Koncerti festiv i organizuar nga FRPD është çelur nga Çiljeta Çilaga e cila dhe drejtoi spektaklin. Ajo ftoi të këndojnë para mijëra të pranishmëve, fillimisht këngëtaren Jonida Maliqi që shoqërohej nga Big Basta. Pas tyre kanë kënduar pjesëtarët e grupit Tingulli 3 dhe menjëherë më pas e ka marrë fjalën Rajmonda Bulku, deputete e PD. Deputetja Bulku tha se e djathta është e vetmja forcë që sjell ndryshimin në vend. Ajo u shpreh se PD-ja ndryshe nga pjesa tjetër e politikës ka kujtesë dhe se mitingu festiv është një mënyrë për t’i thënë ndal demonstratave të dhunshme të PS-së.
“Ndryshimi ynë qëndron te kujtesa, ne jemi ndryshe nga vala me kujtesë të trembur Jemi këtu port t’i thënë ndal demonstratës që vret ne bulevard”- tha ajo. Bulku shtoi se populli do paqe dhe mirëkuptim. “Jemi së bashku se dimë të përfaqësojmë dhe të zgjedhim. Një forcë që i jep energji popullit të vet është burim i përhershëm i ndryshimit. Kjo forcë ka vetëm një emër, Sali Berisha”- deklaroi Bulku. Këtu vijuan ovacionet e të pranishmëve. Pas Rajmonda Bulkut që foli vetëm pak çaste, rinisi koncerti me këngëtarin Florian Mumajesi. Pas tij, showgirl Çiljeta Çilaga ka ftuar këngëtaren e njohur Eranda Libohova e cila gjithashtu ka kënduar një këngë rinore. Koncerti vijoi me këngëtaren Juliana Pasha deri në momentin e mbërritjes së kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit deklaroi se “20 vite më parë PD-ja shënoi fitoren më të madhe në historinë e kombit më rrëzimin e komunizmit më të egër në Evropë”./vi