëm të një vendi që është duke rënë ndjeshëm në listën e vendeve në zhvillim dhe kjo thuajse në të gjitha fushat.
Sigurisht që është një vend i pasur me naftë dhe gaz dhe me këtë do të mund ta shtyjë edhe për pak kohë, por kjo nuk do të mjaftojë për ta nxjerrë nga një situatë shumë e vështirë në të cilën është futur dhe ndihet pa një rrugëdalje. Njëherazi Kremlini në mënyrë të vazhdueshme ka shpërbërë, goditur dhe asgjësuar të gjitha institucionet e vendit që mund të shndërroheshin në një sfidë të hapur ndaj vendimeve të tij. Kjo fillon që nga goditja vdekjeprurëse që i ka dhënë shtypit të lirë e deri tek asgjësimi i opozitës parlamentare, burgosja e individëve që mund të përbënin një rrezik shumë të madh për Putinin, siç është rasti flagrant dhe i rëndë i burgosjes së ish-pronarit të Jukos, Mikail Kodorkovskit. Ai rrezikon edhe shumë vite të tjera burgimi për akuza të rreme dhe të pavërtetuara vetëm se kështu do Putin dhe klika e tij. Duke folur për këtë rast, mund të përmendim edhe faktin e asgjësimit të lirisë dhe pavarësisë së prokurorisë, gjykatave, guvernatorëve, hetuesve e të tjerë eksponentë të një vendi të lirë e demokratik.
Në këto kushte shumë të rënda për një vend të madh dhe me një popull të mrekullueshëm si Rusia, e vetmja dritare e çelur prej së cilës mund të qarkullojnë lajme është interneti, ose interneti rus i njohur si Runet. Por ndërkohë, më pak se 25% e rusëve e përdorin internetin në mënyrë të rregullt, që do të thotë se pjesa tjetër vazhdon të ushqehet me propagandë dhe gënjeshtra. Lajmet e rreme e tejkalojnë në masë të madhe lajmin e vërtetë, i cili mbytet në detin e propagandës së rreme.
Potemkinizmi i shekullit XXI është një shenjë shumë shqetësuese për Rusinë moderne dhe i ngjan parullës së epokës brezhnjeviane: “Ju bëni sikur punoni, dhe ne bëjmë sikur u paguajmë”. Ajo ishte një periudhë e karakterizuar nga stanjacioni dhe shkatërrimi ekonomik dhe ndërsa kjo periudhë është duke u shfaqur sërish në Rusi, nëse vetë qeveria do të nisë të besojë në gënjeshtrat e veta, gjërat do të përkeqësohen dhe kolapsi është i pashmangshëm. Putin mund të jetë një gjahtar i mirë balenash dhe mund ta ngasë edhe Ladën po aq mirë në shkretëtirë, por në këtë moment liderët rusë po drejtojnë një makinë që është shumë larg realitetit.
shko