e hënë, 24 janar 2011

PDK: Qeveria e re nga mesi i shkurtit

Partia Demokratike e Kosovës zotohet se do ta formojë qeverinë e ardhshme diku nga mesi i muajit shkurt. Si fituese e zgjedhjeve me 32.4 për qind të votave sipas rezultateve
preliminare, PDK-ja në bazë të Kushtetutës e merr e para nismën për formimin e qeverisë pas certifikimit të rezultatit.

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, konfirmon se ky subjekt politik ka zhvilluar tashmë bisedime joformale me partitë tjera, por pret që zhvillime më konkrete në drejtim të negociatave për koalicionin e ardhshëm të ketë pas certifikimit të rezultatit.

Stavileci përsërit zotimin e PDK-së se qeveria e ardhshme do të formohet pa vonesa, edhe atë në një afat rekord.

“Kryetari i partisë dhe kryeministri Thaçi ka deklaruar se ne, në afat rekord do ta bëjmë qeverinë. Pas certifikimit, pra orientimisht mesi i muajit shkurt e tutje, ngase nuk mund të thuhet një datë ekzakte se kur. Por, pasi të përfundojë certifikimi i rezultatit dhe afatet tjera, besojmë brenda një dyjavëshi pasues”, thekson Stavileci.

Teksa PDK paralajmëron oferta konkrete për subjektet tjera pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, partitë tjera parlamentare prezantojnë edhe pozicionet e tyre në lidhje me ndërtimin e institucioneve, sidomos Qeverisë.

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se nisma për qeverinë e ardhshme u takon partive më të mëdha. Kurse, pozicioni i AAK-së, sipas Ramadanit, është që qeverisja në Kosovë të ndryshojë, ose në të kundërtën ajo nuk do të jetë pjesë e saj.

“Aleanca e ka si parim të vetin qëndrimin ose synimin për ta ndryshuar qeverisjen në Kosovë dhe Aleanca e sheh veten vetëm me ndonjë konsolacion ku mund ta ndryshojë qeverisjen në Kosovë, përndryshe nëse nuk mund të ndryshohet qeverisja, nuk është e domosdoshme që AAK të jetë pjesë e asaj qeverie”, thotë Ramadani.

AAK-ja, e cila në bazë të rezultateve preliminare ka fituar 11.9 për qind të votave, sipas Burim Ramadanit, do të mbështeste edhe idenë tashmë të propozuar nga nënkryetari i saj, Blerim Shala, për një qeveri me bazë të gjerë si dalje nga kriza dhe ngërçi politik.

Ndërkohë, Koalicioni për Kosovën e Re, i cili sipas rezultateve preliminare ka fituar 7.2 për qind të votave, parashtron edhe kushtet e veta për përfshirje në koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Mimoza Kusari-Lila thotë se një nga kushtet e domosdoshme është që presidenti i Kosovës të jetë kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli. Ajo nuk e përjashton mundësinë që nëse nuk ka rezultate në bisedimet me PDK-në, negociata për qeverinë e ardhshme të zhvillohen edhe me LDK-në, por sërish me kushtet e njëjta.

“Një prej kushteve dhe kritereve ka qenë edhe pozita e presidentit, pasi që e kemi edhe kandidatin, i cili është lideri i koalicionit, z.Behxhet Pacolli. Pastaj, kanë qenë kriteret e programit ose hapësirës për zbatimin e programit të Koalicionit për Kosovën e Re, e natyrisht edhe kriteri, i cili ka të bëjë me bartësit e funksioneve ekzekutive në mënyrë që ata të jenë profesionalisht të përgatitur dhe etikisht të pastër”, thotë Kusari-Lila.

Ndryshe, PDK-ja, në bazë të Kushtetutës do të provojë e para formimin e qeverisë. Kurse opsionet rezervë, që do të sillnin LDK-në, si partia e dytë në sprovën e formimit të qeverisë, vijnë në konsiderim vetëm nëse partia e parë dështon.

Nga subjektet politike, që në start, vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka larguar veten nga negociatat për qeverinë e ardhshme, pasi që është deklaruar se nuk lidh koalicion me PDK-në, LDK-në e as me AAK-në./yp
shko