Djemve u ndryshon zëri në moshën 11-vjeçare, vajzave u zhvillohet gjoksi kur mbushin 8 vjeçe. Përse në pjesën më të madhe të botës puberteti po shfaqet gjithnjë e më herët? Një grup shkencëtarësh danezë po përpiqen të gjejnë përgjigjen
Në dhjetor të 2003-shit, gazeta e Kopenhagës “MetroXpress” publikoi një artikull kushtuar vështirësive të “Sank Anne gymnasium”, liceu i kantos i kryeqytetit danez i famshëm në të gjithë botën. Për herë të parë, që nga themelimi i saj më 1924-n, kori i shkollës nuk arrinte të gjente mjaftueshëm djem 12 - 13-vjeçarë për t’i dërguar në turneun e saj vjetor në Shtetet e Bashkuara. Udhëtimi do t’i jepte fund formimit muzikor të djemve, të cilët ishin përzgjedhur që në moshën 8-vjeçare. Problemi ishte i thjeshtë, por i pakapërcyeshëm: në krahasim me të kaluarën, zërat e djemve ndryshonin më herët se ç’duhej. Kori kishte nevojë për soprano, por sopranot po bëheshin tenorë.
Kjo histori tërhoqi vëmendjen e profesor Niels Skakkebaek, që në atë kohë drejtonte departamentin e rritjes dhe riprodhimit në spitalin universitar të Kopenhagës.
Për Skakkebaek ky ishte një rast i madh. Ekipi i tij, që përbëhej nga pediatër endokrinologë, specialistë për gjëndrat dhe hormonet, kishte vënë re një rritje të jashtëzakonshme të numrit të fëmijëve me shenja të parakohshme të pubertetit. Historia e korit koincidonte me atë që studiuesit po vërenin, në veçanti rritja e vazhdueshme e numrit të vajzave që po u zhvillohej shumë herët gjoksi, në disa raste që në moshën 6-vjeçare. Studiuesit donin të dinin nëse kishte një lidhje mes asaj që shihnin në klinikë dhe asaj që po ndodhte në shkollën e korit. Në vitin 1997 studiuesit kishin vënë re një zhvillim të parakohshëm të pubertetit në Shtetet e Bashkuara dhe tani kërkonin të dinin nëse kjo tendencë ishte përhapur edhe në Europë.Departamenti i Skakkebaek, i themeluar para 20 vjetësh, zë dy kate të spitalit universitar të Kopenhagës. Në krahasim me repartin pedriatik, që ndodhet në anën tjetër të korridorit, është një oaz qetësie. Në një sallë mbledhjesh, një grup shkencëtarësh diskutojnë rreth një studimi të ri për spermën mashkullore. Në dhomën përballë, një fëmijë që po merr pjesë në një projekt studimi, është i shtrirë mbi një shtrat dhe po i bëhen disa analiza gjaku.
Skakkebaek, që sot është 60 vjeç, ia ka lënë vendin Anders Juul, një endokrinologu me flokë të rëna. “Mendonim se puberteti i parakohshëm ishte një problem amerikan dhe se kishte të bënte me stilin e jetesës përtej oqeanit: hormonet e përdorura për prodhimin e mishit, obezitetin, njerëzit që kalojnë shumë kohë përpara televizorit ose internetit. I ripërsëritëm studimet që kishim bërë në vitin 1991, për të parë se si fenomeni po shfaqet edhe te ne”.
Gjatë dy shekujve të fundit, në Perëndim fillimi i moshës së pubertetit është spostuar prapa. Në korin e “Lipsia”-s drejtuar nga JS Bach në fillim të viteve 1700, mosha mesatare e ndryshimit të zërit që karakterizon pubertetin mashkullor, ishte rreth të tetëmbëdhjetave. Në mes të shekullit XVIII-XIX, mosha mesatare e ardhjes së menstruacioneve të para të vajzave, në Shtetet e Bashkuara dhe Europën Veriore, ishte ulur nga 17 deri në 14 vjeç. Ndërsa mosha mesatare e martesave rritej, mosha e pjekurisë seksuale zvogëlohej. Kjo tendencë, që në pamje të parë mund të duket një kontradiktë evolutive, ka një logjikë: qeniet njerëzore riprodhohen kur gëzojnë shëndet të plotë. Me ndryshimin e ushqimit dhe kujdesit shëndetësor, mosha e pubertetit ishte ulur. Që nga viti 1950 e në vazhdim tendenca ishte stabilizuar. Në vitin 1950, një pediatër britanik, doktor James Tanner, përdori një sistem për të zbuluar pesë fazat e pubertetit te djemtë dhe vajzat. Duke u bazuar te 20 vjet studime të kryera te një institut fëmijësh në Herdforshire, Tanner arriti në përfundimin se mosha mesatare e zhvillimit të gjoksit, si rregull shenja e parë e pubertetit për vajzat, ishte 11 vjeçe e gjysmë. Te djemtë puberteti shfaqej me trashjen e zërit dhe fillonte rreth moshës 11 vjeç e dy muaj. Mënyra e Tanner u bë pikë referimi për të gjithë studiuesit në botë.
Në vitin 1997, një grup studiuesish amerikanë publikoi një studim të kryer te 17 mijë vajza, që shfaqte një devijim të papritur në moshën e pubertetit. Autorja, profesoresha Marcia Herman-Giddens, kishte zbuluar se mosha mesatare e pubertetit te vajzat e bardha ishte ulur nga 9, në 7 vjeçe. Mes afro-amerikaneve tendenca ndryshonte: vajzat e arrinin pubertetin në moshën 8-vjeçare. Disa të tjera sapo kishin mbushur 6 vjeç, një vit pasi fillonin shkollën. Rezultatet ishin kontradiktore. Kishte probleme metodologjike: vajzat i ishin drejtuar një klinike mjekësore, por për shkencëtarët nuk ishin “kavje të rëndësishme”. Studiuesit nuk i kishin ekzaminuar vajzat ashtu siç duhej, thjesht ishin bazuar te pamja e jashtme e zhvillimit të gjoksit. Nuk u kishin bërë analiza mjekësore. Shumë vajza ishin obeze dhe dukej sikur e kishin gjoksin të zhvilluar. Në vitin 2002, një studim i dytë dha rezultate të ngjashme: gjoksi fillonte të zhvillohej një ose dy vite më herët në krahasim me moshën e treguar nga studiuesi Tanner. Nëse gjoksi zhvillohej i pari, nuk kishte dyshim që vajzave u kishin ardhur edhe menstruacionet. Sipas Herman-Giddens, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkalla e Tanner duhej riparë edhe një herë me kujdes.
Këto zbulime tronditën botën e endokrinologjisë dhe i hapën rrugë një vale të re studimesh. Kështu, kur Skakkebaek lexoi artikullin e “MetroXpress” kontaktoi menjëherë shkollën e muzikës së Kopenhagës. Me shumë kënaqësi ai dhe stafi i tij zbuluan se shkolla kishte fshehur në mënyrë të paskrupullt gjatësinë dhe peshën e fëmijëve. Zërat e tyre dëgjoheshin çdo javë, në mënyrë që të gjendej se ku fshihej gabimi. Prindërit dhe fëmijët pranuan se të dhënat ishin përdorur për skupe shkencore dhe rezultatet u publikuan në vitin 2006.
“Zbuluam se në harkun kohor të dhjetë viteve, zërat e fëmijëve ndryshonin pothuajse katër muaj më herët”, shpjegon Juul në zyrën e tij, i rrethuar nga një mori dokumentesh dhe revistash mjekësore. “Sa më shumë që djemtë i afroheshin moshës 8-vjeçare, aq më shumë u ndryshonte edhe zëri”.
Një doktoreshë tjetër e departamentit, Lise Aksglaede, filloi të studionte moshën e zhvillimit të gjoksit te vajzat daneze. Ajo arriti të bindte prindërit dhe mësuesit që në studimin e saj të merrnin pjesë rreth një mijë vajza. Rezultatet e publikuara në maj të 2009-s janë të parat në llojin e tyre në Europë dhe tregojnë se në 15 vjet mosha e zhvillimit të gjoksit në Danimarkë, është ulur me një vit, nga 10.8 që ka qenë më 1991-shin, ka arritur në 9.8 më 2006-n. Po ashtu edhe menstruacionet e para shfaqen tre muaj më herët.
“Do të kishte qenë shumë domethënëse të zbuloje se në një hark kaq të shkurtër kohor ‘fluksi i parë i menstruacioneve’ vjen tre muaj më herët”, thotë Aksglaede. “Por fakti që gjoksi fillon të zhvillohet një vit më herët, është një ndryshim shumë i rëndësishëm. Mendoj se po ndodh diçka në të gjithë popullsinë. Mos vallë pas 15 vjetësh vajzave do t’u rritet gjoksi dy vjet më herët se zakonisht? Ky është një fenomen shumë alarmues, sepse nuk e dimë nga se shkaktohet”.
Në janar të 2010-s departamenti publikoi një studim tjetër për vajzat daneze. Në atë studim tregohej se në 15 vjet mosha e pubertetit ishte ulur me tre muaj e gjysmë, duke konfirmuar rezultatet e studimit të bërë te djemtë e korit. Në Kinë, një studim i vitit të kaluar ka nxjerrë në dritë moshën mesatare më të ulët të regjistruar ndonjëherë për zhvillimin e gjoksit, 9.2 vjeçe. Disa studime holandeze dhe italiane kanë shfaqur ngjashmëri me zbulimet e studiuesve danezë për meshkujt.
Të bashkëjetosh me testosteronin
Fjala pubertet vjen nga latinishtja “pubertate”, që do të thotë moshë e pjekurisë. Në të kaluarën puberteti (procesi i pjekurisë seksuale) dhe adoleshenca (procesi i zhvillimit psikologjik) koincidonin me njëri-tjetrin. Sot nuk është më kështu. Mospërputhja mes pjekurisë fizike dhe psikologjike nuk ka qenë kurrë kaq e madhe.
Doktor Richard Stangope, një pediatër i famshëm endokrinolog britanik, që ka punuar për 24 vjet në “Great Ormond street hospital for children”, thekson se ky ndryshim paraqet një sfidë dramatike. Ai mendon se fëmijët me një pubertet të parakohshëm shkojnë kundër një seksualizmi të parakohshëm dhe janë shumë fëmijërorë për të përballuar pasojat. Janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të abuzimeve seksuale, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënive të parakohshme. “Zhvillimi seksual i fëmijëve nis shumë herët”, shpjegon Stanhope. “Fizikisht janë gati për riprodhim seksual, por mendërisht janë totalisht të papërgatitur”.
Studimet tregojnë se adoleshentët me një pubertet të parakohshëm janë më të ekspozuar ndaj sjelljeve të rrezikshme, si për shembull marrja e substancave narkotike, konsumimi i tepërt i alkoolit dhe kryerja e krimeve. Një rritje e parakohshme e testosteronit mund t’i bëjë agresivë djemtë. “Të gjithë e dimë se është e vështirë të mësosh të bashkëjetosh me testosteronin”, thotë Stanhope, duke përplasur mbi tryezë stilolapsin. “Nëse rritja e testosteronit nuk koincidon me moshën fiziologjike normale, problemi është edhe më i madh”.
Një studim i publikuar më 2010-n në “Australian and New Zealand Journal of Criminology” thekson se edhe vajzat që futen para kohe në moshën e pubertetit shfaqin shenja agresiviteti. Në Britaninë e Madhe, debati i kohëve të fundit për seksualitetin e tepruar të të rinjve e ka larguar vëmendjen nga lajmi i hidhur që fëmijët sot piqen para kohe seksualisht. Të ngrihesh kundër firmave që prodhojnë reçipeta me mbushje për vajzat e vogla shtatëvjeçare, kjo është krejtësisht normale, megjithatë vetëm kjo nuk do të mjaftonte për t’i futur në shina vogëlushet, të cilat nuk kanë asnjë faj për këtë. Problemi është se si do t’ia bëjmë për të përballuar faktin që në moshën shtatëvjeçare disa vajzave fillon t’u rritet gjoksi.
Sipas “Cancer research”, një vajze që i vijnë menstruacionet një vit më vonë në krahasim me bashkëmoshataret e saja, është pesë herë më pak e rrezikuar që të zhvillojë kancer në gji. “Mund të jetë një lidhje domethënëse edhe me tumorin në vezore”, thotë Stanhope. “Sa më shpejt t’i vijnë menstruacionet një vajze, aq më shumë është e ekspozuar ndaj estrogjenit dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për tumoret që varen nga estrogjeni. Rritet rreziku i tumorit në gji dhe në vezore, po ashtu shtohet edhe rreziku për të pasur probleme kardiovaskulare”.
Vajzat që hyjnë para kohe në moshën e pubertetit janë të prirura të zhvillojnë diabetin e tipit 2. Një studiues norvegjez, që ka ndjekur 61 mijë femra për 37 vjet me radhë, tregon se ato që janë zhvilluar 10 ose 11 vjeçe, kanë një shkallë vdekshmërie 10 për qind më të lartë në krahasim me vajzat që u kanë ardhur menstruacionet katër vjet më vonë.
Rreziqet për meshkujt janë më pak të dukshme. Stanhope i fton kolegët studiues të studiojnë lidhjet e mundshme mes pubertetit të parakohshëm të djemve dhe tumorit në prostatë. Veç të tjerash, studiuesja është e shqetësuar për vuajtjen psikologjike të djemve: puberteti i parakohshëm nuk është ende normal dhe gjithçka që largon fëmijët nga bashkëmoshatarët e tyre, shpjegon ajo, ua bën jetën më të vështirë.
Hayley Smith, që është 14 vjeçe, e di mirë se për çfarë bëhet fjalë. Gjoksi filloi t’i rritej kur ishte pesë vjeçe. Një vit më vonë i erdhën menstruacionet. Çdo muaj i duhej të duronte shqetësimet e periodave, kishte ndryshime të humorit, dhembje koke dhe gjakrrjedhje, ndërkohë që mësonte të shkruante dhe të lexonte. Çdo muaj mungonte në shkollë tri ose katër ditë.
Vajzat rriten shumë gjatë kohës kur u vijnë menstruacionet e para (për djemtë, pesha dhe gjatësia rriten në fazën finale të pubertetit). Prandaj, në moshën gjashtëvjeçare Hayley ishte më e gjatë se shoqet e saj të klasës. Uniforma e shkollës i rrinte ngjitur pas trupit. Numrin e këmbës e kishte 35. Edhe pse shkolla dhe shoqet e shokët e klasës e mbështesnin, disa fëmijë të tjerë e bezdisnin jashtëzakonisht. Si të mos mjaftonte kjo, Hayley ishte viktimë e armiqësisë së disa prindërve, të cilët i frikësoheshin asaj vajze me trup adoleshenteje. “U thoshin fëmijëve të mos luanin me mua”, tregon Hayley. “Unë vuaja. Doja të isha si miqtë e mi dhe ndihesha e përjashtuar. Kishte raste që nuk doja të shkoja në shkollë”.
Fati i Hayley ishte se e ëma, një punonjëse e shërbimit shëndetësor, një grua zonjë dhe shumë e përgatitur, e kuptoi menjëherë se për çfarë bëhej fjalë. I bleu vajzës një libër me figura për t’i treguar se çfarë po ndodhte me trupin e saj, bisedoi me prindërit e fëmijëve që e përçmonin, ua bëri të ditur situatën mësuesve dhe luftoi për të pasur një diagnozë nga mjekët, të cilët nuk u besonin syve. “Ka qenë një periudhë e tmerrshme”, thotë e ëma e Hayley. “Kishte shumë injorancë rreth e rrotull. Hayley trajtohej sikur të ishte monstër. Nuk ka pasur një fëmijëri si gjithë të tjerët”. Mamasë së Hayley iu desh të përballej me shumë paragjykime në familje: një i afërm hidhte hipoteza se zhvillimi i parakohshëm i vajzës ishte shkaktuar nga abuzimet seksuale.