Mirëpo, me gjithë vullnetin që mund ta ketë pretendenti për kryeministër të ardhshëm për t’u parë me kreun e AAK-së, mbrojtja e këtij të fundit dyshon se mund të realizohet diçka e tillë.
Koordinatori i mbrojtjes së Haradinajt, Michael O’Reilly, ka sqaruar të premten përmes një deklarate për shtyp se takimi mes dy liderëve për të diskutuar çështje të karakterit politik, në radhë të parë duhet iniciuar nga vetë Haradinaj.
“Duhet theksuar se ky takim në radhë të parë duhet të kërkohet nga vetë Haradinaj, dhe duke marrë për bazë të gjitha rrethanat, një kërkesë e tillë për takim do të refuzohej nga Tribunali”, ka thënë ai.
“Koha Ditore” përmes burimeve të veta ka marrë vesh se kryeministri në largim, në fakt ka pritur që takimin me liderin e AAK-së ta bënte në Prishtinë, pasi Tribunali i Hagës kishte vendosur që ta lironte përkohësisht Haradinajn nga paraburgimi. Por lirimi i Haradinajt u anulua vetëm një ditë para se ai të vinte në Kosovë, pasi Tribunali e miratoi kërkesën e Prokurorisë për të mos e lëshuar atë.
Në takimin e mundshëm mes dy politikanëve që ndërtuan parti pas mbarimit të luftës së UÇK-së, është llogaritur se do të nxirrej emri i kandidatit të AAK-së për president. Nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala është parë si njeri i mundshëm për këtë pozitë.
“Për PDK-në është me rëndësi që të marrë një qëndrim të qartë nga lideri i AAK-së, se kush nga partia e tij do të emërohej president, ndonëse të gjitha gjasat janë që ai të jetë Blerim Shala”, ka thënë një prej zyrtarëve të lartë të PDK-së. Në PDK nuk llogarisin që lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli do ta pranojë postin e kryetarit të Kuvendit, por atë do ta delegojë te një personalitet tjetër i partisë. Jozyrtarisht thuhet se kandidat potencial për kryeparlamentar do të jenë Mimoza Kusari- Lila ose Ibrahim Gashi.
Ky i fundit llogaritet të jetë më favorit për këtë pozitë, për shkak se deri tani ka ushtruar pozitën e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit dhe e njeh punën e organit më të lartë legjislativ. Ndërkaq Kusari-Lila shihet si opsion edhe për drejtimin e ndonjërës prej ministrive që do t’i takonin AKR-së.
Gashi ka mohuar të jetë në dijeni që emri i tij të jetë përfolur për kryetar të Kuvendit, ndonëse nuk e ka mohuar që do ta drejtonte këtë institucion sikur atë t’ia besonte partia.
“Së pari dua të sqaroj se nuk kam qenë në Kosovë për katër ditë rresht, sepse kam qenë në Paris në mbledhjen e Komitetit të Këshillit të Evropës, dhe nuk di se çka mund të jetë diskutuar në nivel partiak, dhe së dyti dua të tregoj se jam i përgjegjshëm në kryerjen e çfarëdo detyre që ma ngarkon partia”, ka thënë Gashi përmes një bisede telefonike.