Bastisja dhe gjetja e armëve, të hënën, është konfirmuar sot edhe nga policia, e cila ka njoftuar se i dyshuari është ndalur për 48 orë. Rreshteri Xhevat Ibra, zëdhënës i Policisë në Pejë, ka sqaruar se në bashkëpunim në konsultim me prokurorin publik, policia ka ndërmarrë një operacion kontrolli-bastisje në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të një të dyshuarit.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit Anton (P.) M., 1962, lindur dhe banues në fshatin Deiq – Klinë, janë gjetur dhe konfiskuar 11(njëmbëdhjetë) pushkë gjuetie dhe një pushkë ajrore, si dhe 94 copë municioni të kalibrave të ndryshëm.
Gjatë intervistës, nga i dyshuari është kuptuar se ai kishte një lokal për përkthim nga gjermanishtja në lagjen Arbëria në Klinë, për të cilën dyshohet se e ka përdorur edhe për shitjen e armëve dhe pajisjeve të pushkëve të gjuetisë. Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori publik, me urdhrin e të cilit i dyshuari është ndaluar për 48 orë në lokalet e ndalimit të DRP në Pejë. Rastin do ta procedojë Njësia për Hetime Rajonale–Pejë./kn