Zakonisht kjo pamje është përcjellë edhe me komentet se ekzistimi afër njëra –tjetrës e këtyre objekteve të kultit, të dy konfesioneve të ndryshme, paraqet simbolin më të mirë të tolerancës ndërfetare dhe paraqet pasuri të trashëgimisë kulturore jo vetëm për Ferizajn. Mirëpo këto ditë midis këtyre dy faltoreve është duke hedhur shtat një mur i lartë rreth dy metra.
Punimet që kanë filluar në oborrin e Kishës ortodokse serbe në Ferizaj janë pjesë e një marrëveshjeje të nisur nga përfaqësues të ICO-s, KFOR-it, udhëheqësve të dy konfesioneve fetare, si dhe të zyrtarëve komunalë të Ferizajt. “Po, ka qenë një nismë e dalë nga një takim i shumë subjekteve që objekti i Kishës ortodokse të meremetohet, të rregullohet oborri i saj, si dhe rrethoja e saj përgjatë tërë oborrit të Kishës”, sqaroi Besim Zymberi, nënkryetar i Komunës.
Këto punime kishin nxjerrë në pah objektin e kishës me tërë vlerat e saj karakteristike arkitektonike, pas prerjes së drunjve të lartë, si dhe heqjes së barishteve. Mirëpo ajo që i kishte habitur qytetarët ferizajas ishte se muri i rrethojës ishte shumë i ulët nga kufizimet me pamjet nga qyteti, kurse nga ana e Xhamisë ai ishte shumë i lartë.
“Të them të drejtën, edhe unë jam habitur kur e kam parë se po ngrihet aq i lartë, nuk i kemi pasur fjalët që muri të jetë aq i lartë ndërmjet dy objekteve tona të kultit, bile peshkopi i kishës Ati Zhika më ka thënë personalisht se me dëshirë do ta hiqte krejtësisht apo të ishte sa më i ulët”, shprehej Fehmi Mehmeti, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, që selinë e ka pikërisht në oborrin e Xhamisë së Madhe. Sipas Mehmetit, ky mur është fare i panevojshëm dhe vërtet sikur e zvetënon simbolin e tolerancës ndërfetare./kn