Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka disa javë që ka zvogëluar aktivitetet jashtë, të cilat erdhën pas
largimit të LDK-së nga koalicioni. Ministria mbeti vetëm me zëvendësministren, Vlora Citaku, e cila është UD e ministrisë, ndërsa ajo nuk u pa në takime me diplomatë ndërkombëtarë. Aktiviteti i vetëm ishte në Shkup, në një forum rajonal.Megjithatë, MPJ-ja ka me çka të merret. Në njoftimin e kësaj ministrie, thuhet se UD e ministres së Jashtme, Vlora Citaku, ka marrë vendim që në emër të punëtorëve të MPJ-së dhurojë shumën prej 2000 Euro për nevoja të Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.
"Shuma e cekur më lartë, fillimisht ishte ndarë për darkën e fundvitit e cila rregullisht organizohet për punëtorët e Ministrisë. Me këtë vendim punëtorët e Ministrisë së Punëve të Jashtme solidarizohen me aktivitetet e rëndësishme të kësaj qendre për t’i dalë në ndihmë grave dhe fëmijëve në nevojë. MPJ shpreson që, me këtë shumë simbolike, sadopak të ndikojë në përmirësimin ushtrimit të aktiviteteve të kësaj qendre", thuhet në njoftim./indeksonline