e hënë, 24 janar 2011

Afrika po çahet në dysh nga aktiviteti i jashtëzakonshëm sizmik

Shenjat nisën që dy vjet më parë. Aktiviteti sizmik në veriperëndim të Afrikës ka nisur që të shfaqet dukshëm, ndërsa kontinenti po
ndahet në dysh ngadalë. Studiuesit thonë se llava në këtë rajon është e njëjtë me magmën që është në shtratin e detit dhe se në fund të këtij aktiviteti uji do të mbulojë shkretëtirën 
Cinthia Ebinger, një gjeologe nga Universiteti i Rochester në Nju Jork, nuk mund ta besonte atë që po i thoshte i sapoardhuri nga shkretëtira e Etiopisë. Ai ishte një i punësuar i një kompanie minerare dhe po i thoshte se vullkani i famshëm në verilindje të Etiopisë kishte nisur procesin e erupsionit. Bëhej fjalë për vullkanin Erta Ale. Ebinger, e cila kishte vite që merrej me studimin e vullkaneve, u step. Krateri i vullkanit kishte qenë mbuluar gjithmonë me një lloj lënde llave ngjyrë argjendi, por kishte qëndruar në këtë gjendje të qëndrueshme prej dhjetëra vitesh. Erupsioni i fundit i takonte shumë kohëve më parë.
Këtë njoftim e mori nëntorin e kaluar dhe menjëherë u nis për në Etiopi me disa studiues të tjerë. Kur arriti në vend e pa se vullkani ishte duke valuar dhe se llava e nxehtë dhe e zjarrtë po prekte lartësitë e reja çdo ditë e më shumë. Toka nuk është shumë e stabilizuar në këtë zonë të botës dhe i gjithë rajoni është duke pësuar një ndryshim të jashtëzakonshëm. Vullkanet kanë nisur që të valojnë dhe toka të pësojë çarje fillimisht të lehta. Sipas shkencëtarëve, dhe për këtë ata janë shumë të sigurt, është duke u ndarë në dysh me një shpejtësi që nuk është parë më parë në gjeologjinë e planetit.

 Fraktura e parë u shfaq miliona vjet më parë dhe pas saj u krijua Deti i Kuq dhe Gjiri i Adenit. Fraktura e dytë, që shtrihet në jug nga Etiopia në Mozambik, njihet si Lugina e Çarjes së Madhe dhe është e lidhur nën tokë me disa vullkane. Miliona vjet më pas, edhe ajo do të mbushej me ujë. Por në Danakil, në pjesën veriore të luginës, oqeani mund të arrijë shumë më shpejt. Kodrat janë e vetmja gjë që ende e pengojnë vërshimin e ujit të Detit të Kuq. Toka në pjesën e pasme të kodrave është në rrezik të madh dhe ka humbur shumë nga niveli fillestar, ndërsa depozitat e kripës në dyshemenë e shkretëtirës dëshmojnë për futje të mëparshme të detit në këto zona. Por ka qenë llava ajo që e ka bllokuar në atë kohë.
Për momentin askush nuk mund të thotë se kur do të mundet deti të mësyjë shkretëtirën. Por ajo që dihet është se kjo gjë do të ndodhë më shpejt nga sa është imagjinuar deri më tani. Sipas një shkencëtari holandez, kodrat mund të zhyten në ujë për çështje ditësh. Këtë deklaratë ai e bën në një studim të botuar në një revistë shumë prestigjioze gjeografike dhe më pas e ka deklaruar edhe në Bashkimin Ndërkombëtar të Gjeografëve. Sipas tij, gjatë këtyre 5 viteve të fundit, Afrika ka pësuar në verilindje të saj ndryshime të jashtëzakonshme, të cilat janë kryer me një përshpejtim të pakonstatuar më parë dhe ky proces është duke avancuar shumë më shpejt nga sa merrej me mend. 
Sipas tij, tani toka ishte duke u hapur gradualisht. Trazirat në tokë kanë shkaktuar çarje dhe krisje të zonave të mëposhtme të tokës dhe shkërmoqja e tyre i ngjan thyerjes së qelqit nga një goditje jo e drejtpërdrejtë. Shkencëtarët në Gjirin e Tadjourës, që është afër Xhibutit, kanë regjistruar një sërë tronditjesh shumë të fuqishme së fundi. Sipas tyre, ato vijnë nga tërmete që ndodhin në mesin e oqeanit. Llava del nga të çarat nënujore duke u shndërruar në pjesë të shtratit të detit. Ndërsa magma përparon drejt sipërfaqes, ajo përhapet edhe në zona të tjera të oqeanit, duke krijuar kështu një shtresë të re në koren e jashtme të tokës. Kur ajo forcohet, shndërrohet në pjesë të dyshemesë së detit. Dalja e magmës në sasi të madhe shkakton lëvizje edhe në pllakat tektonike.
Muajt e fundit, tërmetet në këto zona janë bërë më të shpeshta në frekuenca dhe po i afrohen gjithnjë e më shumë bregut. Sipas shkencëtarëve, çarja e tokës që ka filluar në thellësi të oqeanit do të vazhdojë derisa të kapë tokën e thatë. Edhe vetë karakteristikat e tërmeteve e mbështesin konkluzionin se peizazhi i shkretëtirave është duke pësuar transformime. Kjo ka gjithashtu të bëjë me tërmetet e mëdha dhe ndikimin e tyre nga thellësia e deteve në tokë.
Muajt e fundit, shkencëtarët kanë regjistruar në të gjithë këtë zonë delikate një aktivitet vullkanit të shtuar dhe të përshpejtuar në afërsi të sipërfaqes së tokës në 22 vende të ndryshme. Në pjesën më të madhe të rasteve magma qëndron nën sipërfaqen e tokës dhe vetëm në shumë pak raste ajo shfaqet edhe përtej. Kjo, për shembull, është vënë re në Erta Ale, për të cilën folëm edhe në fillim. Shkencëtarët kanë vënë re gjithashtu se lloji i magmës që vlon në të gjithë rajonin është i ngjashëm vetëm me atë që konstatohet në thellësitë e oqeanit. Një nga karakteristikat e kësaj është përqendrimi i paktë i acidit të silicit.
Aktiviteti i ri masiv dhe i përshpejtuar ka nisur në vitin 2005 kur u krijua menjëherë një e çarë e madhe prej 60 kilometrash. Që nga ai moment, rreth 3.5 kilometër kub magmë ka dalë përjashta. Kjo sasi është e mjaftueshme që të mbulojë të gjithë zonën e Londrës, pra një sasi shumë e madhe.
Nga një perspektivë gjeologjike, shpejtësia me të cilën magma është duke dalë jashtë dhe duke përparuar është vërtet një fenomen i jashtëzakonshëm. Ajo është duke e gjetur rrugën e saj në drejtim të sipërfaqes së tokës me një shpejtësi prej 30 metrash për minutë. Matjet që bëhen me anë të satelitëve më modernë flasin se sasia e madhe e magmës ndodhet në afërsi të sipërfaqeve të tokës jo vetëm në Etiopi, por edhe në zona të tjera./topLajm
shko