e martë, 21 dhjetor 2010

Trafiku i organeve Kacin: Akuzat nuk ndikojnë mbi bisedimet

Raportuesi për Ballkanin i Parlamentit të Evropës, Jelko Kacin, deklaron se Kosovës i duhet sa më shpejt krijimi i qeverisë për shkak të, qëndrueshmërisë politike në vend dhe për fillimin e dialogut me Beogradin.
Në një intervistë për BBC-ne Kacin ka përmendur mundësinë e kandidimit të kryeministrit në dorëheqje për president të vendit duke e cilësuar këtë hap të mundshëm, pas publikimit të projekt raportit të Dick Marty, si shmangie nga situata aktuale shumë e rëndë dhe bllokuese në rastin e krijimit të Kuvendit të ri, të qeverisë se re të Kosovës dhe më vonë edhe të presidentit të vendit.

Ai tha se akuzat në projekt raportin e të dërguarit të KE-së, Dick Marty, nuk mund të jenë një argument dhe arsyetim për shtyrjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Raportuesi për Ballkanin i Parlamentit të Evropës e cilësoi gatishmërinë e presidentit Tadiç dhe kryeministrit Thaçi për t’u takuar si manifestim të vullnetit të mirë dhe pozitiv për fillimin e dialogut.

Sipas tij nëse projekt raporti i Dick Marty-t do të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, atëherë Shqipëria dhe Kosova do të kenë nevojë për një ndihmë ndërkombëtare në hetimin e akuzave të bëra.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar padi ndaj të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për siç ka thënë, shpifje ndaj tij.

Në një raport të tij, Marty e akuzon zotin Thaçi si “kreun e një rrjeti të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore të marra nga të burgosurit e vrarë”./bw
shko