e enjte, 23 shtator 2010

Opinion: Si të aplikohet mësimi fetar në shkollat publike

Kujdes Shkolla!
Derisa mediat preokupohen me idenë e mësimit fetar nëpër shkollat publike që vjen si propozim nga Bashkësia Islame e Kosovës, përgjegja e kësaj pyetje mund të gjendet tek pasojat që mund të jenë katastrofale për popullin tonë.

Mësimet fetare si princip numër një e kanë fokusimin e tyre në një religjion të vetëm. Për shembull, nëse arrihet implementimi i mësimit fetar në shkolla publike siç është supozuar nga BIK-u, atëherë të gjithë nxënësit do të mësojnë vetëm për fenë Islame. Pasoja e këtij propozimi është segregimi i nxënësve sepse Kosova nuk është popull homogjen fetar dhe të gjithë ata nxënës që ju takojnë religjioneve tjera, nuk do të pranojnë të jenë pjesë e një edukimi të imponuar dhe nga kjo rezulton ndasia e nxënësve Shqiptarë nëpër shkolla të ndryshme në bazë të religjioneve që ata ju takojnë.
Mësimi fetar do të shkakton përçarje në mes popullit tonë që sigurisht do t’i gëzonte shumë armiq tanë që me shekuj u munduan ta arrijnë një qëllim të tillë, kurse ne sot po ia krijojmë vetes. Shqiptarët herët ishin në dijeni për synimin e pushtuesve në trevat tona përmes strategjisë “përçaj e sundo,” mirëpo prej Skënderbeut deri te Pashko Vasa ky problem u mënjanua duke pas parasysh se vetëm Shqiptaria, pra kombi, ishte ajo që na bashkoi të gjithë për të luftuar për të njëjtin qëllim. Gjatë një interviste në “Meet the Press” një intelektual i shquar Amerikan deklaroi se e vetmja mënyre që të shembet imperializmi Amerikan është nga vetë Amerikanët. Pothuajse e njëjta analogji vlen edhe për ne në këtë rast, ku njëra mënyrë e shkatërrimit të shtetit tonë të sapoformuar është nga vetë ne përmes implementimit te mësimit fetar në shkolla publike. 

Dr. Jonathan Romain (rabin ne Angli), në debatin me temën “Religjioni në shkolla” në Britaninë e Madhe tha se “shkolla duhet të ketë për qëllim ndërtimin e urave, por jo te krijojë barriera direkte në mes nxënësve.” Me fjalë tjera, nëse ne lejojmë mësimin fetarë nëpër shkolla publike, qëllimin e vetëm që do ta arrijmë është krijimi i një muri te padukshëm që përfundon në rritjen e nxënësve Shqiptarë në injorancë të njëri-tjetrit dhe përfundimisht fragmentimin e prindërve si pasojë tjetër!

Përveç segregimit të nxënësve, mësimi fetar po ashtu promovon pabarazi. Dr. Mohamed Mukadam, udhëheqës i shkollave fetare Islamike në Britaninë e Madhe, mbron nocionin e shkollës Islame duke mbrojtur se “feja Islame i mëson fëmijët që të respktojnë njëri tjetrin.” Të njëjtin qëllim e kanë edhe shkollat publike andaj nuk është e arsyeshme që vetëm mësimi fetar do t’i mësoj nxënësit për respektin. Mirëpo shumë prej nesh e dimë se Islami përfshinë shumë principe tjera dhe mu për këtë Dr. Mukadam nuk kishte përgjigje në pyetjen që i shtroi Dr. Dawkins, zoologjist dhe botues i disa shkrimeve shkencore me renome botërore, “se cili është dënimi që jepet në Islam në rast se një individ zgjedh ta braktisë fenë Islame?!“ 
Përgjigja që Dr. Mukadam e injoroi nuk ka nevojë për shumë hulumtim për të kuptuar përgjigjen. Për këtë arsye qeveria jonë nuk duhet të lejojë mësimin fetarë nëpër shkolla publike sepse Islami, si dhe çdo religjion tjetër, nuk të jep të drejta por imponon obligime që janë në kundërshtim me drejtat fundamentale të njeriut.







Kosova është një vend Evropian që edhe po synon vlerat demokratike për një shoqëri të barabartë me synim drejt familjes së madhe Evropiane. Ky synim do të vështirësohet shumë ngase implementimi i mësimit fetar në shkolla publike është në kundërshtim me vlerat demokratike. Bill Klinton në një intervistë për Fox News deklaroi se “demokracia nënkupton më shumë se udhëheqja e mazhorances, ajo (demokracia) përfshin gjithashtu drejtat e minoriteteve, drejtat individuale …” Prej kësaj mund të konstatojmë se nocioni që po shtjellohet në Kosovë, që tenton t’i aplikoj mësimet fetare, përkatësisht Islame, në shkolla publike është në kundërshtim me vlerat demokratike dhe si konsekuencë diskriminon ndaj çdo nxënësi që i takon një religjioni tjetër apo edhe ndaj prindërve që nuk dojnë që fëmijët e tyre të edukohen në doktrinën fetare në shkollat publike që funksionojnë nga vetë taksat e gjithë qytetarëve të këtij vendi, pa dallim feje.


Ky problem në hije duket se gjeti përkrahje edhe nga partitë politike në vend. Për shembull, para zgjedhjeve të kaluara lokale vitin e kaluar, Z. Daci, kryetar i partisë së LDD-së, i premtoi Z. Tërnava që “nëse një ligj i tillë, pra implementimi i mësimit fetarë në shkolla publike kalohet në parlament, ne nuk do ta refuzojmë.” Pra me fjalë tjera, jo se Z. Daci është ithtar i madh i Islamit, por që kishte qëllimin e fitimit te votave sepse si koincidencë votimet ishin pas muajit të shenjtë të Ramazanit, andaj z. Daci tentoi që me këtë potez politik të fitoj një simpati tek besimtarët Musliman gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, por që dështoi siç edhe treguan rezultatet.

Problemi kryesorë është se si ka mundësi që një parti politike si LDD që kërkon votat e Shqiptarëve pa marrë parasysh feje, arriti të kaloj pa ndonjë kritikë nga gazetaret tanë që pothuajse nuk kishin problem me qëndrimin e tij? Më tej, partia në fjalë nuk kishte asnjë përgjigje ndaj kërkesës sime për shpjegimin e një vendimi të tillë, asnjë prej tyre nuk kishte kohën apo ndoshta guximin t’i përgjegjej shqetësimit tim. Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre dhe herave tjera një qëndrim i tillë duhet të trajtohet më me shumë kujdes nga mediet dhe duhet të zgjojë më shumë interes tek publiku i gjerë. Para se gjithash, qeveria aktuale në pozitë si dhe gjithë partitë tjera në vend duhet ta pushojnë këtë kapitull njëherë e përgjithmonë duke u deklaruar publikisht se Kosova nuk ka vend për mësimin Islam nëpër shkolla publike.
Ky mesazh nuk është në asnjë mënyrë kërcënim apo fyerje ndaj Islamit apo çfarëdo religjioni tjetër. Qëllimi i këtij shkrimi është se religjioni duhet të mbetet personal mbi gjitha dhe jo t`u imponohet nxënësve në shkolla publike sepse ata që dojnë të besojnë dhe t’i praktikojnë besimet e tyre e kanë këtë mundësi nëpër gjithë ato objekte fetare në gjithë vendin, kurse ata që synojnë t’i edukojnë fëmijët e tyre në doktrina fetare, gjithashtu i posedojnë Medresat dhe Kishat që po ashtu ofrojnë një mundësi të tillë.

Me tej, ky shkrim nuk tenton që të ndalojë studimin e religjioneve, përkundrazi, mendoj që është e rëndësishme të studiohen të gjitha religjionet qe kane gjithë atë rëndësi historike ku edhe populli Shqiptarë është pjesë e saj. Sidoqoftë, ky studim duhet të ju ofrohet nxënësve në mënyrë akademike siç edhe aplikohet në shumë shtete perëndimore ku nxënësit ju ekspozohen studimeve të ndryshme fetare përmes shkencave shoqërore siç është filozofia, apo lëndëve që njihen sikur “religjionet botërore.” E njëjta mënyre është aplikuar ne shkollën e mesme “Modeste” në Kaliforni të SHBA-ve ku lënda “religjionet botërore” është obligative për studentët. Kjo ide ka fituar përkrahje nga shumë akademik dhe njëri prej tyre është Stephen Prothero i cili botoi librin “Literatura fetare” ku thotë se, “literature fetare është fuqi politike qe ndihmon zhvillimin e demokracisë.” Me fjalë tjera, Z. Prothero dëshiron që nxënësit të studiojnë literaturën fetare për religjionet e ndryshme botërore që ndihmojnë nxënësit në kuptimin e besimeve tjera, në respektimin e kulturave të ndryshme, si dhe ngritjen e vetëdijes së studentëve.
Pra, mësimi fetar në shkollat publike duhet të aplikohet vetëm në mënyrë akademike ku nxënësit ekspozohen ndaj religjioneve dhe kulturave te ndryshme përmes shkencave shoqërore ku kanë mundësi ti debatojnë dhe analizojnë argumentet fetare, por implementimi i mësimit fetar që ofrohet nga Bashkësia Islame duhet të shuhet si ide nga institucionet tona sepse në rast të implementimit të një propozimi të tillë si rezultat do të prodhojmë segregimin e nxënësve që do të rriten në injorancë të njëri-tjetrit, do t’i përçaj prindërit, dhe është një sulm i vlerave fundamentale demokratike. Mediet duhet të përqendrohen më shumë në probleme të tilla dhe pasojat që mund të rrjedhin si pasojë sesa të ofrojnë lajme sensacionale siç është mësimi fetarë që vetëm po krijojnë urrejtje e përçarje në mesin tonë.
Përfundimisht, religjioni i ndanë edhe të vdekurit që ranë për këtë vend, por ne nuk duhet ta lejojmë që t’i ndajë edhe të gjallët. Për shumë shekuj armiq të ndryshëm tentuan ta përçajnë popullin Shqiptarë por nuk ja arritën, kurse tani ideja për aplikimin e mësimit fetarë nëpër shkolla publike do të na shpie drejt kapitullimit të shtetit tonë nga brenda, ndryshe thënë nga vetë ne. Ta përcjellim amanetin e atyre që luftuan për këtë vend ku gjaku i tyre ende është i freskët në tokat tona dhe faqet e nënave ende janë të përlotura për të gjithë trimat dhe trimëreshat që bartën shqiponjën dykrenore që i bashkonte për një qëllim të vetëm, Lirinë e Shqiptarëve pa dallim feje, që Ne sot të gjithë e gëzojmë.

Opinionist i ©TopLajm-it



shko