e hënë, 21 mars 2011

Imami: Nuk i shitëm armë Libisë

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për shitje municionesh Libisë në mënyrë të paligjshme. 
Gjatë një raportimi në Komisionin e Sigurisë, i thirrur me

kërkesën e deputetëve socialistë, Imami pranoi vetëm faktin e një kontrate me Jemenin për shitjen e 4 milionë fishekëve, 12.7, por që nuk u mbyll për shkak të tërheqjes së vetë kërkuesve, raporton Top Channel.
 
“Por nuk ka pasur kërkesë. Jemeni është një vend aleat, jo i joni, por në luftën kundër terrorizmit”, ka sqaruar Imami. 


Deputeti socialist Ilir Gjoni kërkoi sqarimin e akuzave të bëra edhe nga gazeta “New York Times” në lidhje me gjetjen e armëve shqiptare në një port libanez. 


“Të na sqaroni nëse ka pasur apo jo importe nga Serbia dhe Iraku të materialeve ushtarake, dhe nëse po për çfarë qëllimesh janë bërë. Ju duhet të na sqaroni, sepse institucioni që drejtoni ju ndikon më shumë nga të tjerët”, ka theksuar Gjoni. 


Ministri i Mbrojtjes Imami pranoi faktin e blerjes së municioneve luftarake nga Mali i Zi jashtë nevojave të tij. Por, sipas të dhënave që disponon Ministria shqiptare e Mbrojtjes, fqinjët tanë i modifikojnë armatimet dhe i rishesin në tregun botëror. 


“I merr, i demonton, i rregullon dhe i rishet. Pasi bën një proces industrial i rishet. Për çfarë ndodh në Malin e Zi ne nuk mund të përgjigjemi”, është përgjigjur Imami. 


Shqipëria i ka shitur armë në tre vitet e fundit Burundit, Çekisë dhe Malit të Zi. Edhe pse ka patur kontrata të tjera, ato nuk janë realizuar. Ajo që bie në sy është fakti se, kërkesat, në më të shumtën e rasteve janë për fishekët e kalibrit 12.7./tch/
shko