e martë, 22 mars 2011

Jeremiç dezinformon


Me datën 17 mars 2004, në kolegjin Wheaton të shtetit të Ilinoisit, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, z. Vuk Jeremiç dhe stafi përcjellës i përfaqësuesve të shtetit serb në SHBA (ambasadori serb në SHBA, konsuli në
Chicago dhe kleriku ortodoks) ashtu siç kishin planifikuar me mjaft mjeshtri mbajtën një ligjëratë me temë “Identiteti, pajtimi dhe lufta për Kosovë”.
Fjalimi kishte përmbajtje të zgjedhur me kujdes nga diplomacia serbe që të arrihej efekti i caktuar për audiencë shumë specifike në këtë kolegj. Kolegji Wheaton është njëri nga kolegjet më të njohura evangjeliste në SHBA dhe mësimet, të cilat zhvillohen në këtë kolegj, në thelb e kanë krishterimin dhe Jezu Krishtin si udhërrëfyes. Siç u pa më vonë, audienca ishte e përbërë kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit serb në Illinois, që njihet si një nga komunitetet më të mëdha serbe në mërgatë. 

Ligjërata filloi me një video, e cila zgjati përafërsisht 10 minuta, ku shiheshin xhirime specifike nga trazirat e 17 dhe 18 marsit të vitit 2004. Menjëherë pas kësaj ligjërate z. Jeremiç mbajti një fjalim,i cili fund e krye ishte fjalim i shpërndarjes së gënjeshtrave, shtrembërimit të fakteve dhe ngjyrimit të konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë me karakter fetar dhe urrejtje ndëretnike (natyrisht me përjashtim të disa fjalive ku kërkonte pajtimin dhe kompromisin në mes serbëve dhe shqiptarëve). 
Në këtë ligjëratë, spontanisht të organizuar, morën pjesë edhe tre shqiptarë të Kosovës që janë duke studiuar dhe punuar përkohësisht në SHBA, duke përfshirë këtu vehten time, mjekët dr. Ekrem Maloku dhe Dr. Avni Thaçi, dhe Z. David Goatas, i diplomuar nga kolegji Wheaton dhe njëherit udhëheqës i Komitetit të Fondit Kosovaro Amerikan për Edukim. 

Z. Jeremiç filloi fjalimin duke i cilësuar trazirat e 17 dhe 18 marsit 2004 si sulm të organizuar ndaj serbëve dhe kishës ortodokse nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Ai i përshkruante këto sulme si mirë të organizuara si nga aspekti i logjistikës dhe mediave në Kosovë, gjoja të mbështetura edhe nga strukturat e caktuara politike të shqiptarëve. Ai nuk hezitoi aspak që këto ngjarje t’i kualifikoj si sulm ndaj krishterimit dhe kishave të cilat për mision kanë dashurin ndaj zotit dhe paqen. 
Paraqiste Kosovën si vend që gjithmonë ka qenë problematik dhe shqiptarët, të cilët kurrë nuk reshtën duke përdorur dhunën ndaj kishës ortodokse dhe serbëve në Kosovë dhe se ngjarjet e organizuara me 17 dhe 18 mars 2004, sipas tij, kishin për qëllim spastrimin kulturor dhe identitetit serb. Përmendi ngjarje, sipas tij, shumë të dhimbshme nëpër të cilat kaloi ushtria serbe gjatë rrugës për Shqipëri nëpër Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe betejën e vitit 1389 në mes ushtrisë serbe dhe asaj osmane. Ai e quajti Kosovën “drita e syrit” dhe “Jerusalemi i Serbisë”. 
Në vazhdim të përpjekjeve të Jeremiçit për të “përshkruar” ngjarjet e marsit 2004, ai përdorte thënie nga Bibla, Solomoni, Abraham Linkolni e Martin Luther Kingu dhe krahasonte qëndrimet dhe veprimet e Serbisë në frymën e këtyre aspiratave. Gjithashtu nuk la pa përmendur se, sipas tij, disa njerëz të UNMIK-të të atëhershëm i quajtën këto trazira me emrin “Kristllnight”, term ky i cili përshkruan krimin dhe gjenocidin nazist mbi Jevrenjët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Z. Jeremiç përmendi gjithashtu raportin e Dick Martyt që e karakterizoi si raport i aprovuar nga Parlamenti Evropian, i cili përbëhet nga një numër i madh shtetesh demokratike të Evropës dhe pa hezitim tha se këto krime janë kryer dhe se fajtorët duhet të nxirren para drejtësisë. 

Ligjërata e tij vazhdoi me konkluzionet e Z. Jeremiç se shteti i vetëshpallur i Kosovës sot njihet vetëm nga 1/3 e vendeve anëtare të OKB-së, ka një ekonomi të shkatërruar dhe jofunksionale, institucione të korruptuara fund e krye dhe kulturë të mos-ndëshkimit juridik dhe se është kryekëput i bazuar në pastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit të kryera ndaj serbëve të Kosovës. Për në fund ai foli se si sot demokracia në serbi lulëzon dhe se shteti serb prodhon vetëm politikë konstruktive ndaj problemit të Kosovës dhe se është e vendosur që shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga shqiptarët t’i kundërvihet me mjete ekskluzivisht paqësore. 
Ai tha se Serbia ka ndryshuar dhe nuk do të duhej që çmimi i disa gabimeve nga politikanët e së kaluarës të paguhen nga populli serb me humbjen e territorit të vet historik. Zgjidhja e vetme, sipas tij, është dialogu dhe kompromisi dhe rruga e vetme për paqe është pajtimi i shqiptarëve dhe se politika e Serbisë është kryekëput e fokusuar për të arritur këto standarde.
Ligjërata ishte paraparë të përcillej me pyetje menjëherë pas fjalimit të Z. Jeremiç dhe diskutimeve nga të pranishmit. 
Pas disa pyetjeve nga disa të pranishëm lidhur me shifrat e të dënuarve për ngjarjet e marsit 2004, numrin e përgjithshëm të serbëve të dëbuar nga Kosova (që për befasi z.Jeremiç nuk e dinte këtë numër dhe tha se i duhet të shkoj ta kërkoj dhe t’i kthej përgjigje zotëriut që bëri pyetjen një herë tjetër!) fjala ju dha Z. David Goatas, i cili tha se si mik i shqiptarëve po ashtu edhe serbëve dhe i cili kishte vizituar rajonin shumë herë deri më tani, bëri dy pyetje për Z. Jeremiç; “Pse diplomacia serbe në krye me Jeremiçin gjatë takimeve me botën arabo-muslimane mundohet t’i paraqes shqiptarët e Kosovës si jo-mysliman të denjë dhe miq të SHBA-ve dhe perëndimit, ndërsa në anën tjetër, gjatë takimeve me botën perëndimore mundohet t’i paraqes ata si fundamentalist dhe terrorist islamist, të cilët janë kundër civilizimit të krishterë dhe atij perëndimor? 
Kur do të ketë politika e jashtme serbe një qëndrim të vetëm dhe principiel ndaj shqiptarëve të Kosovës? Dhe e dyta ishte kur ai citon krahasimet e ngjarjeve të marsit 2004 me “kristallnight”-in a e merr parasysh z.Jeremiç faktin se i vetmi vend ku asnjë çifut nuk u vra dhe nuk iu dorëzua nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte Shqipëria dhe territoret e banuara me shqiptarë?. Z. Goatas në vazhdim foli për vizitat e tij në Ballkan dhe tha se ajo që u mundua të paraqitej këtu ishte jashtëzakonisht e njëanshme dhe e tejfryer nga z.Jeremiç dhe politika e jashtme serbe. 
Në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe figura të atilla që kishin humbur krejtësisht lidhjen me realitetin. I tillë ishte rasti i një pjesëmarrësi amerikan me origjinë holandeze, i cili nuk hezitoj t’i kualifikonte shqiptarët me terme shumë të rënda, si bërllok, njerëz me mungesë edukate e arsimi dhe rrugaç. I njejti person deklaronte se nuk ishte serb dhe se asnjëherë nuk kishte qenë në Serbi, por kështu kishte dëgjuar nga të tjerët. 

Të pranishmit nga Kosova, pas një diskutimi 5-10 minutash paraqitën një fotografi tjetër nga ajo e Jeremiçit me argumente dhe fakte, të cilat jo vetëm që rrëzuan dhe zbuluan të gjithë këtë farsë dezinformuse, por gjithashtu zgjuan kureshtje tek një pjesë e konsiderueshme e të pranishmëve për të bërë pyetje shtesë lidhur me ngjarjet e 17-18 marsit 2004, dhe po ashtu edhe lidhur me historikun e mëhershëm të këtij konflikti. 
Kishte edhe momente kur të pranishmit ishin aq shumë të revoltuar me argumentimet e kosovarëve sa që kërkonin të “mbyllim gojën” dhe të “mos flasim më shumë”. Kjo nxiti edhe më shumë debatin nga anëtarët e Kolegjit Wheaton që të bëjnë pyetje lidhur me të vërtetën në Kosovë dhe bëri që z Jeremiç të ndihet mjaft “I nxënë ngushtë” dhe në shumicën e pyetjeve të iu shmanget përgjigjeve direkte. 

Z.Jeremiç dhe audiencës iu shpjegua se në çfarë realisht bazohet shpallja e pavarësisë së Kosovës, se si është kualifikuar kjo shpallje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si është zhvilluar historia e shtypjes dhe terrorit të organizuar shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Jugosllavi jo vetëm në vitet e 80-ta dhe 90-ta, por shekuj me radhë. U argumentua se konflikti në mes shtetit serb dhe popullit shqiptar në Kosovë kurrë nuk ka qenë me ngjyrime religjioze dhe se kisha ortodokse serbe vuan pasojat e politikës së saj shekullore të artikuluar edhe në programet akademike serbe e të zbatuara nga shteti serb ndaj shqiptarëve. 
Gjithashtu u përmend toleranca fetare që ka mbizotëruar në mesin e shqiptarëve gjithmonë dhe se intervenimi i NATO-së dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë ka pasur për bazë pikërisht të kundërtën e asaj çka z.Jeremiç mundohej të argumentonte e që ishte spastrimi etnik dhe krimet kundër popullsisë civile në Kosovë dhe shkelja e të drejtave elementare të njeriut e organizuar nga shteti serb. Gjithashtu u fol për përpjekjet dhe arritjet e mëdha në integrimin e serbëve në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës nga institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës të cilat në krahasim me 9 vite të Misionit të UNMIK-ut janë shumë më të mëdha vetëm në 3 vite të ekzistencës së shtetit të pavarur të Kosovës. 
Iu bë me dije z.Jeremiç se ka harruar të përmend krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në të cilat Serbia ishte agresore dhe mbështetëse kryesore, krimet e kryera në Kosovë nga aparati shtetëror serb në mënyrë të organizuar dhe sistematike dhe përpjekjet e pareshtura të Serbisë që të minoj çfarëdo lloj stabiliteti në Kosovë dhe Ballkan përmes financimit të strukturave kriminale paralele. 
Masës iu vu në dijeni fakti se raporti i Martyt është aprovuar nga Parlamenti Evropian për hetime të mëtutjeshme, dhe jo si diçka që është vërtetuar, me gjithë faktin se këto pretendime janë hetuar edhe nga Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi dhe Misioni i UN-it në Kosovë e të cilët nuk kanë gjetur fakte të mjaftueshme për të mbështetur këto pretendime me procese gjyqësore. 
Në fund pjesmarrësit kosovarë u interesuan të mësojne se si z.Jeremic ka si pikësynim pajtimin kur politika të cilën ai e përfaqëson merret vetëm me shpërndarje të dezinformatave dhe demonizimin e popullit shqiptar në Kosovë, është e njëanshme dhe shpërndan urrejtje etnike, fetare dhe kulturore në mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë? 
Në fund, pjesëmarrësit kosovarë dhanë edhe intervistë për radiot lokale dhe zhvilluan biseda të gjera me studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë në një koktej rasti të organizuar pas fjalimit./qendra
shko