e martë, 1 mars 2011

Ish-udhëheqësit e BQK-së dyshohen për plaçkitje të 15 milionëve të PTK-së

Afrim Kryeziu, hetues financiar në Departamentin kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit, i ka bërë përgjegjës ish-zyrtarët e Autoritetit Bankar dhe të Pagesave të Kosovës për falimentimin dhe likuidimin e Bankës Kreditore të Prishtinës.

Arsyeja pse e kishin falimentuar dhe likuiduar këtë bankë, sipas tij, ka qenë plaçkitja e parave të saj, duke përfshirë edhe 15 milionë euro të Postës dhe Telekomit të Kosovës që ishin të deponuara në BKP. 


Përgjegjës për mbylljen e kësaj banke në vitin 2006, sipas tij, janë Donat Branger, ish-drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Bankar dhe i Pagesave, David Weatherman ish-drejtor i Bankave dhe i Sigurimeve në ABPK, Thomas Turula, ish-drejtor i Sigurimeve në ABPK, si edhe Hashim Rexhepi, ish-drejtor i Sigurimeve në Kosovë, të cilët ai i ka quajtur strukturë mafioze. Kryeziu ka thënë se ky grup qëllimisht dhe me paramendim, fillimisht e ka mbyllur bankën, pastaj e ka falimentuar atë dhe në fund e ka likuiduar sikurse ka bërë me kompanitë e sigurimeve “Drini” dhe “Kosova”, të cilat, siç ka thënë ai, “kanë rënë viktimë e këtij grupi mafioz”. 

Afrim Kryeziu ka qenë dëshmitari i fundit të hënën në procesin gjyqësor që është zhvilluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kundër një grupi të akuzuar për disa vepra penale në rastin e Bankës Kreditore të Prishtinës. Sipas aktakuzës që përfaqësohet nga dy prokurorë, Nazmi Mustafi dhe Johachim Stollberg, Zeqir Shamolli, Mehmet Nuredini, Hysen Sadiku, Bedri Humolli, Mazar Kazagiqi, Orhan Ismajli, Besim Hasani dhe Halil Gjergjizi, kanë kryer tri vepra penale: kontraktim i kontratave të dëmshme dhe mashtrim dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, në Bankën Kreditore të Prishtinës, duke mashtruar persona tjerë me anë të prezantimeve të rrejshme që të kryejnë vepra në dëm të pronës së tyre, që ka rezultuar në dëme në shuma prej më shumë se 15.000 euro, duke hyrë në borxhe shumë të mëdha, të këqija dhe duke fshehur mospërmbushjen e kredive.


Hetuesi policor, Afrim Kryeziu, i cili ka qenë dëshmitar i mbrojtjes, ka treguar qysh kur kishte nisur hetimet në rastin e Bankës Kreditore të Prishtinës, në të cilën kishte punuar vetëm një muaj. Kur hetimet e para kishin filluar ta çonin në Bankën Qendrore të Kosovës, që në vitin 2006 quhej Autoriteti Bankar dhe i Pagesave të Kosovës, ai bashkë me kolegët e tjerë vendës ishte përjashtuar nga hetimi. 


“Pasi pistat e hetimeve na kanë çuar në Bankën Qendrore të Kosovës, pasi e kanë kuptuar, kanë intervenuar dhe na e kanë marrë rastin. Askush nuk ka mundur t’i ndalë që të na marrin këtë rast. Richard Stivens ka qenë në atë kohë shef i krimeve ekonomike e ky sektor nuk ka qenë i specializuar për hetime të tilla. Kjo jep me kuptue që rastin na e kanë marrë me qëllim”, ka thënë Kryeziu.


Kryeziu i ka paraqitur gjykatës një raport hetimor që sipas tij tregon se BKP-ja, ndonëse nuk ishte në gjendje më të keqe sesa Banka Private e Biznesit dhe “Kasabanka” është falimentuar me qëllim të plaçkitjes së miliona eurove nga disa ish-zyrtarë ndërkombëtarë dhe vendës. 
“Kjo bankë ka mundur të shpëtojë nga falimentimi pasi ka ardhur Banka e Re e Lubjanës që ta blejë atë. Mënyra si janë sjellë zyrtarët e BQK-së ndaj kësaj banke ka pasur për qëllim shkatërrimin e saj”, ka thënë Kryeziu. 


Gazeta e ka siguruar raportin hetimor të policit, Kryeziu, të cilin ia ka paraqitur gjykatës. Në të ai shkruan se “ky grup për një periudhë mjaft të gjatë kohore ka zhvilluar korrupsion institucional në Kosovë fillimisht me shoqëri të sigurimeve duke shkaktuar qëllimisht falimentimin e tyre, siç është kompania ‘Drini’ dhe ‘Kosova’ dhe në fund edhe ‘Dardania’ duke vazhduar me falimentimin e qëllimshëm të bankave komerciale”. 


“Ky grup ka përdorur të njëjtin sistem të punës për mbylljen, shkaktimin e falimentimit dhe pastaj plaçkitjen e tyre. Tani më dihet botërisht se rasti i Bankës Kreditore të Prishtinës është bërë për përfitime personale të zyrtarëve të lartpërmendur”, ka thënë Kryeziu. Veprimet e këtyre ish-zyrtarëve, sipas tij, kanë qenë të orientuara edhe në falimentimin dhe plaçkitjen e “Kasabankës” dhe Bankës Private të Biznesit, por sipas tij falë punës së hetuesve policorë ato kanë shpëtuar.

 
“Me të parë se hetuesit vendës kanë siguruar shënime që involvonin ndërkombëtarët të cilët kanë punuar në strukturat e larta të ABPK-së, rasti na është marrë nga hetuesit ndërkombëtarë pa kurrfarë shpjegimi dhe na është ndaluar puna e mëtejshme në këtë drejtim”, ka thënë ai për të shtuar se në hetime ka punuar edhe hetuesi ndërkombëtar Richard Stivens (Riki), i cili sipas Kryeziut e kishte këshilluar me fjalët: “Jeni të rinj, këqyrni punën tuaj dhe mos u përzieni në këto punë”. Polici ka thënë se mënyra e marrjes së rastrit nga Richard Stivens, i cili në atë kohë duke punuar si shef në krimet e rënda ekonomike si dhe mënyra e sjelljes e kishte bërë që të dyshojë. 


Afrim Kryeziu ka thënë se posa është kryer ky rast, Richard Stivens, të cilin e ka quajtur të dyshuar, ka marrë një pozitë të lartë në PTK. Qëllimi i shkuarjes në PTK, sipas tij, ishte shkatërrimi i dëshmive të miliona eurove që ishin të deponuara në Bankën Kreditore të Prishtinës dhe plaçkitja e tyre.


 “Banka Kreditore e Prishtinës si partner strategjik kishte gjetur Bankën e Re të Lubjanës, mirëpo në ditën kur është bërë marrëveshja në mes të këtyre dy bankave që parashihej se ajo nga Sllovenia t’i blinte 51% të aksioneve, në skenë dalin të lartpërmendurit dhe në të njëjtën ditë më 10 mars 2006 bordi i AQBK-së ia merr licencën BKP-së”, ka thënë ai duke shtuar se kjo është bërë vetëm që të mos i mundësohet Bankës së Lubjanës të paguajë paratë në emër të blerjes së 51 % të aksioneve. 


Kryeziu ka treguar se kur dy zyrtarë të Bankës së Lubjanës kishin ardhur në Prishtinë më 3 dhe 4 prill 2006, ai i kishte përcjellë në hotelin “Grand” në Prishtinë, ku edhe i kishte dëgjuar duke thënë se “z Mitchell Stivens ka bërë kërkesa që janë jashtë etikës profesionale dhe na ka ndaluar çdo kontakt me gazetarë dhe persona tjerë”. 


“Posedoj edhe shkresën e datës 10.03.2006 të nënshkruar nga Michell Stivens dhe Hashim Rexhepi drejtuar bordit për të revokuar licencën e Bankës Kreditore të Prishtinës. Kjo kërkesë është bërë pa raport kontrolli që nuk ka guxuar të ndodhë. Ka shumë gjëra të diskutueshme në këtë shkresë dhe të dyshimta për të cilat mungojnë provat. Një ndër to është edhe kërkesa për një aksionar strategjik kinse nuk është realizuar”, ka thënë në raport hetuesi që ishte përjashtuar nga hetimi. 


Në dokumentin dorëzuar gjykatës, Kryeziu pretendon se ka dokumente se për marrjen e licencës së Bankës Kreditore të Prishtinës e ka nënshkruar drejtori i ABPK-së e jo bordi drejtues që sipas tij ishte kompetencë për marrjen e licencës. Ai thotë se ka edhe një shkresë që mban datën 13 shkurt 2006 të ABPK-së drejtuar Bordit të Bankës Kreditore të Prishtinës në të cilën thotë se kjo bankë edhe pas datës 04.01.2006 ka vazhduar të japë kredi edhe pse, sipas tij, Banka Kreditore është urdhëruar t’i pushojë të gjitha kreditimet. 


“Kam bërë hulumtime në lidhje me këtë shkresë në BPK dhe në zyrën e likuidatorit të kësaj banke dhe kam vërtetuar se nuk ka lëshuar asnjë kredi pas ndalimit të datës 04.01.2006”, thotë Afrim Kryeziu. Ky hetues ka shtuar se ka edhe një shkresë tjetër të datës 10.03.2006 që ka të bëjë me hapjen e kasafortës në zyrën e drejtorit ekzekutiv të BKP-së, në të cilën ishin të ruajtura sekretet e bankës. 


“Kasaforta pa urdhëresë të askujt është hapur me forcë në Gërmi të Prishtinës, duke mos mbajtur asnjë proces se çfarë dokumentesh ka pasur në të. Aty me qëllim mund të jenë asgjësuar dokumente shumë të rëndësishme të BKP-së”, ka thënë ai. 


Procesi ka vazhduar me fjalën përfundimtare të prokurorit, Nazmi Mustafi, i cili ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i shpallë fajtor dhe t’i dënojë të akuzuarit sipas ligjit. Sipas tij, në bazë të provave materiale dhe dëshmive të dëshmitarëve është vërtetuar se ata kanë kryer vepër penale./kn
shko