e martë, 28 dhjetor 2010

Fushë-Krujë – Ja ‘klinika’ e dytë fantazmë e Marti & Del Ponte


ZBULIMI/ Ka qenë dikur repart i njohur ushtarak. Sot është një godinë, pronë e disa vëllezërve të dënuar për vrasje dhe në mëshirën e motit. E vetmja gjë që e lidh
me raportin e Dick Marty-t është strehimi në të për pak muaj i refugjatëve kosovarë…
Lecka të mbetura, zhelurina, shishe plastike të kahershme, suva të rëna dhe tulla të marra, të pëgëra ngado, korniza dyersh dhe dritaresh të shqyera dhe zgara hekuri të ndryshkura. “Dikur ishte dhe një roje, por tashmë s’kemi më para për ta mbajtur”, na thotë Marjana, e shoqja e njërit prej pronarëve të këtij objekti, një kompleks ndërtimesh ushtarake të socializmit me një fushë futbolli përpara. Objekti, i lokalizuar në fshatin Derven, pranë Fushë-Krujës, dikur qendër rezervistësh dhe në afërsi të një reparti kundërajror, është një nga evidencat e pretenduara të raportit të Dick Marty-it në Shqipëri për trafikimin e organeve.
 Në kushte ideale, kur kjo mund të bëhej, e vetmja gjë që e lidh me të vërtetën e supozuar të raportit, është afria gjeografike me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Kurse i vetmi hamendësim rreth shtëpisë, atje ku ndodhet (katër ose pak më shumë kilometra nga Fushë-Kruja), është se ajo u bë bazë strehimi për 1500 banorët e shpërngulur kosovarë në kohën e Luftës së Kosovës. “Mundësinë e trafikut të organeve, e kam marrë vesh vetëm nga ju, flet kryeplaku i fshatit Shefqet Rexhepi dhe as nuk ma ka marrë mendja se mund të bëhej kjo. Ca më shumë aty në atë vend. 
Gjithçka tjetër do ishte më e besueshme se kjo”… . E njëjta gjë është edhe për pronarët e saj në liri, që tashmë i përfaqësojnë vetëm pak gra. Asnjëherë nuk e kemi çuar nëpër mend, flasin dhe nga mënyra sesi tregojnë u duket njësoj e largët, sikur u flet për pjesëmarrje në ndonjë garë rally. “Mezi e përballojmë jetën, e kjo na duhej, por kjo e kalon imagjinatën”, më sqaron gruaja, burri i të cilës është duke kryer burgimin e gjatë, për akuzën e vrasjes. Një i afërm i të shoqit i rri pranë dhe në pritje të çdo pyetje. Gjithçka e kanë dëgjuar nga lajmet për Karla del Ponten, e askurrë se kanë menduar se mund të bëhej në pronën e vëllezërve, që veç kosovarëve, nuk u fut as edhe njëherë të vetme në punë…
Historia e repartit
E vetmja punë e kësaj godine, tipik ndërtim kubik i kohës së komunizmit, ka qenë kur ishte repart ushtarak. Historia e tij pas viteve ’90 lidhet me privatizimin që iu bë nga gjashtë vëllezërit Gjokeja, të fshatit Derven. Pjesë e atyre shqiptarëve që nisën të punonin me ngulm për përparimin e tyre, ata ia vunë syrin repartit të braktisur dhe arritën në pak kohë ta privatizonin. 
Njëri prej tyre, madje bëri dhe një nga kurset e atëhershme të sistemit gjyqësor. Vëllezërit ishin në kërkim të një biznesi ose të dikujt që fillimisht mund ta punonte me qira dhe pastaj të mendonin për diçka. Përveç pak punëve të restaurimit, nuk bënë dot asgjë, deri në kohën kur erdhi lufta e Kosovës dhe kur masa e madhe e njerëzve erdhi nga Kosova në Shqipëri. Deri më atëherë, me ato para që kishin mbledhur dhe pastaj dhe me ndihmën e komunës, bënë rrethimin e repartit, që sot rezulton gati e dëmtuar, dhe strehuan brenda kosovarët. Komuna gjeti një mundësi për t’i ndihmuar, ndërsa një firmë italiane shpërndau ndihmat. Vetë ata u punësuan, në këtë kompleks. Ndërkohë, kosovarët nuk qëndruan vetëm aty, por u shpërhapën tek të gjithë shqiptarët dhe qendra pak nga pak e humbi rëndësinë.
 Fati i të vëllezërve do të merrte udhë të keqe, kur dikush prej tyre do vrasë, një njeri të fisit të tyre. Familjes i afrohen re të zeza. Dy vëllezër në burg me afat të gjatë, një tjetër në arrati, një tjetër në emigracion dhe i frikësuar për të mos ardhur. Hasmi tashmë është brenda kanalit tjetër të fisit, ku është bërë vrasja. Dhe, fati i ndërtesës do të mbetej i hidhur. Tash e tutje ka mbetur krejt e braktisur dhe pas futjes në burg të dy vëllezërve të akuzuar për vrasje, po bjerret për çdo ditë. E futur në një si bark të kodrës mbi Derven, ajo ka mbi nivelin e saj vetëm kishën e fshatit, ku prifti, njësoj si fshatarët e ka mohuar kategorikisht, se këtu mund të jenë mbajtur fshehtas robër dhe se atyre mund t’u jenë marrë organet. Duket se hija e vëllezërve dhe e kaluara, nuk bën askënd që t’i afrohet kompleksit të ndërtesave, që veç një godine kryesore ka dhe dy-tre të tjera më të vogla.
 Llesh Gjokeja, 56 vjeç, që e has diku, më thotë se fshati jo vetëm se ka dëgjuar këtë, por edhe as nuk ia ka idenë sesi mund të bëhej. Dikur ka qenë shofer dhe është një nga të afërmit e pronarëve të shtëpisë, por jeta i ka ndarë. “Vetëm kur ishin kosovarët shtëpia u vu pak në punë. Më pas asgjë”. Më tregon sesi i ati ka qenë shoqërues me Mustafa Krujën dhe si i ka mbijetuar komunizmit. Por, kur e pyes për shtëpinë, shmanget dhe shmanget pa fund. Dhe vetëm kur do të ndahemi me gruan dhe kushëririn e saj, do ta kuptojmë rebusin. Fshati e ka të vështirë prej gjakmarrjes dhe të gjithë druhen. Këtu kuptojmë se pse askush nuk do të vijë brenda ndërtesës, etj. Derveni është një fshat me banorët katolikë vendas dhe kosovarët e ardhur në vitet ’20.
Shtëpia e Dervenit është shtëpia që mendohet se ishte baza e fundit nga ku bëheshin veprimet për t´u nisur organet e trafikuara jashtë Shqipërisë. Askush nuk identifikon dot shtëpi tjetër në Fushë-Krujë dhe mesa duket deri në zbardhjen e provave të Dick Marty-t, ajo do të mbetet një enigmë e madhe, përveç banorëve që nuk u bën më asnjë përshtypje, sepse kjo u duket një çmenduri e vërtetë. Njësoj si ajo, në raportin e Marty përmenden edhe shtëpi në Caran, Kukës, Bicaj, Rribë, Durrës dhe Fushë-Krujë. Mendohet se gjatë luftës, UÇK-ja ka zbatuar një politikë investigimi të sajën, ndaj atyre që ajo i mendonte si bashkëpunëtorë. Akuza janë bërë edhe për komandantët e UÇK-së të akuzuar se kanë qenë të përfshirë në këto vende respektivisht Sabit Gecit, Riza Alija (alias Komandant Hoxha), dhe Shemshi Krasniqit. 
Të tre burrat kanë paditë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe duhet së shpejti që të dalin në gjyq në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës dhe pronat e tyre kane qenë të kontrolluara. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje z.Marty që të tregojë në terren akuzat. Ndërsa, nga ana tjetër, Carla del Ponte ka kërkuar hapa juridike, por duke mos përfshirë aty autoritetet e Kosovës ose të Shqipërisë. Vetëm se për banorët e gjitha është e paperceptueshme. “Ne mezi përballojmë jetën, -më thotë gruaja, që është pjesë e familjarëve të pronës, -dhe e vetmja gjë që mbajmë mend nga koha e luftës është ndihma që u dhamë pa interes kosovarëve”.
 Kurse, Shefqet Rexhepi, kryeplaku me origjinë kosovare, më shpjegon se kjo duhet të jetë çmenduri, ngaqë këtu edhe gjëja më e vogël merret vesh mes fshatarëve dhe jo gjëma të tilla. Në një farë mënyre, e gjitha përkon dhe me reagimin e z.Thereska, Shefit të Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, që pak ditë më parë ka thënë se “Të mendosh se qenkan bërë ndërhyrje kirurgjikale për heqje organesh në një shtëpi apo në një të ashtuquajtur klinikë në Fushë-Krujë, kjo i kalon kufijtë e imagjinatës dhe ua them me bindje se është krejtësisht e pamundur”. Për të gjithë është e pamundur përveç, njeriut që quhet Dick Marty, që sot po insiston frikshëm për idenë e tij të trafikimit nga shqiptarët./revista mapo
shko