Gjatë një takimi me Drejtorin e Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në KE, Jean Louis Laurens, kreu i qeverisë konsideroi të pabazuar në fakte raportin e Dick Marty, ndërsa akuzoi këtë të fundit për anshmëri politike dhe për abuzime me autoritetin e Këshillit të Europës.
“Është një raport tërësisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, cka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë një abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Europës”, deklaroi Berisha.
Deklarata e fortë e kryeministrit Berisha përcakton qëndrimin e qeverisë shqiptare në lidhje me raportin e anëtarit të Këshillit të Europës, Dick Marty ku kryeministri Kosovës, Hashim Thaci identifikohet si bosi i drogës si dhe trafikant armësh dhe organesh.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli konsideroi sot se raporti i Dick Marty është i pabazuar në fakte dhe sipas saj dëshmon shpërdorim të paprecedent të detyrës nga ai.
Topalli theksoi se Këshilli i Europës duhet të nisë menjëherë hetimet në rast se autori i raportit nuk do të paraqesë provat që vërtetojnë akuzat e tij.
“Nëse Dick Marty nuk paraqet fakte për ato që ka shkruar dhe nuk i paraqet këto në Gjykata, do të ishte në nderin e Këshillit të Evropës, të kërkojë një ekspertizë mjeko-ligjore si dhe një hetim tërësor rreth rrethanave që e kanë shtyrë atë të prodhojë një raport të tillë ” tha Topalli
Raporti i plotë, i bazuar ne burime te FBI-s, u publikua sot në faqen zyrtare të Këshillit të Europës, duke zbuluar detaje tronditëse të trafikut të drogës dhe organeve, që dyshohet të jenë kryer nga Ushtria Clirimtare e Kosovës.
Raporti konstaton se godina e njohur si Shtëpia e Verdhë në veri të Shqipërisë, është përdorur si burg ku mbaheshin të burgosurit serbë, ndërsa operacionet e heqjes së organeve kryheshin në një shtëpi tjetër në Fushë Krujë, 20 km larg Tiranës.
Sipas dëshmive të mbledhura në raport, të gjithë të burgosurit vriteshin, zakonisht duke u qëlluar me një plumb në kokë, përpara se të operoheshin për tu marrë një apo më shumë organe.
Organet besohet se dërgoheshin në Turqi, në një grup kriminal të drejtuar nga Jusuf Sonmez, i njëjti doktor turk në kërkim nga Interpoli për përfshirjen e tij në aferat e dyshimta të klinikës Medikus në Kosovë.
Kryeministri Hashim Thaci identifikohet në raport si bos i drogës në Kosovë dhe njëri me ndikim në trafikun e heroinës.