Para demonstratës shumë të madhe të organizuar të dielën, Kryeministri dhe besnikët e tij ndërmorën një taktikë të njohur për ata që e kanë “lakun në fyt”.
Nga të akuzuar u shndërruan në akuzues, dhe përmes valëve televizive dhe faqeve të gazetave e revistave të tyre, sulmuan pushtetin gjyqësor italian, opozitën e qendrës së majtë dhe të gjitha ato forca që kanë vënë në diskutim jetën personale të Kryeministrit
Që kur prokurorët kanë kërkuar gjykimin e Kryeministrit italian, Berluskoni, në lidhje me akuzat për prostitucion me një të mitur, Berluskoni, kryetari 73-vjeçar i qeverisë italiane, e ka pozicionuar veten në një betejë, që sipas shumë analistëve është beteja e tij e fundit politike.
Por, me një opozitë politike shumë të dobët dhe një mungesë të një pasuesi, beteja nuk po zhvillohet në Parlament, ku Kryeministri ka një shumicë të dobët, as në gjykatë, të paktën për momentin. Beteja e fundit është duke u shpalosur dalëngadalë dhe çdo ditë në median italiane, që është dominuar nga Berluskoni për dhjetëvjeçarë të tërë.
Para demonstratës shumë të madhe të organizuar të dielën, Kryeministri dhe besnikët e tij ndërmorën një taktikë të njohur për ata që e kanë “lakun në fyt”. Nga të akuzuar u shndërruan në akuzues dhe përmes valëve televizive dhe faqeve të gazetave dhe revistave të tyre sulmuan pushtetin gjyqësor italian, opozitën e qendrës së majtë dhe të gjitha ato forca që kanë vënë në diskutim jetën personale të Kryeministrit.
Sipas një analisti politik, Aldo Grasso beteja e fundit për Berluskonin është duke u zhvilluar në media, dhe kjo do të jetë një betejë e fortë dhe presioni mediatik do të jetë i madh.
Për rreth 30 vjet, Berluskoni ka bërë të gjitha përpjekjet mediatike që të krijonte një imazh të opinionit publik përmes “Mediaset”, medias së tij private dhe perandorisë së botimeve “Mondadori”. Ndërsa, kur u bë Kryeministër mori në dorë edhe frenat e televizionit shtetëror publik “RAI”. Në përgatitje të këtij kundërsulmi, Berluskoni mblodhi drejtorët e të gjitha programeve informative të “Mediaset” dhe kryeredaktorët e të gjitha gazetave dhe revistave pronar i të cilave është ai vetë, për të diskutuar në lidhje me strategjinë, çka për shumë analistë është një akt tepër i rëndë i marrëdhënies së shtetit me median. Po ditët e fundit, Berluskoni ka rideklaruar haptazi luftën e tij ndaj prokurorisë, duke e akuzuar këtë pushtet në një intervistë të fundit, për “puç juridik” kundër tij dhe duke përsëritur vazhdimisht faktin se ata kanë përgjuar telefonatat e shumë vajzave dhe grave të reja që kishin marrë pjesë në mbrëmjet e tij dhe ua kishin ofruar mediave transkriptimet.
Berluskoni dhe mbështetësit e tij i kanë krahasuar vazhdimisht taktikat e prokurorisë në lidhje me hetimin e Kryeministrit me filmin “Jeta e të tjerëve”, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Gjermaninë Lindore, në kohën e “Stasit”. Madje, të mërkurën që shkoi, stacioni shtetëror televiziv “RAI” e transmetoi këtë film. Njëherazi, ky televizion, që supozohet të jetë publik, pra i të gjithë taksapaguesve italianë, ka anuluar emisionet që kanë tendencë të majtë. Por, në lidhje me kontrollin e mediave, një komitet parlamentar ka shkuar edhe më tutje duke propozuar rregulla të reja për televizionin shtetëror, sipas të cilave, nëse një nga stacionet e “RAI”-t do të diskutonte një çështje që kishte të bënte me skandalet seksuale të Berluskonit, stacionet e tjera duhet që të prisnin 8 ditë para se të preknin sërish të njëjtën temë. Ky veprim është konsideruar nga shumë analistë, një “totalitarizëm i pastër”.
Të dielën, mbi 1 milion gra italiane dolën nëpër rrugët e vendit dhe të Europës për të protestuar kundër turpit që po u bën Kryeministri i vendit si për sa i përket pozicionit në të cilin e ka vënë femrën në ekranet e mediave të tij private, si për skandalet e turpshme të jetës intime dhe atë më të fundit: pagesën e një 17-vjeçareje për marrëdhënie seksuale. E ndërsa kundërshtarët e sjelljeve të Berluskonit dolën në shesh, të shtunën, në një kundërpërgjigje të këtij organizimi, kryeredaktori i “Il Foglio” u përpoq që të organizonte një “kundërmiting”, duke deklaruar se ishte e “turpshme” që të ndërhyhej në jetën private të njerëzve. Pak ditë më parë, kapaku i revistës “Panorama” të Berluskonit, kishte ndërmarrë të njëjtën temë, pra kishte nxjerrë në faqen e parë disa gra italiane që deklaronin se nuk e përkrahnin protestën e grave të tjera. Sipas këtyre grave, ato ishin shumë krenare për identitetin e tyre, por nga ana tjetër, ishin kundër shkeljes së jetës private të të tjerëve dhe nuk donin që të merrnin leksione puritanizmi. Ndërsa “Chi”, një tjetër revistë e familjes, kishte nxjerrë fotot e të gjitha grave të promovuara nga Berluskoni në qeveri dhe parlament, duke shpjeguar se ishte Berluskoni ai që i kishte promovuar, çka tregonte ndryshe nga sa ishte përfolur, konsideratën që ai ka ndaj gjinisë femërore.
Berluskoni u shfaq për herë të parë në skenën politike të vendit në fillim të viteve ’90, në një vakum të krijuar nga rënia e Murit të Berlinit dhe e ashtuquajtura “Tangjentopoli”, një skandal i përmasave gjigante ryshfetesh që përmbysi gjithë klasën politike italiane, duke qenë se një e treta e parlamentarëve u akuzuan për ryshfete.
Për sa i përket skandaleve aktuale seksuale të Kryeministrit, ato mund të jenë momenti i madh i Italisë për të ndrequr rendin politik, siç ndodhi 20 vjet më parë, edhe pse këtë herë bëhet fjalë për prostituta dhe jo për ryshfete.