e diel, 12 shtator 2010

Verzioni shqip i 9/11

Në fillim të viteve ‘90, kur shkova për herë të parë në SHBA, një ditë tek barisja në një nga stacionet e metrosë së Nju Jorkut, më kapi syri një pllakat të madh që më tërhoqi vëmendjen. Ishte monumenti i Leninit rrëzuar përtokë, kapur pas qafe me litar dhe nën të me shkronja të mëdha fjalët: “Nuk ka perandori të përjetshme”. Miku që më shoqëronte e vuri re habinë time kalimtare dhe duke soditur edhe ai pllakatin, me gjysmë buzagaz më pyeti: “Pse a nuk është kështu?” “S’ka dyshim që kështu është, - iu përgjigja. - Asnjë shtet apo sistem shoqëror nuk i shpëton dialektikës së historisë.” Miku im, një malësor nga veriu i Shqipërisë, i ardhur që i ri në SHBA dhe i dashuruar e krenar pas atdheut të dytë, nuk e ngau më tej bisedën. Por më pas, kur erdhi treni dhe u ulëm në vagon, ndërsa unë isha akoma nën përshtypjet e pllakatit, krejt padashur e pyeta mikun tim, thuajse me një ton qesëndisës: “Po perandoria juaj a është e përjetshme?” Ai hapi sytë dhe ma ktheu menjëherë: “Pasha Zotin, s’ka zog nane që e trand Amerikën!”
Me kaq biseda për pllakatin u mbyll dhe s’kish arsye ta ngisnim më. Pllakati simbolikisht tregonte tek e fundit një realitet të pamohueshëm. Ishte koha kur sistemi komunist në Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore kishte rënë. SHBA-ja tani, s’kish asnjë dyshim, ishte superfuqia e vetme e botës.

Pas afro dhjetë vitesh, në shtator të vitit 2001, unë u ndodha përsëri në SHBA. Kisha shkuar bashkë me regjisorin Viktor Gjika për të bërë një film dokumentar kushtuar historisë së shqiptarëve të Amerikës. Ishin ditë të mbushura me punë, sepse s’ishte e lehtë të rrokje dhe të përmblidhje në një film gjithë jetën nëpër vite të komunitetit shqiptar në SHBA, që përbënte një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Ndaj ishim në kërkim të personazheve, të dokumenteve dhe të relikteve që lypte vepra jonë dokumentare. Në skenar unë kisha vënë një personazh tepër interesant dhe atraktiv. Ishte fjala për shqiptarin Rrok Camaj nga Malësia e Madhe, që prej disa vitesh punonte në një nga kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ai kryente punën më të vështirë dhe më të rrezikshme atje: i lidhur me litarë qëndronte varur mbi katet e njëqinda dhe fshinte xhamat dimër e verë. Guximi i pashoq i Rrokut kishte tërhequr edhe vëmendjen e mediave vendase e të huaja, të cilat e kishin pasqyruar në kronikat e tyre. Unë e kisha njohur Rrokun. Ishte një burrë i qetë dhe modest, ndaj nuk e pata të vështirë të lidhesha me të në telefon për filmin tonë. Do të qe një gjë e bukur dhe tepër kuptimplotë që imazhi i tij i rrallë në sfondin e kullave të xhirohej prej nesh për të treguar se në ç’lartësi është ngjitur shqiptari në SHBA. Rroku zemërmadh nuk pati asnjë mëdyshje, përkundrazi u tregua i gatshëm. “Ç’ka po thue, bre burrë, - më tha në telefon, - këtu më kini, në katin e njëqind e pestë, ju pres të martën në ora 10.00”.
E marta binte 11 shtator. Ne mezi e prisnim këtë takim, sidomos Viktori, që nuk kish shkelur ndonjëherë te kullat. Atë mëngjes, kur u nisëm për atje, ishte një ditë vjeshte që ndillte vetëm paqe dhe dëshirë për punë. Udhëtonim me makinë nëpër rrugët e drejta të Manhatanit, duke dëgjuar muzikë të gëzuar në radio. Nuk di sa vazhdoi kështu, kur për një çast muzika ndali dhe në vend të saj jehuan disa zëra të çuditshëm si klithje dhe thirrje alarmuese plot potere. Ne nuk po kuptonim asgjë, veçse Ademi që ngiste makinën e ndali atë përnjëherë dhe doli prej saj. Ndërkaq nëpër rrugë ishte krijuar një situatë që nuk përshkruhej dot. Njerëz që vraponin, makinat që thuajse përplaseshin me njëra-tjetrën, një zhurmë e llahtarshme që s’përcaktohej dot se nga vinte. Vetëm kur dolëm nga makina pamë tmerrin që po ndodhte. Atë çast aeroplani i dytë po i binte kullës tjetër. Nuk deshëm t’u besonim syve, ishte si një ëndërr e përbindshme që shihej me sy hapur. Truri na kishte ngrirë, gjuha na qe lidhur, kishim shtangur në vend. Nuk di çfarë fytyre tjetër mund të kishte apokalipsi më shumë se ajo çka po ndodhte para nesh. Për një grimë herë nuk di se pse më shkoi mendja te Rroku. Mendova për fatin e tij tragjik. Ku veç atje, te kulla e parë, në një nga katet më të larta, ai do të ishte paraqitur si çdo ditë, po kësaj here dhe me dëshirën se do të priste dy vëllezër nga Shqipëria. Tani kjo dëshirë i qe vrarë aq mizorisht, ashtu siç e kishte pësuar edhe ai vetë.
Morëm të kthehemi, por gjithë rrugët ishin të mbyllura. Forcat e sigurisë kishin zënë të gjitha shtigjet e daljes nga Manhatani. Asgjë veç asaj që kishim parë nuk na shpjegonte se ç’kishte ndodhur. Një gjë ishte e qartë, se qe kryer një krim i llahtarshëm, i pangjarë, një atentat i pabesë që e kalonte çdo lloj përfytyrimi. Se kish mjaftuar vetëm një çast që e keqja të kish triumfuar mbi të mirën. Bota dhe progresi kishin ndalur frymën në këto momente tragjike.
Ditët që erdhën më pas nuk qenë të lehta, qyteti më vital dhe më dinamik i botës sikur qe gjunjëzuar dhe lëshuar. Në këto orë dramatike shteti u gjend thua krejt i papërgatitur. Befasia dhe pabesia e kishin goditur keq, aq sa nuk dihej se ku gjendeshin krerët kryesorë të shtetit. Vetëm në mbrëmjen e ditës tragjike u dëgjua zëri fisnik, gjithnjë i mençur dhe realist i kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani, që do të shqiptonte para gazetarëve: “Që sot Amerika s’ka për të qenë më ajo që ishte!” Por Nju Jorku i hutuar e i mekur do të dilte shpejt nga kjo gjendje, që ditën e dytë e akoma më shumë në ditët që pasuan. U zgjua Amerika e vërtetë. Nëpër ballkone e dritare shtëpish, në sheshe dhe në institucione u ngritën mijëra flamurë kombëtarë. Makina pa fund dolën nëpër rrugë duke u rënë borive dhe duke tundur flamujt. Dëgjoheshin thirrje plot pezëm dhe hakërrim për gjithë ç’kish ngjarë. Vala e patriotizmit dhe krenarisë kombëtare kish pushtuar qytetin-mëmë të botës, siç e quante Noli Nju Jorkun. Nëpër ekrane jepej videoklipi i famshëm i regjisorit shqiptaro-amerikan Sten Dragoti, kushtuar qytetit të tyre të pashoq. Ditën e tretë doli para Kongresit amerikan Xhorxh W. Bush dhe foli. Gjithë kanalet televizive dhanë fjalën e tij. Unë e Viktori u ndodhëm në një nga lokalet ku qenë mbledhur njerëzit dhe dëgjonin fjalimin e kreut të shtetit. S’kisha parë atmosferë më të ndezur. Njerëzit dëgjonin dhe thërrisnin e duartrokisnin, ngriheshin në këmbë. Ishte një manifestim i gatishmërisë së tyre totale për t’i dalë zot vendit, atdheut të përbashkët që kish ngritur në piedestal punën, demokracinë dhe ligjin. Unë i ndiqja me emocion e durim dhe nuk doja ta besoja atë çfarë kish ndodhur tri ditë më parë. Kjo ishte forca e vërtetë e Amerikës. Pjesë e kësaj force qenë dhe shqiptaro-amerikanët. Një mbledhje e madhe u organizua të nesërmen prej tyre. Do ta merrnin fjalën burra e gra, intelektualë e malësorë, ish-luftëtarë të UÇK-së. Fola dhe unë, u solidarizova shpirtërisht dhe mendërisht, e quajta atë që ngjau një akt të pabesë e aspak burrëror, një dhunim që i bëhej paqes dhe qytetërimit. Në këtë mbledhje të gjithë u ngritëm në këmbë dhe u bëmë homazhe shqiptaro-amerikanëve që kishin dhënë jetën te kullat binjake, ku mes tyre dallonte emri i Rrok Camajt, një prej heronjve të dëshiruar të filmit tonë, që nuk arritëm ta xhironim. Por, ndërkaq, ishim të ndërgjegjshëm se Rroku dhe shokët e tij, me vdekjen e tyre, ishin bërë pjesë e tragjedisë heroike të 11 shtatorit dhe kishin hyrë tashmë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Rroku qe nderi dhe dhimbja jonë e përbashkët.
Në mbrëmje, pas mitingut, kur u mblodhëm në lokalin e një shqiptari në Bronks, miku im, që më kish pritur në fillim të viteve ’90, dhe së bashku kishim diskutuar për pllakatin e Leninit, në bisedë e sipër u tregoi të pranishmëve ngjarjen e atëhershme. Pas fjalëve të tij, një heshtje e tendosur do të qëndronte varur si pyetje. Një pyetje e vështirë, që lypte mençuri dhe kurajë për t’iu përgjigjur. U desh të prisnim një nga burrat, ndoshta më i urti në mes nesh, që të fliste: “Amerika nuk vdes kurrë, - tha ai i menduar, - pushtetet po, ato nuk janë të përjetshme. Kullat binjake të rrëxueme kallëzojnë sa syçelur duhet të jetë shteti që mendon dhe punon për njerëzit”.
shko