e martë, 28 dhjetor 2010

Cana: Do ta sjell Galatasarayn në Kosovë

Ekipi i madh turk Galatasaray ka shumë adhurues në Kosovë, por ky adhurim është rritur edhe më shumë prej verës së këtij viti, kur
mesfushori kosovar Lorik Cana firmosi me ekipin nga Stambolli, pas kalimit nga Sunderlandi anglez. Tashti Cana e Galatasaray po shikojnë çdo mundësi për të shpërblyer këtë tifozëri në Kosovë. Në një intervistë dhënë Kohës Ditore të hënën, 27-vjeçari Cana, tha se që nga shkuarja e tij në Turqi ka nisur bisedimet me kryetarin e klubit për të aranzhuar një ndeshje miqësore në Kosovë.
"Që nga momenti që kam kaluar në Galatasaray kam biseduar me kryetarin e klubit që të aranzhojmë një ndeshje miqësore në Kosovë. Unë kam marrëdhënie të mira me drejtuesit e skuadrës dhe një miqësore mund të realizohet dhe unë po punoj dhe do ta sjell Galatasayan në Kosovë. Ende asgjë nuk ka konkrete, se a do të luajmë me Përfaqësuesen e Kosovës apo me ndonjë skuadër, kjo mbetet për t'u diskutuar. Në klub e dinë që në Kosovë Galatasaray adhurohet shumë dhe që populli ynë me atë turk ka një miqësi të madhe", ka thënë Cana, që këto ditë po pushon në Kosovë.
Mesfushori me tipare defensive, në Galatasaray kaloi për afro pesë milionë euro. Por, fillimi ishte më i zorshëm se që kishte menduar. Në fillim pati probleme me trajnerin, më pas me lëndimet dhe tani sapo u rehatua u përfshi në një incident në fushë, gjë që i kushtoi me dy ndeshje pezullim. Intyervistën e plotë me Canën mund ta lexoni ne numrin e sotëm të gazetës./kn
shko