e mërkurë, 22 dhjetor 2010

Mourinho: Benitez prishi skuadrën e ëndrrave



Trajneri i Realit të Madridit, Hose Mourinho deklaroi se është i gatshëm të rikthehet tek Interi në
të ardhmen dhe akuzoi Benitezin për rezultatet e dobëta të këtij sezoni, në një intervistë të publikuar prej të përditshmes sportive “La Gazzetta dello Sport”.
Pasi ritheksoi vendosmërinë e tij për të fituar të gjithë titujt e mundshëm me gjigantët spanjollë, Mourinho veçoi raportet e mira me presidentin Moratti dhe kujtimet e jashtëzakonshme që ruan nga aventura e tij interiste. ”Jam shumë i gëzuar që Interi fitoi Botërorin e Klubeve, më duket sikur puna ime është realizuar deri në fund”, tha Mourinho. “Situata e Benitezit nuk më intereson. Unë di vetëm të them që e dua Interin, presidentin, lojtarët dhe tifozët e tij”. Deklarata ironike e spanjollit i drejtohej edhe vetë Hose-së. “Nuk do ta kisha pritur kurrë një deklaratë të tillë. Prisja të paktën një faleminderit për grupin e futbollistëve që i kam lënë. Pyesni tifozët e Interit se çfarë mendojnë për mua dhe për të”. I pyetur në ishte e vështirë për Rafan që të merrte në dorë zikaltërit pas largimit të tij, portugezi u përgjigj me një krahasim. “Nuk ishte aspak e lehtë për mua të drejtoja pasi Mancini u largua me tre titujt të fituar. Në raste të këtilla, trajneri i ri duhet të dijë të paraqitet pa bujë dhe pa kërkuar të bëjë ndryshime të menjëhershme. Benitezi kishte një skuadër gati dhe mundësinë për të fituar Botërorin, Superkupën e Europës dhe Italisë pa bërë asgjë”. Pavarësisht largimit, marrëdhënia me Moratti-n mbetet ideale. “Ishte e vështirë në fillim, por sa më shumë kohë kalonte, aq më shumë e adhuroja. Unë mësova të isha një trajner më i mirë prej tij, ndërsa ai një president më i mirë. Në karrierën time nuk më kishte ndodhur kurrë që të bashkëpunoja kaq afër me një president”. Pasi pranoi se një ditë do të jetë trajner i Portugalisë dhe nuk bëri krahasime midis ambientit që mbizotëron tek Inter e Reali, Mourinho u ndal në një parashikim rreth sdifës së Champions, Inter-Bayern. “Do të më pëlqente të isha prezent. E di që do të kem shumë emocione. Kur shoh tani Chelsea pas katër vitesh arrij t’i kontrolloj emocionet, por me Interin është ende shpejt për të bërë këtë”./yp
shko