Ka vendosur ta provojë edhe një herë. Do të jetë e njëjta eksperiencë, por kësaj here shtëpinë e vëzhguar nga 24 kamerat do ta ndajë me disa banorë specialë. Ata janë të
famshëm në profesionet e tyre dhe mbi të gjitha ka fatin t’i njohë paraprakisht. Kjo e bën akoma edhe më të sigurt, se sa eksperienca e tij në “Big Brother 2”, ku banorët ishin fare të panjohur dhe mbi të gjitha ishte hera e parë që provonte veten të garonte për një çmim në kushte izolimi.Le të mësojmë më shumë për këtë eksperiencë të re të 35-vjeçarit nga Vlora, Qetësor Ferunaj, i cili vetëm pak ditë më parë i ka thënë ‘po’ ftesës për të qenë pjesë e “Vip Shpia”, një reality show që do të fillojë me 1 prill dhe do të bëhet në Prishtinë.
Si ka mundësi që pranoni një tjetër ofertë për një eksperiencë të provuar më parë?
Me thënë të drejtën më joshi emri i formatit. Kur dola nga “Big Brother”, edhe pse triumfues, përsëri nuk më dukej vetja Vip. Tani që formati quhet “Vip shpia”, po u futa aty bëhem automatisht vip. Kjo e thënë pak me shaka kuptohet.
Po arsyeja e vërtetë atëherë meqë kjo ishte shaka?
Më shtyn i njëjti motiv si ai për të cilin hyra në “Big Brother” dy vite më parë, është thjesht çmimi.
Dhe ti ke siguri që do të fitosh edhe kësaj here?
Aq i sigurtë jam, sa shtëpinë që jepet si trofe për fituesin, unë e kam nxjerrë që tani në shitje.
Komplimente për besimin që ke në vete, po a nuk mendon se mbase në Kosovë nuk do arrish të jesh aq i suksesshëm sa në Shqipëri, pasi jemi shqiptarë, por me mentalitete të ndryshme?
Nuk më shqetëson fare ky fakt, unë kam dhënë prova të forta që di të përshtatem në bashkëjetesa të tilla, kështu që jam i qetë. Pastaj kam votuesit e mi të cilët nuk do ta kursejnë një sms për mua.
A je informuar më parë se cilët do të jenë bashkëudhëtarët e tu në këtë aventurë televizive, mbase ke ndonjë që nuk të pëlqen?
Po, janë disa artistë nga Kosova si Xuxi dhe ndonjë tjetër, por që unë pak i njoh. Nga Shqipëria është Rovena Stefa, si dhe patriotja ime, Maja.
Dimë që merresh me bizneset e tua, je edhe në shkollë. Sa do sakrifikosh duke u përfshirë në këtë reality, që mesa dimë do të zgjasë 6 javë?
Do sakrifikoj shumë sepse në rradhë të parë do të jem larg familjes sime, pastaj kam edhe disa gjëra të rëndësishme që do më duhet t’i lë pezull.
Në këtë program bëhen kontrata me secilin pjesmarrës për pagesa ditore, të cilat janë mjaft të larta. Ti sa do të paguhesh?
Nuk e kemi mbyllur akoma kontratën.
E dyta herë pjesmarrës në një format pothuajse të njëjtë. Nuk të preokupon fakti që mund të paragjykohesh si njeri që di të bësh vetëm këtë punë?
Punë e madhe, madje le të më quajnë edhe personazh reality të përjetshëm po të duan, unë merakosem vetëm për çmimin, jo se çfarë thonë paragjykuesit. Jetën time deri tani e kam menaxhuar aq mirë sa më është krijuar ideja që nuk gaboj në vendimet që marr./vi