Pas dështimit politikë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, besoj se Vuk Jeremic-i shkon në pushimet festive i relaksuar nga ‘Dick-fitorja’ e fundit diplomatike. Raporti i fundit i
Dick-ut, jo që njollosi politikanët tanë, por arriti të njollosë gjithë popullin Shqiptarë që luftuan për t’i mbijetuar një regjimi që tentoi të shfaros një popull të tërë.
Janë dy probleme që duhet të na brengosin nga gjithë kjo aferë. Nën një, pasqyrimi i Shqiptarëve në media, dhe, nën dy, dështimi i diplomacisë Kosovare.
Mediat janë konduiti i vetëm ku qytetarët anë-e-kënd botës informohen për të gjitha çështjet e ndryshme. Mediat e shkruara dhe ato digjitale janë konduiti ku njerëzit marrin informata për Kosovën, dhe perceptimi i tyre për Shqiptarët formohet si pasojë. Pak njerëz vizitojnë Kosovën që të njihen përafërsisht me të vërtetën. Andaj, duhet të brengosemi kur mediat e fuqishme botërore përshkruajnë Shqiptarët si popull barbar dhe kriminel. Raporti i përpiluar nga Dick Marty arrin qëllimin që tjerët të mendojnë se jemi popull kriminel ngase ky raport mori përmasa botërore, dhe si rezultat, Shqiptarët humbën një betejë të rëndësishme diplomatike. Me fjalë tjera, do të na duhet shume kohë dhe mjete për të ndryshuar imazhin që na mveshi Dick-u me Serbinë. Sado që ne mendojmë se e vërteta qëndron ndryshe, njerëzit në Brazil, Indi, Nepal e kudo tjetër njoftohen për Kosovën nga ajo çfarë shkruhet dhe flitet në media. Kjo sigurisht se edhe do të dëmtojë procesin e njohjeve të mëtutjeshme, edhe pse jemi mësuar që të njihemi nga një shtet në vit, edhe shumica e tyre vijnë nga vende që kanë më shumë delfinë se njerëz.
Me të arritur në Hawaii, pas një bisede të shkurtë me taksistin ku edhe i dëftova që jam Shqiptar, pyetja e parë që më shtroi ishte, “a është e vërtetë që jeni popull mafioz?” I habitur, e pyeta se pse mendon ashtu? “Kam pa filmin Taken,” u përgjigj! E kuptova se fliste për filmin që përshkruan rrëfimin e një vajze të një ish-spiuni Amerikan që mundohet të shpëtojë vajzën e tij nga disa mafioz Shqiptarë. Këta te fundit e kidnapojnë vajzën dhe me force e detyrojnë që të punoj si prostitutë. I shpjegova vozitësit naiv që nuk jemi popull mafioz, dhe filmat janë fiksion që nuk pasqyrojnë të vërtetën. Me irritim i thash se “shpresoj të mos ketë besuar se Supermeni me të vërtetë ka fluturuar”. Udhëtimi i mëtutjeshëm deri tek hoteli u përshkrua nga qetësia që fliste për dëshpërimin kundrejt një injorance dhe naiviteti që ishte pasojë e një efekti medial.
Pra, një film ku disa Shqiptarë pasqyrohen si mafioz, kishte ndërtuar perceptimin e tij për një popull të tërë. Këtë problem e kam hasur në shumë vende në botë, dhe diaspora Shqiptare ballafaqohet me këtë stereotip çdo ditë. Pyetja që duhet të na brengos është se çfarë ndikimi do të kenë akuzat e Dick-ut që tërheqin vëmendjen e të gjitha mediumeve botërore?
Mendoj se pjesa e problemit është dështimi i diplomacisë Kosovare.
Dështimet janë aq të shumta saqë nuk po arrijmë t’i tregojmë botës se kush me të vërtetë është ujku e kush qengji. Në momentin që po duket se po avancojmë dhe po shohim pak dritë në fund të tunelit, po zhgënjehemi kur po shohim dritën e trenit që po na përplas mbrapa tek udhëtimi i pafund i vuajtjeve. Kosova ka dështuar sepse nuk lobon që të udhëheq në betejat diplomatike kur ka municion më shumë se që Kina posedon ushtarë. Pra, suksesi i Dick-ut Serb është dështimi i diplomacisë kosovare, dhe tani është koha që të ndërmarrim hapa që të lobojmë për një Dick të versionit Shqiptarë.
Versioni i Dick-ut Shqiptarë duhet të angazhohet që t’i eliminoj gabimet e njëpasnjëshme të diplomacisë sonë të dështuar.
Nën një, Kosova nuk e akuzoi Serbinë për krime lufte, gjenocid, dhe krime kundër njerëzimit para GJND-së. Cilido që do të ishte mendimi i gjykatës, Kosova do të përfitonte sepse mediat do të mbulonin këtë lajm me tituj se “Serbia akuzohet për krime lufte”. Do të ishte një sulm diplomatik i Kosovës që do të vendoste Serbinë në një pozitë defanzive. Një fjalë e vjetër thotë, “sulmi është mbrojtja më e mirë”. Kurse sot, për shkak të diplomacisë së dobët, ne gjendemi në një pozitë ku duhet të mbrohemi nga thashethemet e një “sharlatani”, siç e quan Dick Marty-in, Edi Rama, lideri i opozitës ne Shqipëri. Me angazhimin e një Dick-u nga qeveria jonë, ne do të kemi një sulmues që i mundëson Kosovës që pjesën e dytë ta zhvilloj në pjesën e Serbisë.
Nën dy, diplomacia jonë dështon që të internacionalizoj çështjen e të humburve! Lobimi, investigimi, deklaratat, dhe kërkesat konstante të pushtetarëve tanë janë një armë e fortë që të ushtrojmë presion mbi pushtetin serb. Të njëjtën kohë, do të kemi mundësi t’i tregojmë botës se ende kemi një regjim, të vet-quajtur demokratik, që mban trupat e vrarë nga para-ardhësit e tyre jo të largët. Edhe pse shteti serb i ka duart e përlyera me gjak shqiptari, prapë arrin që të paraqitet para botës si një dele e mbuluar me lëkur ujku sepse diplomacia jonë nuk ka arrit që të mbajë Serbinë në defanzivë. Përkundrazi, qeveria jonë nuk ka sulmues si Dick-u dhe ka lejuar që mbetemi në 16-metërshin tonë.
Nën tre, në muajin maj, mediat botërore lajmëruan se dyshohet që në Serbi të jetë gjendur edhe një varrezë masive. Lajmi morri përmasa të mëdha botërore, por pas një kohe të shkurtë, humbi lajmi dhe vdiq e gjithë afera. Kosova nuk loboi që të ushtroj presion ndaj Serbisë dhe të përdor këtë lajm në avantazh të tyre. Më shumë interes zgjuan shpifjet e Dick-ut serb, se dyshimet e një varreze masive që dihet se Serbia i posedon. Më shumë zgjojnë kureshtje “4-5 veshkë” që Dick-u serb pretendon se Shqiptarët i kanë shitur, se sa mijëra jetë njerëzish të humbur që dihet se Serbia i ka vra dhe i ka hedhur nëpër humnera.
Nën katër, akuzat qesharake që u shpalosen në të përditshmen serbe “Novosti” thonë se “organet e nxjerra, shqiptarët i kishin transportuar me helikopter privat në frigorifer special portativë”. Nuk duhet të na vije turp t’ju tregojmë se edhe gjysma e ‘kallashëve’ që posedonin ushtarët nuk funksiononin tamam, por sikur që të kishim helikopterë, siç pretendon ‘dëshmitarja’ për Novosti-n, do t’i kishim përdorur për lufte e jo për transport të organeve. Ushtarët tanë kanë vdekur për kujdesin edhe më të vogël mjekësorë, dhe për mungesë medikamentesh, andaj ushtria jonë nuk ka pasur mjek që të ushtrojnë operacione kaq të sofistikuara. Besa, ky fat na përcjell edhe sot, ku edhe për një grip më të vogël shkojnë Shqiptarët siç thotë populli ‘si qeni në rrush’ për mjekësinë që posedojmë.
Përfundimisht, diplomacisë tonë i mungon një Dick që ta përdorë si sulmues në rrafshin diplomatik. Andaj, Kosova duhet që të ngrit nivelin diplomatik me lobime intensive sepse përndryshe do të mbesim duke u mbrojtur nga shpifjet e “sharlatanëve”. Qeveria jonë nuk duhet të lejoj që e vërteta të triumfojë në stilin e breshkës në garim me lepurin sepse do të jetë vonë. Sfera diplomatike është një botë e vrazhdët ku duhet të veprojmë shpejt, sepse siç edhe na kujton i madhi Mark Twain, “derisa e vërteta i lidhë këpucët, gënjeshtra e shëtitë gjysmën e botës” Shkruan Dimal Basha (autori është opinionist i rregullt i topLajm)