e mërkurë, 2 mars 2011

Gjatë operimit vdiqën 54 pacientë, por Kirurgjia flet për suksese

Gjatë vitit 2010 u kanë vdekur 54 pacientë gjatë operacionit kirurgëve të Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës (QKUK), , por ata prapë lavdërohen për suksese. 
Nuk flitet në rrafshin personal për suksese, por në atë të përgjithshëm. Megjithatë, vetëm një kirurg ka paraqitur me fakte suksesin e tij, me të cilin do të mund të krenohej mjekësia kosovare. 

Sali Krasniqi, kirurg në QKUK, për më se një vit i ka operuar 5 pacientë në veshka, pa i prerë fare organet e tyre. Besarta Shala, 27- vjeçare nga Peja, është prezantuar si suksesi i tij i fundit në fushën e kirurgjisë. 
Besarta nuk ka besuar në “mrekullinë”, siç e ka quajtur ajo, të profesionalizmit të Krasniqit, derisa e ka parë se, pas vetëm 24 orësh nga operacioni,  është ngritur në këmbë dhe ka mundur të kryejë çfarëdo pune, qoftë edhe të rëndë fizike. 


Besarta ka deklaruar se për një kohë të gjatë ka pasur dhimbje të mëdha në pjesën e fundme të barkut. Mjekët kishin zbuluar ciste në veshkat e saj. Ajo thotë se e kishte përjetuar rëndë këtë lajm dhe kishte pasur shumë drojë për të hyrë në operacion.
“Ka ndodhur mrekullia, falë doktor Salihut”, ka thënë Besarta e emocionuar.  

Krasniqi ka bërë të ditur se ka përdorur metodën laparaskopike tek të gjithë këta pacientë, për të hequr cistet në veshka. Këto janë metodat më të avancuara në botë në fushën e shëndetësisë, ku operacioni bëhet pa prerje të organeve të pacientëve.
Krasniqi sqaron se operacionet e veshkave, me prerje, janë shumë të vështira për pacientin, si në aspektin e rikthimit në jetën normale, si në atë financiar. 

Drejtori i Kirurgjisë së Përgjithshme, Mehmet Maxhuni, duke prezantuar punën njëvjeçare, për vitin e kaluar, të kësaj Klinike, gjatë një konference për shtyp, të martën ka porositur pacientët e Kosovës që për kujdesin kirurgjik të mos shkojnë jashtë vendit, sepse ato janë shumë më profesionale këtu. 


“Për kirurgji mos shkoni jashtë vendit, sepse kemi shërbime profesionale. Dhe madje kemi shumë raste që janë operuar jashtë vendit, por janë kthyer për t’u shëruar tek ne”, ka konstatuar Maxhuni. 
Megjithatë, ai ka pranuar se gjatë 2010-ës në Kirurgji kanë vdekur 54 pacientë. “Ky është numër i pranueshëm për shëndetësinë”, ka vlerësuar ai.  
Maxhuni, ka pohuar se në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë, kryhen 90 për qind e  shërbimeve kirurgjike që kryhen edhe në shtetet e zhvilluara dhe pacientët nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë vendit për intervenime kirurgjike. 


Ai ka treguar se në QKUK, mund të bëhet edhe operacioni i restrikcionit të mëlçisë dhe tumori në rrugë binare, të cilat, sipas tij,  kryhen në mënyrë shumë profesionale, dhe atë “shumë më mirë se në klinikat private dhe klinikat e tjera jashtë vendit”. 
Maxhuni ka pohuar se në kuadër të Klinikës së Kirurgjisë, ekzistojnë 9 salla të operacionit, shtatë prej tyre për intervenime operative selektive dhe 2 për intervenime emergjente.



Ai ka thënë se vetëm në ambulancat specialistike, gjatë 2010-ës, janë kryer 19.165 kontrolle mjekësore, kurse operacione në Kirurgji Abdominale janë kryer 693, në vaskulare 353, në Torakale 588, në Plastike 461, në Laparaskopi 645 dhe në Endoskopi 645 intervenime.
Sipas tij, Klinika e Kirurgjisë ka gjithsej 4 profesorë të kirurgjisë, dhe 6 asistentë të tyre. Ndërsa, janë  57 mjekë specialistë, 35 prej tyre kirurgë të përgjithshëm , 6 specialistë të Kirurgjisë Plastike dhe rekonstruktime, 10 specialistë të Kirurgjisë Vaskulare dhe 6 specialistë të Kirurgjisë Torakale
./topLajm
shko