Mënyra e komunikimit të ushtarëve në frontin e luftës me familjarët e tyre, po bëhet gjithmonë e më shumë në kohë reale. Mundësitë e mëdha të komunikimit ndihmojnë për të mbajtur lart moralin, por shpesh shkaktojë stres dhe ankth mes ushtarëve
Veriu i Afganistanit: në provincën e Kunduzit, batalioni i parë i batalionit 87 të këmbësorisë së ushtrisë amerikane lufton kundër talebanëve duke përdorur armë dhe mjete të tjera shumë të sofistikuara, por risia e re në këtë fushëbetejë është prania e smartphone-ve dhe kompjuterëve që u mundësojnë ushtarëve qëndrimin gjithmonë në kontakt me të afërmit e tyre pavarësisht se gjenden mijëra kilometra larg, tregon James Dao për “New York Times”.
Brenda një tanku një ushtar i dërgon një sms të dashurës së tij përmes një telefoni BlackBerry, një mjek kontrollon kompjuterin personal për të përshëndetur përmes “Skype”-t djalin dy vjeç në Florida, ndërsa komandanti i një skuadre sapo ka përfunduar së dhëni udhëzimet kërkon një vend të qetë për t’i dërguar mesazhe bashkëshortes përmes iPhone të tij.
Falë progreseve të teknologjisë celulare, mundësitë e mëdha për t’u lidhur me internetin dhe përdorimi i disa rrjeteve sociale ngjitëse si “Facebook”, trupat në zonat e luftimit tashmë mund të komunikojnë me të dashurit e tyre pak a shumë në kohë reale. Mund të kontrollojnë pikët e klasifikimit të skuadrës së tyre të zemrës, të frekuentojnë leksione online, por edhe të administrojnë veprime dhe fonde investimesh.
Pas viteve të tëra, moslejimi të këtyre objekteve për motive sigurie, Pentagoni ka vendosur të heqë kufizimet në përdorimin e teknologjive të reja nga ana e ushtarëve. Mundësia për të komunikuar shpesh me miqtë dhe të afërmit ndihmon për të mbajtur lart moralin, thonë drejtuesit ushtarakë, megjithatë, ky revolucion ka sjellë edhe disa dizavantazhe për ata që duhet të kontrollojnë materialisht trupat në territor. Shumë komandantë ankohen për përdorimin vend e pavend nga ana e ushtarëve të iPhone, BlackBerry dhe dispozitivëve të tjerë si lexues fajlesh muzikore apo videolojëra.
Përdorimi i këtyre objekteve është i ndaluar gjatë patrullimeve në këmbë, por zyrtarët tremben se ato mund të përdoren duke krijuar shpërqendrim në ndonjë zonë të rrezikshme si pasojë e sulmeve që mund të vënë në rrezik jetën e tyre. Edhe kush i përdor ato mund të shpërqendrohet, sepse shpesh i duhet të përballet me problemet e jetës së përditshme, por shumë kilometra larg shtëpisë. Në bazën operative të Kunduzit, ndërtesa kryesore është e pajisur me katër kompjuterë të lidhur me internet, të dobishëm për të komunikuar me miqtë dhe të afërmit në SHBA. Çdo kompjuter është i ndarë nga tjetri nga një hapësirë jo shumë e madhe, gjë që nuk lejon të kesh shumë privatësi. Argumentet për të cilat flitet më shpesh janë paratë, fëmijët dhe dashuria. Ushtarakja Briana Smith është 23 vjeçe, është mjeke dhe nëna e një djali të vogël, 2-vjeçar, Daniel, që jeton me prindërit e saj në Florida.
Tregon se flet me ta thuajse çdo ditë përmes “Skype”. Po ashtu përdor edhe “Facebook” për të qenë në kontakt me miqtë. Po ashtu, të paktën një herë në javë flet edhe me Danielin e vogël që prindërit përmes “Skype”-it ia nxjerrin rregullisht. Mundësia për të pasur raporte komunikuese kaq të ngushta e entuziazmon, por njëkohësisht i lë edhe një shije të hidhur: “Nuk mundem të jem e pranishme në gjërat që ai bën. Shoh vetëm fragmente të caktuara nga jeta e tij. Është bukur, por më dhemb zemra çdo herë që flas me të”, shpjegon Smith. Përdorimi i kompjuterëve dhe internetit është falas, ndërsa ushtarët duhet të paguajnë për thirrjet telefonike. Kush vendos të përdorë telefonin e vet celular për të komunikuar me shtëpinë edhe kur gjenden larg bazës duhet të paguajë shtesë. Tarifat mujore shkojnë rreth 70 dollarë, por ka edhe nga ata që paguajnë rreth 300 dollarë. Kush nuk do të harxhojë kaq shumë përdor kompjuterët e qendrës duke shpresuar të gjejnë online ndonjë mik ose të afërm në rrjetet sociale apo “Skype”.
George Moddy, 25 vjet në Marinë, ka djalin Billy në Kunduz. Për të komunikuar me të dhe për të mos humbur mundësinë për ta gjetur online, veterani e mban thuajse gjithmonë hapur “Skype”. Mes shtëpisë së tij në Ashvile, në Karolinën e Veriut dhe Afganistanit ka rreth 8 orë e gjysmë diferencë, kështu që shpesh bashkëshortët Moddy duhen të ngrihen në orën 1 të natës për të komunikuar me djalin e tyre 25 vjeç. Sipas disa psikologëve, komunikimi i tepërt mes ushtarëve në front dhe miqve e të afërmve në shtëpi mund të ketë pasoja negative. Në rastet më të mira bëhet fjalë për t’u ngritur në mes të natës, në rastet më të këqija për të jetuar me shqetësimin e asaj që ndodh në familje dhe mundësisë për të mos qenë aty.
Ankthi për të komunikuar bëhet problem sidomos për çiftet e reja. Ushtarët që lënë në vendlindje të dashurat apo gratë mundohen të jenë vazhdimisht në kontakt me to. Ushtarit Kyle Schulz, 22 vjeç, për shembull i ndodhi ajo që nuk e imagjinonte. Zbuloi se e dashura e tij dilte me një tjetër ndërsa ai gjendej në front.
“Komunikoja me të çdo ditë dhe kjo më bëri shumë keq. Sa më shumë i di gjërat që ndodhin në shtëpi aq më pak përqendrohem këtu”, thotë Schulz. Shpesh mund të ketë edhe pasoja tragjike. Në vitin 2009 një ushtar në Irak u vra, sepse dyshonte se e dashura e tij e tradhtonte, pasi nuk u përgjigjej më telefonatave.
Disa zyrtarë si Tony Hampton, i këshillojnë ushtarët që kryejnë shërbimin në Kunduz t’i përdorin celularët dhe kompjuterët sa më pak të jetë e mundur për të mos humbur përqendrimin. Këshilla e tyre është rikthimi te komunikimi përmes letrës. Hampton tregon se shumë pak i ndjekin këshillat e tij. “Ky është brezi i mikrovalëve. Duan gjithçka dhe shumë shpejt”