e martë, 15 shkurt 2011

PDK: Skishim zgjidhje, ja në opozitë ja me Pacollin

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, siç mëson Klan Kosova, ka pasur vetëm një çështje në rend dite, shkuarjen në opozitë apo koalicionin me Aleancën Kosova e Re dhe faktin që kjo çështje të vendoset menjëherë, për shkak gjendjes në të cilën është Kosova, që ka të bëjë me mungesën e institucioneve dhe afrimin e përvjetorit të tretë të pavarësisë.


Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, pasi takoi Grupin parlamentar, Kryesinë për të përfunduar rrethin procedural të angazhimeve të partisë, pati vendosur që ta konsultojë edhe Këshillin e Përgjithshëm.
Pas diskutimeve disaorëshe gjatë gjithë pasditen e së hënës rezultoi se shumica dërmuese ishin që mos të kalohet në opozitë por të lidhet koalicioni me AKR-në, sipas propozimeve të ofruara nga AKR-ja, ku çështja kryesore ka qenë presidenti.


Në këtë takim merret vesh se ka dominuar gjuha e kryetarëve të komunave, të cilët kanë kërkuar që në asnjë mënyrë të mos shkohet në opozitë, por të shkohet në koalicion me AKR-në. Pastaj Grupi parlamentar, pos tre personave, ka kërkuar të mos shkohet në opozitë dhe së fundi edhe Kryesia.


Me vendimin e Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm dhe Grupit parlamentar është pajtuar edhe kandidati për kryetar, Jakup Krasniqi, i cili në fund ka pranuar se përkrah vendimin e instancave të PDK-së që të shkohet vetëm me një kandidat për president, e që është Behgjet Pacolli.


Sipas burimeve Jakup Krasniqi do të nominohet për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Për ndarja e resorëve të ministrive do të ketë takime të partnerëve të koalicionit gjatë ditëve në vijim.
Burime të sigurta pranë koalicionit thonë se qeveria e Kosovës do t’i ketë 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministri. /Telegrafi
shko