Fishta, figura më e shquar e letërsisë shqiptare, edhe pse do binte në harresë për 50 vite me radhë nga sistemi komunist, sado që koha kalon, vepra dhe personaliteti i tij, sikur tërheqin më tepër vëmendjen e lexuesve dhe studiuesve vendas dhe të huaj.
Ky shkrim nuk është vlerësimi i veprimtarisë së tij letrare apo vendi i tij në letërsinë e sotme shqiptare, por thjesht paraqitja e dokumenteve më të reja që kanë të bëjnë me Fishtën student.
Të rejat për Fishtën student
Për arsye të mungesës së priftërinjve vendas, dioqezës apo rregulltarëve dhe nevojës së ungjillëzimit të besimtarëve shqiptarë, të cilët nën pushtimin e egër turk me shumicë kalonin në besimin islam, Selia e Shenjtë, do të favorizonte shkollimin e brezave të rinj, sidomos rregulltarëve françeskanë, nëpërmjet kurjes me qendër në Romë.
Papa Gregori XVI., me bulën e tij “Felicis recordationis” (kujtesë gëzimi) datë 9 tetor 1832, pasi konstatoi shpërbërjen e provincës françeskane shqiptare dhe formimin e Misionit Apostolik në krye me prefektin At Petar Pinotiq, Misionin Françeskan Shqiptar ia kishte besuar provincës françeskane, Bosnjë- Srebrene, me seli të saj në Srebrenicë.
Themeluesit e Kolegjit Françeskan në vitin 1880, në Troshan të Zadrimës, misionarët At Mariano Pizzochini dhe At Gian Pierro Ferrari, duke qenë të nxitur nga porosia papnore për edukimin e brezave të rinj, nxorën nga ky Kolegj, pas pesë viteve shkollim, gjeneratën e parë, prej gjashtë nxënësish shqiptarë, të cilët në vitin 1886, qenë dërguar për studime të mëtejshme, në Bosnjë për t’u bërë meshtar të Urdhrit Françeskan.
Dallëndyshet e para që fluturuan nga Shkodra për në rishtari, (noviciat) në Guçja Gora, afër qytetit të Travnikut, sipas dok. 573, datë 15 tetor 1886, ishin: vëlla Anton Nënshati me emrin e pagëzimit, Martin; Jozef Blinishti, me emrin Mëhill; Pjeter Gjadri, me emrin Simon; Lorenc Mitrovic (Mazreku) me emrin Pashko; Ëngjëll Paliçi me emrin Sebastian dhe Gjon (Johannes) Fishta me emrin e pagëzimit Jozef.
Studiuesit dhe lexuesit, duke u mbështetur në literaturën e botuar për poetin tonë kombëtar, qoftë edhe në jetëshkruesit e tij më të njohur si: At Pashkë Bardhi, At Benedikt Dema, At Marin Sirdani, At Daniel Gjeçaj, me të drejtë do shtronin pyetjen, se cili nga emrat e studentëve të lartpërmendur do ishte At Gjergj Fishta?
Përgjigjja e saktë rreth kësaj, të ashtuquajtur enigmë dhe informacione të tjera me interes për Fishtën, do zbardhen duke shfletuar dokumentacionin e tij studentor, të marrë nga Arkivi Qendror i Provincës Françeskane të Bosnjës, në Sarajevë.
Në dokumentin fillestar, nr. 573, të datës 15 tetor 1886, nënshkruar nga eprori i rishtarëve të Kuvendit në Guçja Gora, At Juraj Kosiç, mësojmë për emrat dhe mbiemrat e gjatë të kandidatëve të ardhur nga Shqipëria. Në krye të listës gjejmë emrin e parë me këto shënime: Fra Ivo (në shqip Gjon), Fishta i lindur më 23 tetor 1871, i pagëzuar më 24 tetor, me emrin Jozef (në gjuhën kroate Josip). Kjo do të thotë se Fishta, me rastin e veshjes së zhgunit françeskan, më 28 gusht 1886 dhe pranimit të kushteve të përkohshme të datës 23 tetor 1887, sipas ligjeve rregulluare, kishte bërë ndryshimin e emrit nga Jozef në Gjon (Johannes), si emër i përmotshëm i një rregulltari.
Emri në gjuhën kroate, Ivo, (Josip) apo në trajtën latine Johannes, që do të thotë: Zoti jep mirësi, në dokumente shkollore, vazhdon të jetë emërtim zyrtar i Fishtës, gjatë gjithë kohë së studimeve dyvjeçare filozofike, në Kraljevo Sutjeska, (1888-1889) dhe atyre teologjike në Livno në vitet 1889-1893.
Jetëshkruesi i tij më i njohur, At Pashko Bardhi, në shkrimin e tij “A. Gjergj Fishta” (Me rastin e 25-vjetorit të meshtarisë së tij) botuar në “Zani i Shna Nout”, 1919, rreth emrit të tij thotë, citoj “Vjeten e provës e bani në kuvend të Guçja Gorës afer Travnikut e në ketë rasë, sipas zakonit të Fretnevet, ndërroi emnin e e muer Gjergj”. Shënimi i porsacituar, i bashkëkohësit të Fishtës, At Bardhit, nuk mund të shpjegohet se është i gabuar dhe se ai nuk ishte në dijeni për emrin të cilin Fishta e mbante si rregulltar, gjatë jetës studentore, por, arsyeja e vetme ishte se personi në fjalë me emrin Gjergj (Georgos, në greqishte do të thotë Bujk) si poet, shkrimtar, diplomat etj., tashmë kishte bërë emër te bota shqiptare dhe ndërkombëtare.
Shtrohet pyetja se kur Fishta e mori emrin Gjergj? Përgjigjen e gjejmë në librin e Pal Duka Gjinit, “Gjergj Fishta, Jeta dhe Vepra”, Romë, 1992, ku ndër të tjera shpjegon se, në letrën e datës 2 shtator 1892, dërguar eprorëve, për krijimin e një shoqërie të vogël letrare shqiptare, Fishta, i pari ndër dhjetë që e ndjekin, nënshkruhet Enea-Silvio-Giorgio Fishta. Pa dyshim, dy emrat e parë si të tillë u zhdukën, duke i mbetur vetëm i fundit, Giorgio, ndërsa në gjuhën kroate, Jure, në shqip, Gjergj, emër me anë të cilit ne sot e njohim poetin tonë kombëtar.
Gjendja e popullit kreshnik të Bosnjës nën zgjedhën turke, luftërat e pandashme, kryengritjet e vazhdueshme dhe heroizmi i tyre deri në fitore, në vitin 1878, ishin të ngjashme me ato të viseve tona gjithnjë në robëri. Prandaj dhe emrat e lartpërmendur të Fishtës janë personifikues të njerëzve të mëdhenj, si të humanistit, Papa Pio II, me emrat Enea dhe Silvio (Piccolomini). Ky Papë, në historinë tonë kombëtare njihet si ai, i cili u nis për në Raguzë, për ta kurorëzuar Gjergj Kastriotin, si “Atlet i Krishtit”, por vdiq në vitin 1464, në Ankona të Italisë, pa arritur ta finalizonte misionin e tij. Apo Enea, personazhi tek “Iliada” e Homerit dhe Silvio, emër i rilindësit të shquar kroat Silvie (Strahimir Kranjçeviq), miku i ngushtë i Fishtës etj. Ndërsa emri i fundit Gjergj, në aspektin fetar, personifikim i Shën Gjergjit, martir, shek. V, dhe në anën kombëtare, emri i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti