e hënë, 24 janar 2011

Të rinjtë, shumë pak të informuar për seksin

Të rinj, të pakujdesshëm dhe konfuzë për seksin. Rreth 55 për qind e pilulave të urgjencës nëpër farmaci blihen nga të rinjtë.
Alarmi i mjekëve: 27% e adoleshentëve nuk përdorin prezervativ
Janë të pasionuar pas teknologjisë, njohës të mirë të realitetit virtual më shumë se të trupit të tyre. Navigojnë në rrjet si profesionistë, por në dashuri dhe seks improvizojnë dhe rrezikojnë shumë. Janë këta adoleshentët europianë të shekullit të ri: 27 për qind e tyre nuk përdor fare masa mbrojtëse dhe kjo përqindje shkon në 35 kur flitet për vajzat. Rezultatet shihen, mjekët japin alarmin në spitalet ku çdo fundjavë mbërrijnë me dhjetëra vajza të trembura për të marrë pilulën e urgjencës, ndërsa janë shtuar së tepërmi sëmundjet seksuale mes të rinjve.
 Në vend që të informohen më shumë për të mbrojtur veten e jo të rrinë gjithë ditën në çat, të rinjtë europianë po mbështeten gjithmonë e më shumë te këto pilula, që në vitet e fundit po përjetojnë një bum të paparë shitjesh. Ato blihen dhe shiten në 55 për qind të rasteve nga minorenët. Adoleshentë të frikësuar me ide konfuze në fushën e seksit që shkojnë për të kërkuar pilulat e emergjencës, ka parë shumë edhe profesor Emilio Arisi. “Duhet të thyhen me çdo kusht barrierat e injorancës. Kjo, sepse kam dëgjuar të rinj se ishin të bindur që “Coca Cola” ishte si një lloj kontraceptivi, nëse bënin dashuri në këmbë nuk mbeteshin shtatzënë dhe se një pije me limon shpëtonte nga pasojat një raport të pambrojtur”, tregon ai. Ai ua vë fajin institucioneve dhe mungesës së lëndëve të edukimit seksual nëpër shkolla.
"Bumi i pilulës së urgjencës lidhet edhe me faktin se shumë prindër nuk janë në gjendje t’u flasin fëmijëve për masat mbrojtëse të seksit”, tregon profesor Carlo Flamigni, i cili ka shkruar edhe një libër për rreziqet e këtij ilaçi që merret pa rekomandimin e mjekut. "Të rinjtë shkojnë te këto pilula, sepse nuk kanë edukimin e nevojshëm dhe sepse brezi i vjetër nuk i përdor shumë pilulat apo kontraceptivët. Vetëm në vendet e Europës Veriore kjo përqindje është shumë e lartë. Kështu, mesazhi që u transmetohet të rinjve në familje është i gabuar, ai mund të thotë se pilulat të bëjnë keq, të shëndoshin. Këto janë të gjitha të pavërteta”. Kështu adoleshentët vendosin të bëjnë me kokën e tyre pa marrë parasysh rreziqet. Profesoresha Alessandra Graziottin, drejtoreshë e spitalit gjinekologjik në klinikën San Raffaele në Milano, shpjegon se bumi i pilulës së urgjencës lidhet edhe me faktin se vetë ne më të rriturit nuk u kemi mësuar të rinjve ndjenjën e përgjegjësisë edhe kur flitet për marrëdhëniet seksuale. Ata duhet të jenë përgjegjës për shëndetin e tyre tani dhe në të ardhmen. Me pak fjalë adoleshentët që bëjnë dashuri duhet të mendojnë se në të ardhmen do të bëhen prindër, prandaj të mbrohen me çdo kusht nga sëmundjet”.
Më i kuptueshëm me të rinjtë është edhe psikologu Charmet: "Është e vështirë për më të rinjtë që nuk kanë shtëpi të tyren, as raporte të qëndrueshme, të programosh takime për t’u mësuar rreth mbrojtjes. Megjithatë është e vërtetë se të rinjtë ndihen imunë përballë rreziqeve dhe nuk kanë përgjegjësi për veprimet që bëjnë”. Ndryshe nga Europa, ndërgjegjësimi i brezit të të rinjve në Amerikë është për t’u vlerësuar. Vite të tëra fushatë sensibilizimi kanë çuar në bumin e përdorimit të prezervativëve mes të rinjve që tashmë e lidhin eksperiencën e parë seksuale me konceptin e mbrojtjes: 79 për qind e të rinjve mes moshës 14 deri në 17 vjeç përdorin rregullisht prezervativë, kundrejt 25 për qind të të rriturve. Në çiftet e adoleshentëve të dashuruar studiuesit kanë gjetur se secila palë shpesh e përdor seksin si një mjet për të mbrojtur lidhjen e tyre. Shpesh ata pranojnë kërkesat seksuale të partnerëve të tyre, që ata të jenë të lumtur dhe të mos kenë ndërmend të largohen. "I dashuri im duket më i lumtur pasi bëjmë seks. Ai kalon shumë kohë me mua, gjë që i largon nga mendja mendimet për të shkuar me një dikë tjetër", tregon një 17-vjeçare. Kjo mund të përdoret nga vajzat edhe si një strategji për ta bërë partnerin të mendojë se është i kënaqur nga jeta e tij seksuale. Shumë vajza të përfshira në studim, sidomos, pranuan se i praktikonin njohuritë e tyre erotike si një motiv për të fituar përvojë. Disa thanë se dëshironin të kishin eksperiencë, me qëllimin e vetëm që të mos ndiheshin inferiore dhe "të pamësuara": "Herën e parë që shkova me një mashkull isha 19 vjeçe dhe mendova se ishte koha e duhur për të mësuar rreth seksit. Kjo do më ndihmonte se si të veproja herës tjetër", tregon një vajzë./topLajm
shko