Ai iu ka treguar atyre se çka është haraçi, kur ia nisën politikanët t’i mbushin xhepat me para, si dhe për mënyrën se si ministrat marrin para kesh nga ata të cilëve u kryejnë favore. Sipas Pretenit, politikanët e vendit janë duke u pasuruar në mënyrë enorme dhe këtë pasuri po kanë komoditet edhe ta deklarojnë në formularët e deklarimit të pasurisë.
“Nuk kemi mekanizma institucionalë që të korruptuarve t’ua bëjmë jetën më të vështirë. Pasi nuk frikohen nga Zoti, bile në tokë t’ua vështirësojmë jetën”, ka thënë Preteni, i cili është ankuar në sistemin gjyqësor, i cili, sipas tij, që dhjetë vjet nuk ka shqiptuar asnjë dënim për raste të mëdha korruptuese.
“Do raste të vogla po kryhen, por rastet e mëdha të korrupsionit nuk preken”, ka thënë Preteni. Ai iu ka shpjeguar studentëve edhe mënyrën sesi po korruptohen zyrtarët e lartë publikë.
“Në momentin e lidhjes së kontratës po jepet haraçi për zyrtarë të lartë.
Kjo shkon dorë mas dore. Ministri as që e sheh personin i cili ka dhënë paratë, por me ndërmjetës po kryhen këto punë”, ka deklaruar Preteni. Sipas tij, paratë udhëheqësve të shtetit po u jepen “kesh”, pasi po të ndodhte që të derdheshin nëpër xhirollogari do të ziheshin lehtë, pasi Qendra e Inteligjencës Financiare merr raporte ditore nga bankat.
“Me ato para që i marrin dorë mas dore politikanët po blejnë shtëpi luksoze e vetura. Nëse do ta kishin hapur ndonjë fabrikë private me to, bile ua kish pa hairin dikush”, ka deklaruar Preteni, i cili ka vendosur ta citojë kryeministrin italian Silvio Berlusconi, i cili kishte deklaruar se “U tregoj të gjithëve sesi i kam bërë të gjithë milionat, por mos më pyesni vetëm si e kam bërë milionin e parë”. Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se fokusi i tij do të jetë në dhënien e kritikave për sistemin gjyqësor, pasi ky dikaster ka çuar deri te ajo që zyrtarët e lartë të deklarojnë vila e vetura luksoze edhe në Kundërkorrupsion pa u mërzitur se dikush do të merrej me ta.
“Deklarojnë vila e vetura luksoze. Zyrtari i lartë me rrogë 1 mijë euro jep dhurata vetura luksoze, e këto as që i fshehin, pasi nuk ka kush t’i dënojë”, ka thënë Preteni. Ai ka kërkuar ndarje më të madhe të buxhetit për organizata hetuese, siç janë Kundërkorrupsioni e Prokuroria.
“Kryeprokurori i Kosovës në zyre të tij nuk ka mundësi të ofrojë diçka më shumë sesa një lëng që e mban në frigorifer, pasi nuk ka mjete as për kafe. Ky ndoshta është shembull banal, por e tregon më së miri mungesën e stimulimit”, ka theksuar ai.
Preteni iu ka thënë studentëve se politikanët kanë nisur t’i mbushin xhepat që nga koha e fondit të “3-përqindëshit” e fondit “Vendlindja Thërret”. Sipas tij, ka zyrtarë publikë që shkruan në formular se ka shtëpi të madhe, të cilën e ka bërë gjatë punës në Zvicër, ndërsa kur verifikohet se ku ka punuar, del se ka qenë pjesë e këtyre fondeve. Ai ka marrë shembull vendet si Kroacia e Sllovenia ku janë në burg apo hetohen për korrupsion ministra e kryeministra. Kjo, sipas tij, duhet të ndodhë edhe në Kosovë.
“Janez Jansha ka qenë njeri që ka bërë shumë për Slloveninë, por në momentin kur është implikuar në shpërdorimin e fondeve kanë nisur hetimet ndaj tij. Askush nuk duhet të amnistohet nga kryerja e veprës korruptuese”, ka thënë Preteni