“Me PDK-ën në asnjë mënyrë nuk do të hyjmë në koalicion për ta formuar qeverinë e ardhshme”, ka deklaruar Isa Mustafa.
Kryetari i ri i LDK-së ka thënë se me PDK-në nuk do të hyjnë në koalicion edhe nëse ajo kërkohet për çështjet madhore.
Mustafa në emisionin Rubikon të KTV-së ka deklaruar se koalicioni i kaluar me PDK-në nuk ka funksionuar sepse, sipas tij, në atë koalicion ndarja e pushtetit nuk ka qene e drejtë mes partnerëve.
Por Mustafa është shprehur pesimistë se partia e tij do ketë koalicione parazgjedhore me partitë e tjera.
Ndërkohë për sa i përket listës “LDK Ibrahim Rugova” ai nuk ka dashur të flasë shumë, duke u arsyetuar se nuk ka informacione, por ka theksuar se do të takohet për të shikuar mundësinë e ribashkimit.
Ai deklaruar se LDK-ja synon postin e kryeministrit të vendit nëse ata fitojnë zgjedhjet.
Mustafa në emisionin Rubikon ka deklaruar se ata nuk do të hyjnë në koalicion nëse ata nuk marrin postin e ekzekutivit të vendit. Mustafa ka thënë se nëse LDK-ja mbetet si forcë e dytë atëherë kjo parti do të mbetet në opozitë, pasi që sipas tij do të mund të kontribuonte më shumë për vendin.
I pari i LDK-së ka thënë se lista për zgjedhjet do të jetë gati për dy ditë dhe ka premtuar se do të ketë ndryshime të mëdha./koha