e premte, 25 shkurt 2011

Pacolli e Hoxhaj koordinojnë punët rreth njohjeve

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, zhvilloi sot një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në të cilin u diskutua për
angazhimin dhe koordinimin e punës së këtyre dy institucioneve kyçe të politikës së jashtme të vendit, me theks të veçantë në aktivitetin për sigurimin e njohjeve të reja të shtetit tonë.
“Unë mund të them se kemi pasur një bisedë konstruktive, jemi dakorduar për veprimet tona. Kemi shumë punë për të bërë në fushën diplomatike dhe që nga sot kemi biseduar që t’i koordinojmë gjërat dhe së bashku të punojmë dhe t’i sjellim Kosovës sa më tepër njohje, sa më tepër respekt nga miqtë tanë të jashtëm dhe Kosovën ta çojmë me hapa sa më të shpejtë drejt inkuadrimeve globale”, theksoi Presidenti Pacolli.
Ministri Enver Hoxhaj pas takimit rikujtoi para gazetarëve se sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, politika e jashtme udhëhiqet nga presidenti i vendit dhe ne u dakorduam që ta hartojmë një plan të përbashkët të punës, një agjendë dinamike, agresive, e cila do t’i sjellë Kosovës sa më shumë njohje, e cila do ta përfaqësojë, prezantojë dhe promovojë shtetin e Kosovës në botë”.
Së shpejti – shtoi ai -  do të dalim në formë publike me këtë plan të punës i cili do të jetë plan i punës i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Z. Pacolli në të kaluarën ka dhënë një kontribut shumë të madh që Kosovës t’i sigurojë sa më shumë njohje, ka një profil i cili i siguron një prezantim të fuqishëm të shtetit tonë. Prandaj, edhe qëllimi i takimit ishte që unë si ministër i Punëve të Jashtme me Presidentin të bisedojmë për atë se në çfarë drejtimi të lëvizim gjatë javëve të ardhshme, dhe sigurisht që më pak do të jemi të pranishëm në Kosovë dhe më shumë do të lëvizim në pjesë të tjera të botës, me qëllim që Republika e Kosovës të jetë e pranishme në çdo pjesë të botës”, theksoi ministri Enver Hoxhaj./kn
shko