e martë, 25 janar 2011

Shkreton Vali – ofendon gazetaren

Ajo flet rrallë, e nuk thotë asgjë. Por, kur të dielën pasdite Valdete Daka ka folur, ka shkretuar shumë. Me mikrofonat e lëshuar para
vetes, gruaja 50 vjeçare ka ofenduar rëndë gazetaren e KTV-së, Arta Avdiu.


“Shih, erdh kjo e vocrra e KTV-së”, dëgjohet qartë duke i thënë Daka, Florian Dushit. Anëtari i LDK-së, ia kthen me humor se “ajo është dreq”, por Daka nuk ndalet me kaq. “Është si, si, si plesht”, thotë kryetarja e KQZ, pa fije turpi.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka histori të udhëheqjeve jo fort të denja, por skandali i Valdete Dakës është i paprecedent. Gazetarja Avdiu ka raportuar vazhdimisht nga KQZ-ja, edhe atëherë kur ky institucion i ka mbajtur mbledhjet të mbyllura, dhe larg vëmendjes së opinionit publik.


Menjëherë pas këtij skandali të publikuar nga KTV, ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës. UGK përmes një komunikate për media e dënon ashpër këtë deklaratë fyese të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka dhe e konsideron si të papranueshme dhe jo etike, sidomos kur vjen nga një zonjë që e njeh gjyqësinë dhe etikën. “UGK, i rikujton znj.Daka se pavarësisht si i duken asaj gazetarët, nuk është në kompetencat e saj që të bëjë komente dhe vlerësime për ta, por ta kryej punën e saj për të cilën edhe është thirrur”, thuhet në reagim.


UGK-ja ka kërkuar nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka që menjëherë të distancohet nga ky ofendim dhe gazetares Arta Avdiu t’i kërkoj falje publike. /io
shko