Në një dokument të famshëm me të cilin janë këshilluar në mënyrë të vazhdueshme, nga vitet ‘70 deri në vitet ’90, të gjithë gazetarët që janë marrë me çështjet e Lindjes së Mesme: ”Fjalori politik i Lindjes së Mesme”, nuk figuron emri i Hosni Mubarakut. Është në fakt një libër i botuar në vitin 1972, dhe në atë kohë Hosni Mubarak ishte komandant i aviacionit egjiptian dhe 3 vjet më pas, pra në vitin 1975, Presidenti egjiptian i asaj kohe, Sadat do ta bënte zëvendëspresident.
Pas revoltës së vitit 1952 dhe rënies së monarkisë e marrjes së pushtetit nga ana e “oficerëve të lirë”, Egjipti kishte pasur tre liderë në uniformë që kishin rrezatuar një karizëm të shkëlqyer. Ishin tre burra me një pamje madhështore. Ndërsa gjenerali Mubarak, me vështrimin e tij prej mosbesuesi, hundën e përkulur, fizikun e lidhur, përçonte një pamje pak a shumë mediokre.
Nga tre paraardhësit e tij në postin e Presidentëve të Egjiptit, i pari kishte ndenjur në detyrë për më pak se një vit: gjenerali Neghib, një prototip i “ushtarit dhe xhentëllmenit”, që jo rastësisht kishte kaluar një pjesë të mirë të shkollimit të tij në Britaninë e Madhe. Neghib u pasua për një periudhë 16-vjeçare nga Gamal Abdel Nasser, që me të mirat dhe me të këqijat e tij është një nga personazhet më interesantë dhe më të rëndësishëm të periudhës moderne për sa i përket vendeve arabe. Askush si ai nuk ka ditur që të flasë me popullin e tij në atë mënyrë që fliste Nasser. Janë të paharrueshme pamjet e mbushura plot e përplot me njerëz në qendër të sheshit kryesor të Kajros me rastin e fjalimit të Presidentit në vitin 1956, për çështjet e shtetëzimit të Kanalit të Suezit. Kur ai thirri: ”Kanali do të zotërohet dhe do të përdoret nga egjiptianët! Egjiptianë, a më dëgjuat? Nga egjiptianët, pra nga ne”, turma e njerëzve kaloi në një ekstazë të paparë më parë, madje edhe më pas.
I treti lider karizmatik dhe fatkeq i Presidencës egjiptian ishte Anëarel Sadat. Në periudhën naseriane, Sadat, pavarësisht se ishte një nga arkitektët kryesorë të grushtit të shtetit kundër mbretit Farik, qëndroi thuajse në hije. Thuhej se ai nuk ishte mjaftueshëm inteligjent për të qenë në krye të punëve. Në fakt, bëhej fjalë për thashetheme të përhapura nga dashakeqët e tij. Por, me vdekjen e Nasser, kur Sadati u bë Presidenti i vendit, kjo legjendë u shpërbë brenda pak muajsh.
Sadati ishte inteligjent, plot me energji dhe ishte simpatik kur e shihje si me uniformën ushtarake, ashtu edhe me atë zyrtare dhe për hir të së vërtetës, atij i pëlqente shumë veshja. Veç të tjerash, ai ishte edhe një njeri shumë i lidhur me librat e shenjtë dhe me fenë, në kuptimin e mirë të fjalës, dhe ky seriozitet dhe përkushtim bënë që popullariteti t’i rritej në mënyrë të ndjeshme në kohën e parë të qeverisjes. Por, islamistët nuk e zgjatën paqen për një kohë të gjatë, edhe sepse Sadat çoi mijëra prej tyre në kampet e përqendrimit. Dhe, për t’iu rikthyer edhe njëherë çështjes së inteligjencës së tij, mjafton që të shohim se çfarë loje bëri me sovjetikët. Duke armatosur vendin e tij me armët më të mira luftarake të kohës: me avionë, tanke, raketa të prodhimit sovjetik, ai njëherazi përzuri të gjithë këshilltarët ushtarakë rusë pak muaj para luftës së Kipurit me Izraelin.
Në këtë këndvështrim, si për sa i përket pamjes, ashtu edhe bëmave, Mubarak nuk mund të pretendonte që të krahasohej me paraardhësit e tij të lavdishëm. Kur Sadat u vra në vitin 1981 nga një oficer i një grupi islamik dhe Mubarak, në detyrën e numrit dy mori postin e lënë bosh, emri i tij nuk ishte i panjohur vetëm për themeluesit e fjalorit politik që përmendëm në fillim të shkrimit, por edhe për vetë egjiptianët, duke përjashtuar në këtë rast me të drejtë, ushtarakët. Telegramet e ambasadorëve të huaj drejtuar kancelarive të tyre nëpër botë konvergonin në faktin se Presidenti i ri ishte një njëri ”gri”. Në lagjet popullore, por edhe në vendet ku grumbullohej borgjezia e pasur e Nilit, kishin nisur që të përhapeshin shumë barsoleta për Mubarakun. Ja një e tillë që qarkullonte në atë kohë: ”Mubarak vdes dhe shkon në derën e parajsës. Roja i thotë: cilat janë vetitë e tua të mira? Mubarak mendohet pak dhe thotë: më vjen keq, por nuk kam asnjë veti. Dhe, atëherë roja i derës së parajsës i thotë: ah, epo atëherë ti duhet të jesh Presidenti i Egjiptit, Mubarak”.
Por, edhe në këtë rast, teza e një mediokriteti dhe një inteligjence të mangët nisi që të përhapej dhe të formëzohej. Mubarak nuk dinte t’u fliste egjiptianëve si Nasser, nuk dinte që të ishte joshës si Sadat dhe sipas të gjitha gjasave dhe dukjes, ai ishte vetëm një “njeri gri”. Por, shumë shpejt ua tregoi të gjithëve se teza e tij do të funksiononte. Traktati i paqes me Izraelin, i firmosur dy vjet të shkuara nga Sadat, i dha mundësinë që të reduktonte shpenzimet luftarake në 16% të prodhimit kombëtar bruto, ndërkohë që në kohën e Nasser ishte 36%. Ndërkohë, u lançua një fushatë e gjerë mbarëkombëtare për kontrollin e lindjeve. Kjo bëri që brenda një periudhe të shkurtër të pakësohej lindshmëria vjetore në vend, nga 3.55 në 2.4%. Nëse nuk do të ishte ndërmarrë ajo fushatë, sot egjiptianët në vend të 80 milionëve, do të ishin një popullsi prej 110 milionë banorësh.
Falë mbështetjes financiare të amerikanëve nisi një sërë projektesh shumë të mëdha publike, duke filluar nga ndërtimi i rrugëve të reja, në mirëmbajtjen e atyre aktuale e në krijimin e vendeve të punës, dërgimin e elektricitetit në shumë zona të largëta, si dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Ishin veprime që përmirësuan kushtet e jetesës në lagjet më të varfra të vendit. Që nga vitit 1987 e në vijim nuk u konstatuan më raste epidemish masive të malaries. E ndërsa shumë gjëra ndryshuan që nga periudha qeverisëse e Nasser, një gjë vazhdoi që të qëndronte e pandryshuar: Egjipti vazhdoi që të ishte një “shoqëri militare”. Si gjithmonë, klasa apo shtresa e privilegjuar ishte ajo e oficerëve, të cilët gëzonin pensione shumë të larta, kishin shtëpi moderne dhe një prestigj të lartë social. Dhe, për gjeneralët kishte edhe më shumë, sepse ata edhe pse kishin dalë tashmë nga forcat e armatosura, merrnin detyra në sferën e ekonomisë apo në industri, si dhe në sistemin bankar dhe financiar. Pavarësisht masave të liberalizimit që u morën gjatë viteve të para në pushtet të Mubarakut, ekonomia egjiptiane vazhdonte që të kishte tipare të një ekonomie të planifikuar sipas modelit sovjetik. Por, dhjetëvjeçarin e fundit, ushtarakët bashkëpunuan në mënyrë aktive me komunitetin e biznesit vendas dhe të huaj, dhe kjo bëri që të zhdukeshin përfundimisht edhe “mbetjet” e të ashtuquajturit “socializmi arab“. Kështu u rri ndjeshëm dhe në përmasa shumë të mëdha papunësia, nuk u ngritën, madje u ulën pagat e punonjësve të fushave të ndryshme, dhe në këtë mënyrë, ata që ishin të pasur nisën që të pasuroheshin me përmasa dhe shpejtësi të frikshme dhe më të varfrit varfëroheshin në të njëjtën shkallë. Pikërisht të varfrit ishin edhe ata që nisën dhe vazhduan deri në largimin e Mubarakut, revoltën më të madhe në vend që prej dhjetëvjeçarësh. Që nga fundi i muajit nëntor, ushtarakët ishin përpjekur që të mbanin në kontroll çdo rritje të protestave, por nuk ia kishin dalë dot që të kontrollonin fluksin dhe vrullin e tyre. Ushtria me mbi 300 mijë njerëz, në pjesën më të madhe me origjinë nga klasat e thjeshta të popullit, ishte pjesa që tregoi edhe ndjeshmërinë më të madhe ndaj thirrjeve të njerëzve të thjeshtë që dolën në sheshin qendror të Kajros dhe të qyteteve të tjera të vendit. Por, dasitë lindën në shtresën e oficerëve. Bëhet fjalë kryesisht për dasi që kanë të bëjnë me çështjet e brezave. Kapitenët, majorët, kolonelët nuk mund të duronin më situatën e korrupsionit të niveleve të larta, kryesisht të partisë në pushtet, Partisë Nacional-Demokrate, e cila deri pak ditë më parë drejtohej nga djali i Mubarakut. Në fakt, kjo ishte edhe partia e vetme. Pasuria e jashtëzakonshme e familjes së parë të vendit, prej 70 miliardë dollarësh, e cila në pjesën më të madhe të saj është vendosur në bankat jashtë vendit, sigurisht që nuk ishte një arsye për rritjen e prestigjit të Mubarakut në sytë e ushtarakëve. Për më tepër, ushtria kishte deklaruar që në fillim të protestave se nuk do të bëhej pjesë e asnjë skenari që do t’i kërkonte të shtypte me dhunë dhe me gjak revoltën në sheshet e vendit. Ushtarët nuk do të hapnin zjarr ndaj turmës së njerëzve, djemtë e punëtorëve nuk do të kishin hapur zjarr ndaj vëllezërve të tyre po aq të varfër, po aq të frustruar dhe të pashpresë sa edhe ata vetë.
Edhe gjeneralët e shtresës së lartë nga ana e tyre ishin të ndarë në lidhje me ardhmërinë e Presidentit. Disa ngulmonin për vazhdim të pushtetit të tij. Po sa më shumë që rritej dhe shtohej protesta në vend, shtohej numri i grevave dhe demonstratave e përhapeshin lajmet për korrupsionin e jashtëzakonshëm të sundimtarëve, aq më shumë rritej numri i gjeneralëve që ishin tërësisht kundër qëndrimit të Mubarakut në pushtet. Gjithë këto përplasje mes interesave dhe personave të ndryshëm në skenën politike dhe ushtarake të vendit ka marrë fund dy ditë më parë, me plotësimin e kërkesës së njerëzve për largimin njëherë e përgjithmonë të Mubarakut nga pushteti. Gjeneralët, edhe pse ia kaluan pushtetin e pjesshëm Sulejmanit, theksuan se pushteti, në veprimet e tij, do të mbikëqyrej nga Këshilli Ushtarak.
Fundi i Mubarakut ishte i qartë në zemrat dhe në mendjet e njerëzve, që për 18 ditë me radhë mbushën rrugët e Kajros në një protestë që nuk ka reshtur deri në arritjen e synimit dhe objektivit të saj.
Në këtë mënyrë, Mubarak është detyruar që të bëjë gati valixhet dhe duke “lëpirë” të gjitha fjalimet e bëra këto ditë mbi vazhdimin e qëndrimit të tij në pushtet, është nisur për në Sharm El Sheik. Ka qenë Omar Sulejman ai që ka njoftuar largimin e Presidentit, edhe pse e ka bërë më gjysmë zëri, por me vetëdijen e plotë se ky njoftim i dhuronte Egjiptit momentin e shumëpritur të triumfit dhe krenarisë kombëtare.