e hënë, 7 mars 2011

Greta dhe Vilma Zenelaj dy shqiptare në Holywood

Greta dhe Vilma Zenelaj janë dy shqiptaro-amerikane që tashmë kanë filluar karrierën e tyre në fushën e filmit në Hollivud dhe kanë themeluar edhe kompaninë e tyre filmike “Colored Films”. 

Deri tani ato kanë përfunduar me sukses dy filma me metrazh të gjatë, komedinë “What do I do now?” (Çfarë të bëj tani?) dhe “In the woods” ( Në pyll), premieria e të cilit do të shfaqet me 19 mars në Ontario të Kandasë. Kolegia Bardha Shpuza Azari bisedoi me Gretën dhe Vilmën mbi sfidat e konkurrencës në kinematografinë hollivudiane si dhe projektet e tyre për të ardhmen.

“In the woods” apo “Në pyll” është filmi i fundit i dy motrave shqiptare në Hollivud, Vilma dhe Greta Zenelaj. Skenari i këtij filmi të pavarur me buxhet të kufizuar është shkruar dhe drejtuar nga vetë Vilma e cila është edhe regjizore e filmit, ndërsa rolin kryesor në film e luan Greta.

“In the Woods” “Në pyll” sapo është pranuar në Female Eye Festival, për të marrë pjesë në Toronto në muajin mars, si dhe në New York Film Festival, i cili do mbahet në fillim të prillit," thotë Vilma.

Vilma dhe Greta erdhën në Shtetet e Bashkuara në vitin 2003 dhe u vendosën në Los Anxhelos. Ëndrra e tyre ishte të bënin karrierë në një prej fushave më me konkurrencë të artit dramatik, në kinematografi.

“Mënyra se si fillova unë karrierën ishte me disa pjesë teatrale këtu në Los Anxhelos. Aty ishin prezantimet e mia të para. Pastaj mora pjesë në dy reklama dhe disa filma studentësh. Filmi im i parë me metrazh të gjatë ishte filmi horror “Day of the Dead” apo “Dita e të Vdekurve”. Pastaj filmi im i dytë, por i pari që bëmë si kompani ishte komedia “Çfarë të bëj tani” dhe filmi i fundit titullohet “Në pyll.”

Në shtator të vitit 2008, Greta dhe Vilma Zenelaj themeluan së bashku kompaninë e tyre filmike Colored Films, një hap mjaft i guximshëm dhe ambicioz në një vend që vlerësohet si origjina e filmave më të mirë në botë. Kjo është edhe kompania e parë shqiptare kinematografike në Hollivud.

“Ideja për krijimin e kompanisë “Colored Film” na erdhi sepse, mund të jenë shumë rrugë që mund të ndjekësh për pasionin tënd, dhe ne pamë shumë miq që ishin aktorë dhe merreshin edhe me prodhimin e filmave. Prandaj, ne menduam se duke qenë dy veta, mund ta krijonim lehtësisht kompaninë tonë.”

Projekti i parë i kompanisë Colored Films ishte filmi “Çfarë të bëj tani” i cili fitoi çmimin si komedia më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Nju Jorkut për Filmat e Pavarur në vitin 2009.

Tani, dy motrat po punojnë për projektin e tyre të tretë i cili do të ketë një temë që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre personale dhe përjetimet gjatë imigrimit nga Shqipëria në Amerikë.

“Ka të bëjë me një histori shqiptare dhe amerikane që nuk është treguar ndonjëherë. Kemi shumë besim tek potenciali i këtij projekti.”

“Pjesa e parë e filmit, rreth 20 minuta do të jetë në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër do të xhirohet në shtetin e Miçiganit.”

“Mund të themi se filmi është bazuar në histori të vërtetë sepse shumica e këtyre ngjarjeve i kemi përjetuar edhe vetë në një mënyrë apo një tjetër. Dhe ngjarjet zhvillohen në vitet 1990 në Shqipëri, tamam në atë kohë kur filluan këto probleme.”/bw
shko