e shtunë, 5 mars 2011

Për “Natën e Zjarreve”, 400 policë të angazhuar

Policia e Kosovës thotë se ka ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar siguri dhe rend për të gjithë pjesëmarrësit në manifestimin tradicional “Nata e Zjarreve” që mbahet më 7 mars në Prekaz. 

Zëdhënësja Sabrie Kamberi ka bërë të ditur se policia rajonale e Mitrovicës ka bërë një plan operativ për ruajtjen e rendit dhe qetësisë, dhe ka angazhuar rreth 400 pjesëtarë policorë. 

“Përgjegjësia bie mbi drejtorinë rajonale të Mitrovicës, e cila ka përgatitur një plan operativ sa i përket gjendjes së sigurisë qoftë në trafik, qoftë edhe gjatë organizimit që do të mbahet. Janë diku rreth 400 forca të Policisë së Kosovës, të cilët do të merren ekskluzivisht me këtë manifestim, do të thotë do të jenë të gatshëm gjatë këtyre ditëve të manifestimit dhe në bazë të informative paraprake që ne i kemi nuk pritet që të ketë ndonjë incident apo diçka të tillë”, ka thënë Kamberi, për KosovaPress. 

Ndonëse Kamberi nuk ka dhënë detaje tjera të planit operativ të policisë, herat e kaluara Policia e Kosovës ka aplikuar një sistem trafiku një kohor për të mundësuar qarkullim më efektiv dhe më efikas të trafikut, brenda dhe përreth qytetit të Skenderajt dhe vendit ku do të zë vend kremtimi i “Natës së Zjarreve” në Prekaz. 

Rrjedha e qarkullimit të trafikut rrugor kontrollohet dhe drejtohet me udhëzimet e dhëna nga oficerët e policisë, për të përshtatur një sistem funksional të qarkullimit. 

Me këtë rast, drejtuesit e automjeteve do të marrin të gjitha instruksionet e duhura nga pjesëtarët e policisë së Kosovës në terren. 

Për vend parkingjet e siguruara paraprakisht, qytetarët do të marrin instruksionet nga zyrtarët policorë./ge
shko