e mërkurë, 9 mars 2011

Gaddafi, 1 milion dollarë për një këngë

Nga Beyonce tek Mariah Carey apo Jay-Z. Ja të famshmit që kënaqnin dëshirat e kolonelit dhe familjarëve të tij, duke performuar në festat e tyre private. Shpërblimet? Jo më pak se 1 milion dollarë për një këngë.

Këto kohë, kur Libia po kërkon me çdo kusht të çlirohet nga sundimi 40-vjeçar i kolonel Gaddafit, po rritet thuajse përditë numri i yjeve që rezulton se kanë performuar për familjen e kolonelit libian në këmbim të një thesi me para. Në listë bëjnë pjesë emra të famshëm të botës muzikore si Nelly Furtado, Lionel Ritchie, Beyoncé dhe burri i saj Jay-Z, Mariah Carey apo ‘50 Cent’. Thuajse të gjithë, përveç këtij të fundit, i kanë kërkuar falje fansave dhe kanë mohuar të kenë qenë në dijeni të aktiviteteve të Gaddafit dhe kanë shpejtuar t’i japin milionat e fituara për bamirësi. Të gjithë, përveç ‘50 Cent’, që duket se është krenar që ka pasur të bëjë me një diktator gjakpirës.

Pendimi

Pranuan ofertat multimilionere të Muamar Gaddafit, por pas protestave që kanë përfshirë Libinë, disa prej tyre janë penduar që kanë performuar ekskluzivisht për të dhe familjen e tij.
Tashmë paratë e ofruara prej liderit libian po i japin për bamirësi. Beyonce ka marrë një milion dollarë për 5 këngë të kënduara për djalin e Gaddafit dhe këto para i ka dhënë për Haitin, sipas revistës ‘Rolling Stone’. Edhe Nelly Furtado tregoi se në vitin 2007 kishte performuar për Gaddafin dhe klanin e tij në një hotel në Itali. Në ‘Twitter’, këngëtarja shkroi se paratë do t’i dhuronte. Mariah Carey gjithashtu ka pranuar se ka performuar për Gaddafin në vitin 2009, por nuk pranoi që paratë t’i japë për bamirësi. Sipas mediave amerikane, Beyonce, Furtado dhe Carey nuk janë të vetmet që kanë kënduar për familjen Gaddafi.
Usher, ‘50 Cent’, Bon Jovi dhe Lionel Richie janë disa nga yjet e tjerë që kanë marrë pjesë në këto festa private.

Informacioni i pakët

Pavarësisht se krimet e Gaddafit janë në qendër të publikut prej 30 vjetëve, shumë mendojnë se mungesa e informacionit fshihet pas gjithë kësaj: 90 për qind e artistëve nuk janë të informuar. Zakonisht i marrin vesh më vonë faktet tronditëse. “Pjesa më e madhe e artistëve të mi, nëse do ta dinin se spektaklet financoheshin nga Gaddafi dhe familja e tij, nuk do performonin, sepse as moralisht nuk do të ndiheshin mirë”, - tregon një zëdhënës i një kompanie të madhe për organizmin e koncerteve të artistëve në Nju Jork.

“50 Cent”

Por teksa yjet e tjerë preferuan t’i jepnin shpejt për bamirësi dhe të kërkonin falje për veprime të tilla në të kaluarën, ‘50 Cent’ duket se ka marrë shtysë nga ky takim për sekuencën që hap videolojën e tij: ‘Blood on the Sand’ (‘Gjak në rërë’). Ai mendohet se ka marrë një shumë të majme, por që s’e ka deklaruar kurrë për të kënduar përpara Mutassin Gaddafi, djalit të diktatorit, gjatë festivalit të filmit në Venecia në vitin 2005.
Në skenë, reperi performon në një vend të Lindjes së Mesme, që nuk e saktëson, për një çmim prej 10 milionë dollarësh. ‘50 Cent’ u largua nga skena e rregulluar në hotel ‘Excelsior’, në Venecia i përqafuar me Al-Saadi Gaddafi, duke përsëritur fjalët: “Një mik i mirë që më bëri të vija deri këtu”. Me një koncert thuajse gjysmë ore, ‘50 Cent’, reperi i falshëm amerikan i rritur në geto, inauguroi turin e tij europian që do të niste nga Londra, duke kënduar për 500 të ftuarit e “Lybian Night”, festa ekskluzive e bamirësisë e organizuar nga fëmijët e kolonelit libian.

Beyoncé dhe Jay-Z

Këngëtarja mori rreth 2 milionë dollarë për një koncert privat gjatë festës për ndërrimin e viteve nga Hannibal Gaddafi, por më vonë vendosi ta dhurojë shumën për ndërtimin e Haitit, duke deklaruar se nuk e dinte se ishte paguar nga familja Gaddafi. Ajo u kërkoi falje edhe fansave të saj. Bashkë me Beyonce, edhe bashkëshorti i saj, Jay-Z ishte i pranishëm në këtë festë. Në të njëjtën festë, edhe Mariah Carey dhe Usher ishin ndër VIP-at e pranishëm.
Në vitin 2006, Lionel Ritchie u ftua për të performuar në Tripoli, me rastin e 20-vjetorit të bombardimit amerikan, gjatë të cilit mbeti e vrarë vajza e liderit libian.

Carey dhe Furtado

Këngëtarja, në festën e Vitit të Ri në vitin 2009, këndoi për kënaqësinë e Hannibal Gaddafi katër këngët më të bukura të repertorit të saj, për të cilat u pagua 1 milion dollarë. Në vitin 2007, edhe Nelly Furtado mori rreth 1 milion dollarë për të kënduar për kënaqësinë e familjes Gaddafi. Lajmin e ka bërë të ditur ajo vetë, duke u shprehur e indinjuar nga revoltat në Libi dhe e vendosur se të gjitha ato para duheshin dhënë për bamirësi.
shko