Juristi 34-vjeçar, i zgjuar, i mprehtë, inteligjent, me shumë vetëbesim dhe në dukje trim, ka bërë deri më tani një karrierë e cila ka në qendër të saj goditjen ndaj atyre që konsiderohen në vend si “të paprekshëm”
Aleksei Navalni ngrihet nga karrigia e tij dhe shkon drejt dërrasës në të cilën vizaton 5 rrathë të zinj. Këta rrathë përfaqësojnë lojtarët që marrin pjesë dhe janë faktorë kyç në industrinë shumëmiliardëshe të naftës në Rusi. Me një energji dhe qartësi të jashtëzakonshme, ai bën rrathë dhe rreth tyre vendos shigjeta për të treguar lidhjet mes tyre, dhe përmes këtyre grafikëve tregon historinë të cilën e cilëson si korrupsioni klasik rus. Një gjë e tillë nuk është bërë në Rusi, të paktën jo publikisht deri më tani. Navalni flet hapur e me shumë guxim në një vend në të cilin kritikët dhe opozitarët e qeverisë burgosen, mërgojnë dhe vriten.
Por juristi 34-vjeçar, i zgjuar, i mprehtë, inteligjent, me shumë vetëbesim dhe në dukje trim, ka bërë deri më tani një karrierë e cila ka në qendër të saj goditjen ndaj atyre që konsiderohen në vend si “të paprekshëm”. Ai është një nga denoncuesit e hapur më të mëdhenj të prapaskenave të turpshme dhe korruptive të Rusisë. Në një pozicion të tillë ai konsiderohet edhe si ‘njeriu-Wikileaks’, pra si një person i vetëm që kryen punën e një stafi të tërë denoncuesish.
Puna e tij është përqendruar në tre vitet e fundit, gjatë të cilave ai ka përdorur ligjin për të marrë sa më shumë informata nga korporatat e fshehta të drejtuara nga shteti, të cilat kanë në duart e tyre të gjithë vendin dhe dërgojnë të ardhura të majme në xhepat e zyrtarëve të lartë në mënyrë të vazhdueshme. “Të gjithë thonë se korrupsioni ndodhet kudo dhe ajo çka duhet që të çudiste qytetarët në lidhje me qeverinë e tyre, është se askush nuk përfundon pas hekurave për akuzën e korrupsionit”, - thotë Navalni. Por, ky nuk është qëllimi i tij për momentin. Qëllimi i tij aktual është që të ekspozojë korrupsionin galopant, të përmasave të jashtëzakonshme që mbizotëron në vend, për të cilin janë të ndërgjegjshëm edhe vetë liderët rusë, pavarësisht mungesës totale të reagimit.
Navalni përdor dokumente që janë ndërkohë të publikuara nëpër sajtet e organizmave dhe institucioneve qeveritare. Ndërsa reputacioni i tij si denoncues sa vjen e rritet në Rusi, rritet në të njëjtën mënyrë edhe aksesi i tij në shumë dokumente të tjera të rëndësishme që e ndihmojnë të arrijë objektivin: denoncimin e korrupsionit. Në muajin nëntor ai publikoi një material “të rrjedhur” nga Dhoma e Auditëve, sipas të cilit ‘Transneft’, që është edhe kompania shtetërore që gëzon monopolin e naftës dhe gazsjellësve rusë, ka kanalizuar për vete 4 miliardë dollarë nga projekti i ndërtimit të naftësjellësit që lidh Rusinë me tregjet aziatike.
Deri më sot ky dokument ka qenë “goditja” e tij e madhe. Së fundi ai ka fituar një çështje gjyqësore kundër ‘Transneft’ dhe ‘Rosneft’, duke i detyruar ato që të lejojnë aksionerët që të kenë akses në dokumentet e kompanisë, përfshi edhe dokumentet nga takimet e bordit. Në muajin maj ai fitoi një vendim gjyqësor, sipas të cilit policia urdhërohet që të hetojë pikërisht se kush ka përfituar nga donacionet jashtëzakonisht të mëdha të bëra nga ‘Transneft’ në vitet 2006–2007, të cilat kapin shifrën e 317 milionë paundëve.
“Kjo është një shumë e madhe edhe për standardet e vendeve dhe kompanive shumë të pasura, dhe për sa i përket Rusisë kemi të bëjmë me një rast të paprecedentë. Por, askush nuk e di se nga kush dhe në ç’mënyrë janë shpenzuar këto para”, - deklaroi Navalni. Projekti i tij i fundit është ‘RosPil’, një uebsajt që përdor punën e qindra vullnetarëve që kanë akses nëpër dokumente të ndryshme publike në lidhje me tenderët shtetërorë, që përbëjnë edhe një nga fushat ku korrupsioni qeveritar është i një shkalle jashtëzakonisht të lartë. Kjo ide i lindi në muajin tetor, pasi denoncoi një tender të korruptuar të qeverisë, që çoi më pas në penalizimin e drejtuesit të tenderit dhe anulimin e procedurës së tij.
Dy javë pas lançimit të sajtit, Navalni mblodhi një fond mbështetës prej 100 mijë eurosh, që për një vend si Rusia mund të konsiderohet si një rekord. “Tashmë të gjithë po marrin qëndrime opozitare ndaj qeverisë, sepse e shohin përditë e më shumë se si po shkon një vend si Rusia drejt ferrit. Vetë pushtetarët e kuptojnë një gjë të tillë dhe e ndiejnë se fundi mund t’u vijë nga momenti në moment, ndaj po vjedhin sa më shumë dhe sa më shpejt që po munden”, - thotë Navalni.
Ai beson se nën regjimin e Putinit gjërat nuk kanë për të ndryshuar. Ndryshimi nuk mund të vijë kurrë nga pushteti i Putinit, sepse pushtetarët e sotëm nuk do t’ia mohojnë kurrë vetes luksin e të vjedhurit të miliarda dollarëve. Por, herët ose vonë gjërat do të ndryshojnë dhe këto dokumente që unë përpiqem t’i publikoj, do të përdoren për t’i dërguar këta pushtetarë në burg”.
Edhe pse ai është i inatosur kur flet për padrejtësitë e regjimit, fushata e tij erdhi dhe u ngrit nga motive krejtësisht personale. Pasi mori diplomën për ligj, në vitin 1998 dhe nisi punën si avokat në një firmë ndërtimi nën pronësinë e një ish- oligarku, ai nisi që të investonte në tregun e aksioneve. ”Nisa që të investoja disa nga paratë e mia në bursë dhe shumë shpejt e kuptova se në ç’mënyrë hileqare zhvillohen punët e financës dhe më pas, duke i hedhur një sy listës së më të pasurve sipas ‘Forbes’, kuptova se ku shkonin gjithë paratë që u merren njerëzve përmes mashtrimeve”.
Nisur nga këto pakënaqësi, ai mori një master në financë dhe iu bashkua partisë Jablloko, që ishte një nga partitë e para opozitare në Rusi pas shembjes së perandorisë sovjetike. Kjo ndodhi në vitin 2000, dhe një nga shkaqet e këtij vendimi ishte se ai nuk ishte i kënaqur me ardhjen e Putinit në pushtet, sepse mendonte se ai do të risillte sërish në vend frymën autoritariste. Navalni ishte një nga organizatorët e protestave dhe drejtoi në Moskë edhe disa fushata zgjedhore, por disa vjet më vonë u shkëput nga partia për shkak të ideve të tij nacionaliste. Navalni tha se partia në të cilën aderonte nuk kishte hapësirë në programin e saj për çështjen e emigracionit të paligjshëm dhe për vështirësitë e mëdha të rusëve etnikë. “Liberalët në Rusi nuk do të vijnë kurrë në pushtet, jo për shkak të censurës apo zgjedhjeve të vjedhura, por për shkak se ata nuk i diskutojnë kurrë problemet e vërteta me të cilat përballen shtresat më në nevojë në vend”.
Sipas një sondazhi të kryer nga gazeta ruse “Komersant” (gazeta më e famshme ruse), në muajin tetor të vitit të kaluar, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në atë moment për kryetarin e bashkisë së Moskës, Navalni do të merrte 45% të votave. Po sipas të njëjtit sondazh, në vendet pasuese vinin një nga liderët e opozitës, politikani Boris Nemstov dhe kryebashkiaku aktual i kryeqytetit rus, Sergei Sobyanin. Ky ishte një sondazh që u krye me 50 mijë veta.
Të shumtë janë ata rusë që pyesin veten se sa shumë do të rritet popullariteti i Navalnit. “Ka një histori të autoriteteve ruse, që zakonisht ndaj atyre që nxjerrin në pah rastet korruptive ushtrohen sulme personale fizike. Është shumë shqetësues fakti se çfarë mund t’i ndodhë në një klimë të tillë një aktivisti si Aleksei”, - thotë një analist politik rus. Dhe mbështetësit rusë të Navalnit kanë të njëjtin mendim dhe frikë për të. “Ne të gjithë shqetësohemi për të gjithë ata që deklarojnë dhe demaskojnë rastet korruptive. Gjithmonë individë të tillë janë në rrezik, sepse ata kanë guximin që të drejtojnë gishtin tek personat konkretë”, - thotë Elena Panfilova e “Transparency International”, që e ka renditur Rusinë në vendin e 154-t nga 178 vende gjithsej për sa i përket indeksit të korrupsionit.
Vetë Navalni ka kohë që po përballet me kërcënime ligjore nga më të ndryshmet. Me atë stilin tepër të ashpër dhe të drejtpërdrejtë të të folurit, ai e quajti së fundi partinë qeverisëse në vend: “Rusia e Bashkuar, një parti e tradhtarëve dhe hajdutëve”. Bëhet fjalë për një deklaratë të bërë publike gjatë një interviste televizive dhënë javës së kaluar. Pas kësaj disa anëtarë anonimë të partisë kanë marrë një avokat dhe janë duke planifikuar një padi për fjalët e Navalnit. Vetë paria e ka mohuar një gjë të tillë.
Por, deri më sot Aleksei ka deklaruar se ai nuk e njeh frikën: ”Të gjithë ata që ndërmarrin hapa të pavarur në Rusi në fushat e gazetarisë, biznesit dhe gjithçkaje tjetër, ndërmarrin mbi vete shumë rreziqe. Unë mund të kuptoj se ata mund të bëjnë çfarë të duan, por kjo nuk do të më ndalojë”./topLajm