e premte, 31 dhjetor 2010

Edita Tahiri, presidente?!

Nuk ndalen kalkulimet brenda subjekteve politike për krijimin e institucioneve të pritshme të Kosovës, që do të duhej të dalin nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit. PDK-ja dhe
kreu i saj, sidomos, që me çdo kusht duan ta udhëheqin Kosovën edhe për një mandat katërvjeçar, janë duke bërë përpjekje dhe llogari natën dhe ditën për të lidhur aleanca, koalicione, miqësi të reja, vetëm e vetëm të sigurojnë edhe një mandat në pushtet.
Paralelisht me përpjekjet për të gjetur partnerë për  koalicione për Qeverinë, kreu i PDK-së dhe kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk rresht së llogarituri e së kalkuluari edhe emrat për president të mundshëm të Kosovës.
Sipas burimeve të sigurta brenda PDK-së, por që në asnjë mënyrë nuk duan të bëhen publikë, së fundi, Thaçi po llogarit seriozisht që kandidate potenciale për presidente të Kosovës të jetë Edita Tahiri, lidere e ADK-së, e cila, kaherë, bashkë me partinë e vet është në koalicion me PDK-në.
Sipas këtyre burimeve, Thaçi po llogarit shumë seriozisht në këtë kandidate, pasi që, në një farë mënyre AAK-ja ka çuar sinjale të sigurta se nuk do të futet në koalicion dhe pasi kanë dalë në shesh rezultatet e votimeve  për AKR-në, dhe pasi që është parë se kjo parti  lideri i saj, Behgjet Pacolli, kanë marrë fare pak vota. Madje, sipas këtyre burimeve, po të mos ishte partia e Drejtësisë e Ferid Aganit, AKR-ja, me votat e fituara as që do të siguronte pragun e domosdoshëm.
Në këtë mënyrë është zvogëluar shumë  mundësia që Pacolli të mbetet pretendent për kreun e shtetit, edhe në rast të variantit të mbetur për koalicion të pritshëm PDK-AKR dhe minoritarët.  Thaçi, siç theksojnë brenda PDK-së, sado që e do Pacollin për president për shkak të lojalitetit të tij,  megjithatë nuk do president me legjitimitet të kontestuar (për shkak të numrit të pakët të votave).
Ndërsa, Edita Tahiri, sipas kalkulimeve të Thaçit, pos lojalitetit të dëshmuar deri më tash ndaj partisë në pushtet e sidomos ndaj liderit të saj, do të ishte edhe më e pranueshme edhe për subjektet e tjera politike, për çka shpresohet që më lehtë do ta kishte edhe kocensualitetin e spektrit politik kosovarë për te.
Burimet theksojnë se Thaçi tashmë e ka “kartë nën mëngë” Edita  Tahirin për kandidate për presidente dhe këtë kartë ka nis ta shpërfaqë aty-këtu para bashkëpunëtorëve të vet. /koha
shko