Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për BBC-në, tha se 2010-ta ishte një vit
historik në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës. Thaçi ka pranuar se viti 2010, ishte një vit i sfidave dhe vështirësive të mëdha, por, sipas tij, “të tejkaluara më sukses”.Duke folur për sfidat e vitit të ardhshëm, ai ka premtuar se Kosova në fund të vitit 2011 do të jetë shumë afër liberalizimit të vizave, ndërkaq në mandatin e tij katërvjeçar si kryeministër, ajo do të jetë anëtare e NATO-s.
Zgjedhjet e fundit, që kontestohen nga forca të caktuara politike, Thaçi i ka vlerësuar si zgjedhje “që arritën standarde të larta ndërkombëtare” – të cilat, sipas tij, “janë vlerësuar edhe prej SHBA-ve dhe BE-së si dhe prej mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, por në të njëjtën kohë edhe nga monitoruesit ndërkombëtarë të organizatës ENEMO”.
Zgjedhjet e fundit ai i ka përshkruar si sfidë e tejkaluar. “Ishin sfidë, por i kaluam bashkërisht, nuk ka kontestime, ka deklarime mospajtuese me rezultatin, por kjo është mungesë ose e kulturës politike, ose shprehje e pakënaqësisë me rezultatin zgjedhor që e kanë pritur disa parti politike dhe që nuk e kanë fituar besimin qytetar”, tha ai.
Pas procesit të rinumërimit të votave dhe atij të rivotimit në Deçan, Skënderaj dhe Drenas më 9 janar, kryeministri në largim ka premtuar një qeverisje të qendrës së djathtë, ndërsa lidhur me kërkesën e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, për krijimin e një qeverie teknike deri në vjeshtë, kur do të organizoheshin zgjedhje të reja, lideri i PDK-së ka thënë se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2013.
Madje, Thaçi ka thënë se “po punohet në ndërtimin e një platforme që do t’ia kthejë identitetin dhe dinjitetin e Prishtinës”. Sipas tij, “fryma evropiane e Kosovës do ta përfshijë edhe Prishtinën në një të ardhme të afërt, kjo me një lidership të ri, me qeverisje të re efektive, duke mos u marrë shumë me politikë, por duke u shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit”.
I pyetur ndërkaq lidhur me deklaratën e liderit të LDK-së, se nuk do t’ia shtrijë dorën e fitores në këto zgjedhje, ngase ai i cilëson të manipuluara, Thaçi ka thënë se “Dora e Isa Mustafës është një dorë e së kaluarës”, dhe se “ai i shtrëngon duart me njerëzit e së ardhmes për vendin”.
Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij ndaj raportit të Dick Martyt, duke thënë se ai është “një raport racist, proserb” – raport të cilin, sipas tij, “do ta rrëzojë vetë realiteti dhe e vërteta”./io